Gjykata: Kamioni që shkaktoi aksidentin në Gjilan pati probleme teknike

Shoferi i kamionit që shkaktoi aksident masiv të enjten në Gjilan, do të qëndrojë në paraburgim për 30 ditë.

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditë të pandehurit M. A.

“Ekziston dyshimi i bazuar se me 7 mars 2019, në ora 14:05 minuta, i dyshuari M. A., ka shkaktuar aksident të rëndë komunikacioni, nga i cili aksident një person për shkak të lëndimeve ka ndërruar jetë, ndërsa 26 të tjerë kanë pësuar lëndime trupore”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Sipas gjykatës, dyshohet që nga problemet teknike që ka pasur kamioni të cilin e ngiste, ka ardhur deri tek aksidenti.

Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale rrezikim i trafikut publik, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

KALLXO.com dje kishte raportuar se kamioni i cili shkaktoi dje aksidentin në qendër të Gjilan, nga i cili një person mbeti i vdekur dhe 27 të tjerë u lënduan, nuk ishte i regjistruar që nga viti 2017.

Këtë e konfirmuan burime të KALLXO.com brenda policisë.

KALLXO.com raportoi më herët se në lidhje me aksidentin është arrestuar edhe pronari i kompanisë, kamioni i së cilët e shkaktoj aksidentin.

https://kallxo.com/kamioni-qe-shkaktoi-aksidentin-ne-gjilan-i-paregjistruar-qe-nga-viti-2017/