Gjykata jep vendimin për ish zyrtarët e akuzuar të Kadastrit të Prishtinës

Ish-zyrtarët e Kadastrit të Komunës së Prishtinës, Shiqeri Spahiu, Ramush Thaçi dhe Doruntina Peqani, të akuzuar për veprën penale  keqpërdorimi i  pozitës zyrtare lirohen nga akuza, sepse nuk është vërtetuar se kanë kryer veprën penale që u ngarkohej nga Prokuroria.

Ndërsa Naim Dushku është shpall fajtor, me dënim prej 2 vite burgim efektiv, si dhe dënim me gjobë prej 3.000 euro, për veprën penale mashtrim.

Ish zyrtarët e Kadastrit lirohen edhe nga shpenzimet e procedurës penale.

Kurse Naim Dushku, u obligua t`i paguaj edhe shpenzimet e procedurës penale në shumë prej 100 euro.

Pala e dëmtuar për kërkesë pasurore juridike është udhëzuar në kontestin civil.

Shpalljen e aktgjykimit e bëri gjyqtarja Naime Krasniqi – Jashanica.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të ngritur më 14 dhjetor 2017, të pandehurit Shiqeri Spahiu, në cilësinë e drejtorit në Drejtorinë e Kadastrit në Komunën e Prishtinës, Ramush Thaçi në cilësinë e shefit të sektorit të Drejtorisë së Kadastrit në Prishtinë dhe Doruntina Peqani në cilësinë e udhëheqëses së zyrës për regjistrimin e pronave të paluajtshme në Drejtorinë e Kadastrit, kanë shfrytëzuar pozitën apo autoritetin zyrtar me qëllim që t’i sjellin përfitim pasuror të pandehurit Naim Dushku.

Sipas Prokurorisë në bazë të kontratës mbi mbajtjen e përjetshme, të lidhur në mes të mbajtësit tani të ndjerit Mehmet Dushku, dhe mbajtësit Naim Dushkut, edhe pse në bazë të kontratës mbi mbajtjen e përhershme tani i ndjeri Mehmet i kishte lënë trashëgimi edhe djalit të tij Pajazit Dushkut, katin përdhes të shtëpisë, e cila përbëhej prej tri dhomave me hapësira tjera.

Gjithnjë sipas prokurorisë, Naim Dushku në bazë të kësaj kontrate ia kishte lënë katin e parë dhe dytë me hapësira tjera, me ç`rast të pandehurin Pajazit Dushku e kanë privuar nga e drejta e regjistrimit të pronës.

Sipas pretendimeve të prokurorisë të pandehurit e lartcekur kanë nxjerr aktvendim me ç`rast ia kanë aprovuar kërkesën e Naim Dushkut që ka ta bëjë me bartjen e të drejtës së pronës së paluajtshme me sipërfaqe 612m katrorë, dhe prona e paluajtshme e lartcekur është regjistruar në regjistrin kadastral në emër të Naim Dushkut.

Të akuzuarit, e lartpërmendur sipas Prokurorisë i kanë shkaktuar dëm të dëmtuarit Pajazit Dushku në vlerë prej 500.000 Euro.

Kurse, i pandehuri Naim Dushku, sipas aktakuzës, me qëllim që vetit t’i sjellë përfitim të kundërligjshëm ka regjistruar pronën në regjistrat e Drejtorisë Kadastrale në Komunën e Prishtinës, duke u thirrur në kontratën e lartpërmendur dhe duke mos i treguar vëllait të tij Pajazit Dushku.