Gjykata jep detaje për tentim-vrasjen si në filma aksion në Prizren

Gjykata Themelore e Prizrenit i ka caktuar masën prej 30 ditë paraburgim të dyshuarit për tentim-vrasje në një incident të mbrëmjes së 19 shtatorit.

Në një komunikatë të lëshuar sot, gjykata tha se ka vendosur sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit, duke caktuar masën e paraburgimit në kohë zgjatje prej një muaji ndaj të pandehurit me iniciale M.B. nga Prizreni, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë në tentativë në bashkëkryerje dhe veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Masa e paraburgimit do të llogaritet prej momentit të arrestimit më 12.10.2018 deri më datën 12.11.2018.

Gjykata ka dhënë detaje të incidentit në të cilin ishin përdorur armët

“Më datën 19.09.2018, rreth orës 22:20 minuta, në Prizren tentojnë me dashje t’i privojnë nga jeta persona të tjerë në mënyrë që në momentin kur i vërejnë të dëmtuarit me iniciale M.B-1, M.B-2 dhe Q.G. që ishin duke qarkulluar me automjetin e tyre, të pandehurit me iniciale D.S ,K.S dhe M.B. u dalin përpara dhe i detyrojnë ta ngadalësojnë automjetin të cilët ishin të pajisur me armë zjarri, e të pandehurit me iniciale S.K. dhe E.E. ishin të pajisur me shufra metali të cilët i drejtohen automjetit në të cilin ishin të dëmtuarit dhe fillojnë t’i sulmojnë duke gjuajtur me armë zjarri në drejtim të automjetit, të dëmtuarit dalin me shpejtësi nga automjeti dhe fillojnë të vrapojnë ndërsa të pandehurit vazhdojnë ti ndjekin dhe të gjuajnë në drejtim të dëmtuarve, me ç’rast nuk arrin t’i lëndojnë, ndërsa një predhë e godet automjetin e të dëmtuarve, dhe disa predha godasin frigoriferin dhe xhamat e vitrinës të një marketi aty afër. Gjykata mendon se caktimi i paraburgimit në këtë fazë është më se i domosdoshëm pasi që i njëjti është i njohur për organet e drejtësisë i cili është gjykuar për vepra të ndryshme penale i cili po të lihet në liri ekziston mundësia që i njëjti të ndikojë në bashkëkryesit tjerë të cilët janë në arrati”, thuhet në komunikatën e Gjykatës Themelore në Prizren.