Gjykata ia kthen pozitën ish- shefit të Krimeve Ekonomike

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar padinë nga ish- shefi i Krimeve Ekonomike, Nazim Sahiti për tu rikthyer në pozitën e tij.

Sahiti ishte shkarkuar nga pozita e tij vitin e kaluar, ndërsa kishte ushtruar padi ndaj Policisë së Kosovës për rikthimin e tij në pozitën që kishte.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar edhe Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

Ndaj këtij vendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

Nazim Sahiti ishte larguar nga pozita e Drejtorit të Krimeve Ekonomike më 17 tetor të vitit të kaluar, ku më pas ishte emëruar në kuadër të Departamentit për Kufi.

Këtë e kishin konfirmuar për KALLXO.com në atë kohë Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës.

“Bazuar në Udhëzimin Administrativ mbi Marrëdhënien e Punës në Policinë e Kosovës, për shkak të nevojave operacionale të shërbimit, drejtori i përgjithshëm e ka caktuar Major Nazim Sahitin në kuadër të Departamentit për Kufi”, thuhet në përgjigjen e Policisë dhënë për KALLXO.com.

KALLXO.com pati raportuar se Sahiti ishte i përfshirë në incidentin me ish- drejtorin e Telekomit, Agron Mustafa.

Mustafa me 31 dhjetor në një konferencë për media kishte thënë se Sahiti së bashku me policin Avni Berisha i njohur si “Tarkani” e kishin sulmuar në mes të ditës, sipas tij pa ndonjë arsye.

Tutje, në deklaratën para prokurorisë, ish -drejtori i Telekomit, Agron Mustafa kishte tërhequr akuzat për Nazim Sahitin duke i vënë fajin vetëm “Tarkanit”.

https://kallxo.com/dy-versionet-e-agron-mustafes-per-nazim-sahitin-per-sulmin-e-dhjetorit/

https://kallxo.com/nazim-sahiti-nga-sot-me-pozite-te-re-ne-policine-e-kosoves/

https://kallxo.com/rashit-qalaj-largon-nazim-sahitin-nga-krimet-ekonomike/