Ramiz Kelmendi. Foto: Facebook

Gjykata ia konfirmon aktakuzën për vjedhje të rrymës, Ramiz Kelmendi paralajmëron ankesë

Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar kërkesën e të akuzuarit Ramiz Kelmendi për hedhjen e aktakuzës dhe pushimin e procedurës penale.

Njëjtë kishte vepruar edhe më herët Gjykata Themelore në Prishtinë, kur Kelmendi kishte ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

Gjykata e Apelit përmes aktvendimit ka aprovuar ankesën e të akuzuarit Ramiz Kelmendi, kështu duke e anuluar vendimin e Themelores dhe duke e kthyer çështjen në rivendosje.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka mbajtur përsëri shqyrtimin e dytë në muajin mars, ku më pas, Kelmendi kundër kësaj aktakuze brenda afatit ligjor ka paraqitur kërkesën për hedhje të aktakuzës dhe pushim të procedurës penale, me arsyetimin se nuk ka prova të mjaftueshme të cilat e mbështesin dyshimin e bazuar se ka kryer veprën penale.

Këtë kundërshtim të Kelmendit e kishte kundërshtuar edhe prokuroria.

Pas parashtrimit të kundërshtimeve, Gjykata Themelore ka vendosur që të refuzoj kërkesën e Kelmendit, kështu duke aprovuar atë të prokurorit, me ç‘ rast edhe ka konfirmuar aktakuzën ndaj tij.

I kontaktuar nga KALLXO.com, Kelmendi tha se do të shfrytëzojë të drejtën e tij për të parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit.

Në janar të këtij viti, Ramiz Kelmendi për KALLXO.com kishte kundërshtuar akuzat e ngritura ndaj prokurorisë me pretendimin se në kohën për të cilën flitet në aktakuzë ai nuk ka pasur përgjegjësi ndaj kompanisë.

http://kallxo.com/prokuroria-e-apelit-te-hedhet-poshte-aktakuza-ndaj-ramiz-kelmendit-per-vjedhje-te-rrymes/

Prokuroria kishte ngritur aktakuzë ndaj Kelmendit me pretendimin se i njëjti i ka shkaktuar dëm KEK- ut në shumë prej 22 mijë euro duke i vjedhur rrymën.

http://kallxo.com/prokuroria-ramiz-kelmendi-shkaktoi-22-mije-euro-dem-kek-ut/