Gjykata i shpalli fajtorë të akuzuarit për terrorizëm

Besim Shabani, Adil Bushi, Egzon Latifi, Jetmir Bushi, Artan Kadriu, Bekim Halili shpallen fajtor secili veç e veç për veprën penale pjesëmarrje në grupet terroriste.

Ndërsa Bekim Halili gjithashtu, edhe për armëmbajtje pa leje. Gjithashtu Kujtim Bytyqi fajtor për veprën penale armëmbajtje pa leje. Ky është vendimi i marrë ng atrupi gjykues në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Sipas Aktgjykimit, i akuzuari Jeton Hajdini lirohet nga aktakuza, Kujtim Bytyqi dënim me kusht me 8 muaj dënim me burgim, Besim Shabani dënohet me dënim me burgim 3 vjet, Adil Bushi 2 vite e 4 muaj burgim, Egzon Latifi 3 vite burgim, Jetmir Bushi 2 vite e 4 muaj, Artan Kadriu 4 vite burgim, Bekim Halili dënim unik 3 vite burgim, Jeton Hajdini në mungesë të provave lirohet nga aktakuza.

Sipas Aktgjykimit, secili nga të akuzuarit është i detyruar që pas plotfuqishmërisë së këtij Aktgjykimi të paguaj shumën prej 100 eurove në emër të paushallit gjyqësor me përjashtim të Jeton Hajdinit, i cili lirohet nga akuza në mungesë provash.

Të akuzuarve Bekim Halilit dhe Kujtim Bytyqit, armët e konfiskuara u sekuestrohen në mënyrë të përhershme.

Të akuzuarve në dënim do të u llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë më 7 maj 2015 ndaj Kujtim Bytyqit, Hadi Nurës, Besim Shabanit, Betim Ibrahimajt, Adil Bushit, Egzon Latifit, Jetmir Bushit, Artan Kadriut, Bekim Halilit, Zijadin Berishës dhe Jeton Hajdinit.

Hadi Nura, Besim Shabani, Betim Ibrahimaj, Adil Bushi, Egzon Latifi, Jetmir Bushi, Artan Kadriu, Bekim Halili, Zijadin Berisha dhe Jeton Hajdini nga prokuroria akuzoheshin për veprën penale organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste, ndërsa Kujtim Bytyqi ishte i akuzuar për armëmbajtje pa leje.

Edhe Bekim Halili e Zijadin Berisha, përpos për pjesëmarrje në grupe terroriste ngarkoheshin edhe për armëmbajtje pa leje.

Në seancat e kaluara, Artan Kadriu, Zijadin Berisha, Betim Ibrahimaj dhe Adil Bushi kishin pranuar fajësinë për veprën penale organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste.

Ndërsa, Kujtim Bytyqi kishte pranuar fajësinë për armëmbajtje pa leje, pjesërisht e kishin pranuar fajësinë në seancat e kaluara edhe Bekim Halili dhe Zijadin Berisha vetëm për armëmbajtje pa leje.

Ndaj të akuzuarve Hadi Nura e Betim Ibrahimaj gjatë seancave të kaluara ishte veçuar procedura.

Kallxo.com e ka përcjellë në vazhdimësi këtë proces gjyqësor. Raportet nga ky rast mund t’i gjeni në këtë link.