Gjykata i hap rrugë përmbarimit të 30 milionëve të Telekomit

KALLXO.com ka marrë vesh se Gjykata e Prishtinës ka aprovuar kërkesën e Z-Mobile ndaj Telekomit të Kosovës lidhur me njohjen e vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit.

Gjykata e Arbitrazhit kishte vendosur që Telekomi obligohej t’i paguante Z-Mobile-it shumën prej mbi 30 milionë eurove, përfshirë këtu edhe kamatën e cila pritet të përcaktohet.

Gjatë shqyrtimit gjyqësor Z-Mobile i ka kërkuar Gjykatës që të vendosë sipas kërkesës së tyre në atë mënyrë që të njohë vendimin e arbitrazhit të huaj dhe konform ligjit për arbitrazhin e Kosovës ta detyrojë PTK-në t’i bartë shpenzimet e procedurës duke përfshirë këtu edhe shpenzimet e përfaqësimit.

Ndërsa përfaqësuesi i Telekomit, avokati Gazmend Nushi i kishte kërkuar Gjykatës që ta refuzojë padinë e Z-Mobile duke deklaruar se Telekomi qëndron prapa kundërshtimeve lidhur me vendimin përfundimtar të Gjykatës së Arbitrazhit për të cilën ka thënë se ka vendosur për çështje të cilat janë jashtë kompetencës së saj, çështje të cilat sipas avokatit hyn në kompetencë ekskluzive të gjykatave vendore.

Madje Nushi kishte deklaruar se me vendimin e arbitrazhit është cenuar Kushtetuta e Republikës së Kosovës pasi që, sipas tij, arbitrazhi ka ndërhyrë në kompetencën ekskluzive të Gjykatave vendore.

Lidhur me këto pretendime të Z-Mobile, Gjykata ka vendosur jashtë shqyrtimit gjyqësor.

Sipas vendimit të Arbitrazhit, Telekomi i Kosovës obligohet që për dëmin e shkaktuar t’i paguajë Z Mobile-it rreth 30 milionë euro gjobë në emër të shpërblimit të dëmit, fitimit të humbur dhe shpenzimeve të procedurës së Arbitrazhit.

https://kallxo.com/z-mobile-i-kerkon-gjykates-ta-detyroje-telekomin-te-paguaje-rreth-30-milione-euro-gjobe/

Arbitrazhi:

Kontesti në mes të kompanisë “Dardafon” dhe ndërmarrjes publike Telekomi i Kosovës zanafillën e ka në marrëveshjen e lidhur më datë 16 janar 2009. Marrëveshja parashihte që “Z-Mobile” të jetë operator virtual i telefonisë mobile “Vala”. Mospajtimet në mes të dy palëve nisën kur “Z-Mobile” kërkoi numeracion shtesë, pra më shumë se 200 mijë numra sa i ishin ndarë në fillim. Mospajtimet përfunduan në Arbitrazh. Në vitin 2015, “Z-Mobile” (Dardafon) iu drejtua Arbitrazhit pasi pretendonte se Telekomi i Kosovës po bënte shkelje të marrëveshjes pasi refuzonte t’i ndajë numra shtesë dhe të ofronte shërbime 3G dhe 4G.

Tribunali i Arbitrazhit pranë Odës Ekonomike Ndërkombëtare, sipas padisë së kompanisë “Z-Mobile”, më 9 dhjetor 2016 vendosi në favor të kësaj kompanie.

Sipas vendimit të Arbitrazhit, Telekomi i Kosovës obligohej që t’i alokonte numeracion shtesë “Z-Mobile”-it, si dhe t’i ofronte shërbimet 3G dhe 4G. E për dëmin e shkaktuar, Arbitrazhi e obligonte Telekomin që t’i paguante rreth 30 milionë euro gjobë në emër të shpërblimit të dëmit, fitimit të humbur dhe shpenzimeve të procedurës së Arbitrazhit.

Kujtojmë se lidhur me marrëveshjen më mes të Z-mobile dhe Vala, Prokuroria kishte ngritur aktakuzë ndaj krerevë të telekomit Agron Mustafës, Ejup Qerimit e Rexhë Gjonbalajt.

Agron Mustafa dhe Ejup Qerimi, në kohë të ndryshme, kanë mbajtur pozitën e kryeshefit të Telekomit. Ndërsa, Rexhë Gjonbalaj ka qenë kryetar i bordit të Telekomit të Kosovës.

Aktakuza ka pasur të bëjë me veprimet që i kanë paraprirë vendimit të Gjykatës dhe pastaj kontestit në arbitrazh, e të cilat u përmbyllën me marrëveshjen në mes të Z-mobile dhe Valës.

Por në dhjetor të vitit të kaluar Gjykata Themelore duke i marrë për bazë kërkesat e mbrojtësve për kundërshtim të provave dhe hedhje të aktakuzës, kishte vendosur që të hedhë poshtë aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale.

https://kallxo.com/gjykata-rrezoi-aktakuzen-ndaj-ish-krereve-te-telekomit-te-kosoves-per-z-mobile/

Sipas vendimit të Gjykatës të cilin e ka siguruar KALLXO.com, thuhet se  Prokuroria Speciale nuk e ka mbështetur aktakuzën me asnjë provë të besueshme.

Tutje në aktvendim thuhet se me asnjë provë nuk është vërtetuar se të pandehurit kanë pasur për qëllim t’i shkaktonin dëm të dëmtuarës “DARDAFON”.

Me rastin e marrjes së këtij vendimi Gjykata ka udhëzuar kompaninë e dëmtuar “Dardafon.net”, në kontest civil.

https://kallxo.com/arsyet-pse-gjykata-e-pushoi-proceduren-ndaj-ish-krereve-te-telekomit/

Detajet e tjera rreth marrëveshjes mund ti lexoni në këtë link