Gjykata e Pejës flet për zjarrin që e përfshiu mbrëmë

Pas zjarrit i cili u shkaktua natën e mbrëmshme në ambientet e Gjykatës së Pejës, gjatë ditës së sotme Gjykata e Pejës ka dal me një komunikatë për media përmes së cilës i siguron qytetarët se nuk ka dëme në lëndë dhe se proceset gjyqësore do të vazhdojnë të procedohen në mënyrë të rregullt.

“I sigurojmë qytetarët të cilët kanë procedura të hapura civile në Gjykatën tonë se lëndët e tyre nuk janë përfshirë nga zjarri dhe nuk janë të dëmtuara andaj, edhe proceset gjyqësore do të vazhdojnë të zhvillohen në mënyrë të rregullt.

Përmes kësaj komunikate, sqarohet se zjarri ka ndodhur mbrëmë rreth orës 23:15, me ç ‘rast zjarri ka kapluar një pjesë të përdheses së objektit të Gjykatës Themelore në Pejë, më saktësisht Zyrën e Shkrimores Civile.

Sipas komunikatës për media të Gjykatës së Pejës, ekipi i zjarrfikësve dhe policia me të marrë lajmin kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes për ta lokalizuar zjarrin si pasojë e të cilit janë shkaktuar dëme vetëm në pajisje teknike.

“Janë ndërmarrë masat e nevojshme dhe zjarri është shuar. Si pasojë e zjarrit ka pas dëme materiale në pajisje teknike përfshirë kompjuterë, printer si dhe tavolina dhe karrige”, thuhet në komunikatën për media të Gjykatës së Pejës.

Kjo Gjykatë konstaton se nuk ka dëm në lëndë por vetëm dëme materiale.

“Lëndët që kanë qenë nëpër dollapë nuk janë dëmtuar. Të vetmet lëndë që zjarri i ka prekë kanë qenë disa lëndë me Kërkesa për Shlyerje të Dënimeve si dhe Regjistri i këtyre lëndëve por lëndët bazike të këtyre kërkesave nuk janë dëmtuar pasi që të njëjtat gjenden në arkivin e gjykatës”, thuhet më tej në komunikatë.

Si pasojë e zjarrit, Gjykata ka njoftuar se gjatë ditës së sotme për disa orë do të jetë jashtë shërbimit deri në pastrimin e ambienteve të prekura nga zjarri.

“Gjykata nuk do të jetë në shërbim të qytetarëve për disa orë në ditën e sotme deri në pastrimin e saj por që kërkesat urgjente do të pranohen. Gjykata do të vazhdojë punën e saj normale pas pastrimit të Gjykatës. Për këtë kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve”, thuhet në komunikatën për media të Gjykatës së Pejës.

Në një prononcim për KALLXO.com, edhe kryetari i kësaj Gjykatë, Kreshnik Radoniqi i ka siguruar qytetarët se zjarri nuk ka shkaktuar dëme në lëndë por vetëm në pajisje.

“Fatmirësia nga kjo fatkeqësi është se nuk ka dëme në lëndë”, është shprehur Kreshnik Radoniqi, kryetar i Gjykatës së Pejës.