Foto: Kallxo.com

Gjykata e dënon me burg policin nga Drenasi

Gjykata Themelore e Prishtinës e ka dënuar zyrtarin policor Bajram Bytyqi me gjashtë muaj burgim efektiv, për veprën penale keqpërdorim i detyrës zyrtare ndërsa e liroi nga akuza për veprën tjetër të ushtrimit të ndikimit në tentativë.

Shpallja e aktgjykimit u bëri gjykatësi Shashivar Hoti.

Gjykatësi Hoti deklaroi se dënimi me burg efektiv, me pëlqim të dënuarit, mund të zëvendësohet me dënim me gjobë prej 3,500 euro.

Ndërsa avokati Nexhmedin Sejdiu deklaroi se Bajram Bytyqi nuk e pranon zëvendësimin e dënimit me burgim në dënim me gjobë, por do ta shfrytëzojë të drejtën e ankesës në Gjykatën e Apelit.

Gjithashtu kjo Gjykatë e ka obliguar Bytyqin që të dëmtuarit Ferid Ismajli t’ia kompensojë dëmin në vlerë prej 1,200 euro.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, në tetor të vitit 2017, kishte ngritur aktakuzë për të pandehurin  Bajram Bytyqi, me pretendimet se në cilësinë e personit zyrtar në Stacionin Policor në Drenas, kishte kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe ushtrim i ndikimit.

Gjithnjë sipas pretendimeve të prokurorisë, në aktakuzë thuhet se më 3 korrik të vitit 2013, Bajram Bytyqi kishte marrë nga i dëmtuari Ferid Ismajli shumën prej 1,200 euro duke i premtuar se nuk do ta vuante dënimin me burg në kohëzgjatje prej gjashtë muajsh të cilin e kishte marrë nga Gjykata.