Gjykata e Apelit Vendosi për ‘Grupin e Llapit’

Gjykata e Apelit ka zbardhur vendimin në ankesën e të akuzuarve në procesin e quajtur “Grupi i Llapit” në të cilin akuzoheshin drejtuesit e kësaj zone të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Me vendimin e apelit, i pandehuri Latif Gashi do ta vuajë dënimin unik prej 6 vjet burgim, i pandehuri Nazif Mehmeti do ta vuajë dënimin unik prej 3 vjet burgim, ndërsa i pandehuri Rrustem Mustafa do ta vuajë dënimin unik prej 4 vjet burgim.

Vendimi i Gjykatës së Apelit është marrë më 11 gusht ndërsa është publikuar tek sot, gati me tre muaj vonesë.

Sipas gjykatës, ankesa e ushtruar në emër të Nazif Mehmetit është hedhur poshtë si e paafatshme, përderisa ankesat për Latif Gashin dhe rrustem Mustafën janë pranuar në mënyrë të pjesshme. Gjykata thotë se në dispozitiv duhet të përfshihet pjesa ku përcaktohet që koha e kaluar në paraburgim do të llogaritet në vuajtje të dënimit.

Grupi i Llapit ishte gjetur fajtor në vitin 2013 në disa pika të akuzave për krime të luftës.