Naser Kelmendi në Gjykatë - Foto: KALLXO.com

Gjykata e Apelit liron Naser Kelmendin

Gjykata e Apelit e Kosovës e ka liruar Naser Kelmendin.

Lajmin për KALLXO.com e konfirmoi avokati i Kelmendit, Besnik Berisha.

Avokati Berisha tha se lajmi është i vërtetë ndonëse ai ende nuk e ka pranuar aktvendimin e Gjykatës së Apelit.

“Megjithatë logjika në raste të tilla thotë që Apeli ka pasë parasysh pretendimet e shprehura nga mbrojta dhe e ka liruar në pritje të një aktgjykimi të favorshëm për mbrojtjen”, tha Besnik Berisha për KALLXO.com.

Më 24 korrik në Gjykatën e Apelit është mbajtur seanca e shqyrtimit të ankesave në rastin e Naser Kelmendit, i dënuar nga gjykata e shkallës së parë.

Kujtojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar Naser Kelmendin me 6 vjet burg në fund të procesit gjyqësor ndaj tij.

Ai është gjetur fajtor në pikën e akuzës për posedim me qëllim të shpërndarjes së narkotikëve” ndërsa është shpallur i pafajshëm në tetë pika të tjera, përfshirë edhe ato për krim të organizuar dhe vrasje.

Naser Kelmendi akuzohet për vrasje të rëndë, krim të organizuar, blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike dhe prodhim e përpunim të paautorizuar të narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike.

Ai krahas shtetësisë kosovare e ka edhe atë boshnjake, ndërsa u arrestua nga policia e Kosovës në majin e vitit 2013, pasi u kërkua me fletarrest ndërkombëtar nga Bosnja.

https://kallxo.com/denohet-naser-kelmendi/

Pasi Bosnja e Kosova nuk kanë marrëdhënie diplomatike dhe as marrëveshje ekstradimi, Kelmendi është duke u gjykuar në Kosovë.

Kur iu lexua aktakuza më 16 janar 2015 Kelmendi ishte deklarua i pafajshëm, ndërsa e cilësoi aktakuzën një prodhim nga Bosnja.