Foto: Kallxo.com

Gjykata dënon Ferid Aganin dhe Gani Shabanin

Ish ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, është dënuar me 2 vjet e gjashtë muaj burg ndërsa ish sekretari i përgjithshëm i kësaj ministrie, Gani Shabani, me 2 vjet burg pasi janë gjetur fajtorë sot për keqpërdorim të detyrës zyrtare në rastin e njohur si ‘Stentat’.

Në sallën e mbushur përplot me publik, kryetarja e trupit gjykues Shadije Gërguri, shpalli aktgjykimin i cili erdhi katër vjet e gjysmë pas shpalljes së aktakuzës ndaj Aganit, Shabanit dhe mbi 60 personave tjerë.

Në momentin e shpalljes së aktgjykimit, në sallën plasën pakënaqësi ndaj vendimit nga ana e publikut mes thirrjeve “Turp, turp…”.

15:10

Ish ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, dhe ish sekretari i përgjithshëm i kësaj ministrie, Gani Shabani, janë shpallur fajtorë sot për keqpërdorim të detyrës zyrtare në rastin e njohur si ‘Stentat’.

Në sallën e mbushur përplot me publik, kryetarja e trupit gjykues Shadije Gërguri, shpalli aktgjykimin i cili erdhi katër vjet e gjysmë pas shpalljes së aktakuzës ndaj Aganit, Shabanit dhe mbi 60 personave tjerë.

Ish ministri Ferid Agani dhe ish sekretari i përgjithshëm i Ministrisë, Gani Shabani, akuzoheshin në këtë rast për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Të akuzuar për ketë rast janë mbi 50 persona mirëpo me qëllim të optimalizimit të procedurës ishte veçuar procedura ndaj ish ministrit dhe ish sekretarit të Ministrisë së Shëndetësisë.

Ish ministri Agani dhe Gani Shabani akuzohen se kanë vepruar në kundërshtim më Ligjin për Prokurimin Publik dhe Udhëzimet Administrative të Ministrisë së Shëndetësisë,  duke lejuar pagesat për trajtimin e pacientëve jashtë institucioneve publike shëndetësore për periudhën 2011 -2015.

Prokuroria pretendon se ata i kanë mundësuar përfitim financiar spitalit privat “IMH” në shumë prej 4,050,958.00 euro dhe spitalit privat “EDA” në shumën prej 504,595.00 euro, apo të dyja spitaleve në shumë të përgjithshme prej 4,555,553.00 euro, duke e dëmtuar buxhetin e Kosovës.

KALLXO.com ka raportuar për këtë gjykim në vazhdimësi. Raportimet mund t’i gjeni në këtë link.

Lajm në zhvillim