Gjykata Jep Afat 6 Ditë për Verifikimin Nëse i Padituri Ka Vdekur

Në kontestin për rimbursim të dëmit të shkaktuar në aksident trafiku mes të paditurit M. I. dhe Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS) gjyqtari Faton Ademi njoftoi se nga fletëkthesa e cila ishte dërguar në adresën e të paditurit ka rezultuar se ai ka vdekur.

Pas kësaj përfaqësuesja e palës paditëse nga Byroja Kosovare e Sigurimeve ( BKS ), Mimoza Kllokoqi, i propozoi gjykatës që të mos marrë aktvendim për ndërprerjen e procedurës.

Kllokoqi tha në gjykatë se BKS-ja përmes Zyrës për Antimashtrim do të bëjë verifikimin për të paditurin nëse është gjallë apo jo.

Kurse gjyqtari Faton Ademi me aktvendim obligoi palën paditëse që në afat prej gjashtë ditësh të njoftojë gjykatën me shkrim lidhur me të paditurin.

Në të kundërtën, gjyqtari Ademi tha do ta nderpresë procedurën gjyqësore në këtë çështje juridike.

Byroja Kosovare e Sigurimeve përmes padisë së parashtruar në dhjetor të vitit 2015 kishte kërkuar nga gjykata aprovimin e saj.

Permes padisë kërkohej të obligohej i padituri M. I. që palës paditëse t’ia kompensojë vlerën në shumë prej 12,215 euro, në emër të rimbursimit të dëmit që ishte shkaktuar në aksident trafiku.

Ky aksident trafiku, sipas padisë, kishte ndodhur në dhjetor të vitit 2011 në Mitroivcë.

Në padi kërkohej gjithashtu që i padituri të paguante shpenzimet gjyqësore.