Marko Gjuriq - Foto: REL

Gjuriq: Serbia do të bashkëpunojë me Gjykatën Speciale

Në një intervistë në lajmet e RTS-së, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë Marko Gjuriq paralajmëroi bashkëpunimin me Gjykatën Speciale që do të hetojë krimet e mundshme të kryera nga pjesëtarët e UÇK-së.

“Serbia do të bashkëpunojë me gjykatën për krimet e UÇK-së dhe nëse të paktën ekziston shans teorik që të dënohet ndonjëri nga kriminelët, do të ishte mirë”, tha Gjuriq.

Por ai më tutje deklaroi se nuk duhet të shpresohet shumë për dënime të tilla.

“Po të donin t’i dënonin këta njerëz, nuk do t’i mbanin në pushtet për 16, 17 vjet”, tha Gjuriq.

Duke komentuar deklaratat për bisedime të Shteteve të Quintit në lidhje me Kosovën, Gjuriq tha se këto shtete po përpiqen të krijojnë qëndrim të përbashkët.

“Ne këtu nuk duhet të kemi kurrfarë dilemash. Të gjitha këto vende pajtohen për një gjë. Për to Kosova është shtet i pavarur. Dhe ata mund të pajtohen praktikisht vetëm rreth asaj si dhe në çfarë mënyre të krijojnë kushte që ta shtyjnë Serbinë të bëjë lëshime për çështjen e Kosovës”, tha Gjuriq.

Ai përmendi edhe njëherë kompromisin.

“Ne jemi për bisedime, për kompromis. Imponimet e nëanshme nuk do t’i pranojmë kurrë dhe për këtë askush nuk duhet të ketë dilema”, tha Gjuriq.

Marko Gjuriq ishte arrestuar më 26 mars në Mitrovicën Veriore, pasi hyri pa leje në Kosovë. Ai atë ditë ishte sjellë në Prishtinë dhe më pas ishte deportuar nëpërmjet Merdarit.

Gjuriq më pas vizitoi disa herë me leje Kosovën.