Ish-drejtori menaxhues i KEK-ut, Arben Gjukaj

Gjukaj: Rezervat e Qymyrit, në Ditët e Fundit

Gjukaj tregoi në 21 Live News të RTV21 se më 1 gusht të vitit 2016 janë ndalur ekskavatorët që gërmonin në drejtim të fshatit Shipitullë, për arsye se është shkelur licenca mbajtje distancash nga shtëpitë.

“Për 12 muaj ne kemi shtjerë rezervat tona  për t’i mundësuar që banorët në mënyrë të qetë dhe palët tjera të interesit të marrin vendimet e duhura pa shkelur apo cenuar të drejtat e tyre”, tha Gjukaj.

Ai shpreson se është koha e duhur që institucionet të marrin masa ndaj kërkesave siç i quan ai imediate, për arsye se rezervat po shterohen. “KEK ka filluar aktivitetin në vitin 2013-2014 për marrjen në pronësi të 52 hektarëve në bazë të një projekti i cili është zhvilluar  në vitin 2006-2007, dhe në kuadër të saj ne kemi bërë aktivitete që të marrim diku 52 hektarë e cila është pronë private, ndërsa pjesa tjetër prej 70 hektarëve është pronë e KEK-ut”, tha Gjukaj.

Nga ana e tyre banorët thonë se nuk dinë se ku gjenden këto prona.

Ndërkaq Gjukaj shtoi se banorëve u është bërë me dije që nga viti 2014, se cili është interesi dhe planet e KEK-ut.

“Ato prona janë në lokalitetet e fshatit Shipitullë që i përfshinë dy zona kadastrale në Komunën e Obiliqit”, shtoi Gjukaj.

Shqetësuese për KEK-un mbetet fakti se që nga lajmërimi për gërmime në këto zona me thëngjill, qytetarët kanë filluar ndërtimin e shtëpive në mënyrë që t’u bëhet kompensimi nga korporata, shkruan rtv21.tv.

“KEK-u në vitin 2014 e ka alarmuar situatën dhe ka njoftuar të gjitha organet se në këtë zonë si zonë e interesit nacional apo me interes për të mirën e publikut ka veprime ilegale dhe tash në korrik të vitit 2015 tregohet për 99 struktura legjitime nuk flasim me leje apo pa leje, për arsye se e dimë se çfarë gjendje kemi të gjitha fshatrat, por po flasim për aktivitete prej momentit kur ne kemi filluar aktivitetin me marrjen në pronësi kanë shkuar në 235 objekte ”, shtoi Gjukaj.

Gjatë bisedës në studio u diskutua edhe për atë se disa punëtorë të KEK-ut janë përfshirë në këtë ‘skandal’, por Gjukaj rikujtoi se para dy vjetëve është hapur një afat prej 15 ditësh ku qytetarët që kanë pasur njohuri se cilët punëtorë kanë ndërtuar shtëpi, kanë mundur të japin informacione dhe të merren masat e caktuara.

“KEK-u i ka 5 mijë e 500 punëtorë dhe diku rreth 78% të tyre janë të fshatrave të Obiliqit… dhe nëse ndonjë punëtor i KEK-ut është i fshatit Shipitullë, që janë disa dhe kanë bërë kësi veprimesh kjo nënkupton se korporata në mënyrë zyrtare ka një qasje të tillë… ne e kemi bërë të qartë se ato janë veprime ilegale”, shtoi Gjukaj.

Ai theksoi se Korporata Energjetike e Kosovës i ka kryer të gjitha obligimet karshi mandatit dhe përgjegjësive të veta që i ka, ndërsa sipas tij, institucionet qeveritare kanë qenë të obliguara të mos lejojnë ndërtime në këtë zonë të shpallur si zonë e interesit të veçantë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës në vitin 2005 dhe rishpallur si zonë e interesit me dy vendime në vitin 2009 dhe 2011. /21Media