Kamioni-cisternë i një kompanie duke derdhur mbetje në lumë - Foto: KALLXO.com

Gjobitja e Kompanisë që Derdhi Kanalizim në Natyrë

Emisioni “Jeta në Kosovë” sonte transmetoi hulumtimin mbi ndotjen e ambientit që është bërë nga Parku i Biznesit në Drenas.

Kompania e kontraktuar për të mirëmbajtur kanalizimin dhe mbetjet industriale të Parkut të Biznesit në Drenas ka bërë derdhje të ujërave të zeza dhe mbetjeve industriale në ambient të hapur të fshatit Korreticë.

Banorët e këtij fshati fillimisht kishin dërguar një video të xhiruar me telefon ku nga një xhip bëhej shkarkimi i ujërave të zeza, të cilat pastaj kalonin përmes fshatit.

Më vonë “Jeta në Kosovë”, mësoi se bëhej fjalë për automjetin e kompanisë “Mobile Sanitary Services” (MSS) që ishte kontraktuar për të trajtuar ujërat e zeza dhe mbetjet industriale.

Inspektorati i komunës e ka gjobitur kompaninë “Mobile Sanitary Services” (MSS) e cila i ka derdhur këto ujëra të zeza, ndërsa Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka bërë analiza të ujit të liruar.

Këto analiza e kanë konfirmuar shqetësimin e qytetarëve- se uji nuk po pastrohet në impiant.

Kompania “Mobile Sanitary Services” (MSS) tregoi  për Emisonin ”Jeta në Kosovë” se për veprimet e lartpërmendura është gjobitur me shumën 100 euro.

“Ne kemi zbrazur ujërat e zeza disa herë me anë të një automjeti xhip i cili ka kapacitet deri në 250 litra ujëra të zeza dhe për këtë jemi gjobitur nga inspektorati 100 euro dhe kjo është paguar menjëherë. Automjete tjera kanë marrë ujërat e zeza gjatë pastrimit të kanalizimit brenda parkut dhe ato ujëra janë zbrazur aty”, tha Berat Hasanaj, menaxher në MSS.

Ndërkaq nga institucionet e tjera të përfshira, kjo kompani nuk ka marrë vërejtje zyrtare të protokolluar, apo referenca negative.

Në edicionin e sotëm të emisionit “Jeta në Kosovë” mund të shihni reagimet e ministres së Tregtisë, Hykmete Bajrami dhe kryetarit të Drenasit , Ramiz Lladrovci për ndotjen që po e përjetojnë banorët e fshatit Korreticë.

Derdhjen e ujërave që dyshohen të jenë të zeza mund ta shikoni në këtë link