Gjobë dhe Burg për Shitblerje të Heroinës

Gjykata Themelore e Gjakovës i ka shpallur fajtorë dhe i ka dënuar me burgim Adnan Vokshin dhe Amrush Ferizajn ngase te ta ishte gjetur substanc[ narkotike.

“Të akuzuarit Adnan Vokshi për këtë vepër penale I shqiptohet dënimi me burgim në kohëzgjatje prej 6 muajve në të cilin do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak si dhe dënimi me gjobë në shumën 500 euro”, tha kryetari i trupit gjykues Shaqir Zika

Zika të njëjtin dënim ia shqiptoi edhe Amrush Ferizajt.

“Të akuzuarit Amrush Ferizaj i shqiptohet dënimi me burgim në kohëzgjatje prej 6 muajve si dhe dënimi me gjobë në shumë prej 500 eurove”, përfundoi shpalljen e aktgjykimit Shaqir Zika.

Sipas aktakuzës, Adnan Vokshi akuzohet se në tetorin e vitit 2016 në Lagjen “Kolonia” të Komunës së Gjakovës i ka shitur pa autorizim substancë narkotike të llojit heroinë të akuzuarit Amrush Ferizaj me peshë të përgjithshme prej 3.72 gramësh në shumën prej 85 eurove.

Më tej aktakuza sqaron se si policia gjatë kontrollit dhe bastisjes së shtëpive të të akuzuarve kishte gjetur një sasi substancash narkotike.

“Të njëjtit gjatë kontrollit të automjetit nga ana e policisë i është gjetur heroina në pesë qese të najllonit. Po ashtu dhe gjatë bastisjes së shtëpisë se Adnan Vokshit në dhomën e tij është gjetur dhe konfiskuar një sasi narkotikësh e llojit heroinë në peshë prej 0.91 gramë”, sqaron aktakuza.