Policia e trafikut. Foto: Kallxo.com

Gjoba deri në 800 euro për taksistët ilegalë

Njësiti Rajonal i Komunikacionit Rrugor në Prishtinë në bashkëpunim me Inspekcionin e Komunës së Prishtinës kanë filluar sot një plan operativ për kontrollim të shtuar të taksive ilegalë.

Sipas NJRKRr-së, plani operativ për taksitë ilegalë do të zbatohet në të gjithë regjionin  e Prishtinës,  por edhe më gjerë.

“Qëllimi i planit është vetëdijesimi i qytetarëve për zbatimin e rregullave të komunikacionit, ndërmarrja e masave  preventive dhe atyre të ndëshkimit, dhe ndërmarrja e masave të nevojshme policore bazuar në ligje dhe udhëzime ekzistuese”, thuhet në njoftimin e Policisë.

NJRKRr ka thënë për KALLXO.com se gjobat për taksi ilegal janë paraparë prej 100 deri 800 euro.

“Ligji e parasheh se gjobat për taksi ilegal janë prej 100-800 euro, ashtu që fletëparaqitja së bashku   me procesverbal të përpiluar nga inspektori i Komunës i paraqiten Gjykatës – Departamentit për Kundërvajtje”, thuhet në njoftimin e NJRKRr-së.

Por, përveç gjobës, për taksitë ilegalë ndërmerren edhe masa të tjera, si shkyqja e veturës nga komunikacioni për një kohë të caktuar deri në pesë ditë.

Plani i cili ka filluar të zbatohet sot do të vazhdojë deri në vlerësimin e ardhshëm nga NJRKRr dhe inspektorët komunalë.