Ilustrim

Zyrat komunale për barazi gjinore, pa buxhet

13 vite më parë në Kosovë janë themeluar zyrat për Barazi Gjinore në tërë komunat e Kosovës por një hulumtim i kryer nga BIRN tregon se shumica e fondeve të komunave për këto zyre shkojnë për paga të zyrtarëve duke i lënë anash nevojat e grave për projekte që përkrahin dhe fuqizojnë barazinë gjinore.

Varësisht nga komuna ndryshon edhe buxheti që është ndarë për zyrtaren për barazi gjinore. Komuna që ndau më së shumti buxhet për vitin 2018 është ajo e Mitrovicës Jugore. Për këtë vit, ajo ndau buxhet prej 37,312 euro. Prej tyre 19,210 euro janë paraparë të për pagat për zyrtaren për barazi gjinore dhe koordinatorin për të drejtat e njeriut. Për mallra dhe shërbime janë paraparë që të shpenzohen 5,926 euro. Mitrovica Jugore ka siguruar edhe subvencione nga organizata ndërkombëtare në vlerë 12,178 euro.

Ndryshe nga komuna e Mitrovicës Jugore që ka ndarë më së shumti buxhet për barazi gjinore, komuna e Obiliqit ka ndarë më së paku mjete financiare për këtë qëllim.

Buxheti i kësaj komune për këtë vit është vetëm 1 mijë euro apo 2.73 euro në ditë, brenda një viti.

Hulumtimi tregon se pak më shumë se komuna e Obiliqit buxhet ndau komuna e Hanit të Elezit. Kjo komunë në tri vitet e fundit, për secilin vit, ka ndarë një buxhet prej 1,500 euro për zyrtarin për barazi gjinore.

Komuna e Gjakovës, përkatësisht zyrtarja për barazi gjinore në këtë komunë, deri në muajin shtator të këtij viti nga buxheti i komunës ka shpenzuar 2,480 euro, ndërsa ka përfituar përkrahje nga donatorët prej 5,270 euro.

Në anën tjetër, komuna e Rahovecit për vitin 2018 ka ndarë një buxhet për zyrtarin për barazi gjinore prej 5,078 eurove, paga dhe mëditje, ndërsa 1,500 euro për mallra dhe shërbime.

Kamenica për vitin 2018 ka ndarë buxhet prej 6,112 euro për paga dhe mëditje ndërsa për mallra shërbime 3 mijë euro. Kjo komunë ka paraparë buxhetin për zyrtaren për barazi gjinore edhe për vitin e ardhshëm që do të jetë 6,700 euro për paga dhe mëditje ndërsa 1,500 euro për mallra dhe shërbime.

Buxhet më të madh për zyrtaren për barazi gjinore ka paraparë komuna e Pejës. Për vitin 2018 janë ndarë 10,300 euro, ndërsa për vitin 2019 kjo komunë ka paraparë të rritet kjo shumë në 12,600 euro.

Nevojitet kod i veçantë buxhetor

Infografika: Trembelat për Kallxo.com

Hulumtimi tregon se buxheti për zyrat për barazi është ndarë vetëm për pagat e zyrtarëve dhe shpenzimet e tjera. Zyrat nuk kanë kod të veçantë buxhetor dhe nuk mund të përkrahin asnjë aktivitet që do shtynte përpara fuqizimin e barazisë gjinore

Zyrtarët për Barazi Gjinore nuk kanë vijë të veçantë buxhetore për shkak se funksionojnë si zyrtarë e jo si zyre. Për këtë, Agjencia për Barazi Gjinore ka shprehur edhe shqetësimet e veta, ka thënë kryeshefja e kësaj Agjencie, Edi Gusia. “Agjencia ka shprehë shqetësimin se atyre nuk u ndahen mjete të mjaftueshme financiare për realizmin e planit te tyre të punës. Ne nuk kemi informacion me buxhetin të cilin e disponojnë pasi që ai ndahet me kërkesë për aktivitet, dhe jo me linjë të veçantë buxhetore pasi që edhe Ligji për menaxhimin e financave publike nuk lejon të ketë linjë buxhetore për një individ”, ka thënë Gusia për Kallxo.com.

Gusia thotë se zyrtarët për Barazi Gjinore kanë të drejtë të shfrytëzojnë fonde nga organizata ndërkombëtare për të realizuar planet dhe aktivitet e tyre.

Ganimete Aliu, zyrtare për barazi gjinore në komunën e Obiliqit thotë se një ndarje me kod të veçantë buxhetor do të ishte e mirëseardhur. “Gjithsesi që zyra ime duhet të ketë kod ose nënkod buxhetor, mirëpo kjo ende nuk ka ndodhë në komunën time” thotë Aliu. Ajo shton se për aktivitete më të mëdha siç janë fuqizimi ekonomik i grave apo ndërmarrjet sociale nevojitet një buxhet më i madh dhe kjo duhet të planifikohet.

Premtime Preniqi, Koordinatore e Njësisë për Drejta e Njeriut dhe Barazi Gjinore në komunën e Prishtinës, nuk ka treguar për buxhetin që shpenzon në fushën për barazi gjinore veçse ka thënë se nuk posedojnë linjë të veçantë buxhetore. “Nuk ka kod buxhetor. Aktivitetet realizohen në mbështetje të kabinetit të kryetarit dhe organizatave”, ka thënë Preniqi.

Të njëjtën përgjigje, duke treguar se komunat nuk kanë linjë të veçantë buxhetore por duke mos treguar buxhetin që harxhojnë për aktivitetet e tyre kanë dhënë edhe nga komuna e Drenasit, Dragashit, Lipjanit dhe Vitisë.

 

Ky grant është financuar nga projekti ‘Mbështetja e Luksemburgut për shoqërinë civile në Kosovë’, financuar nga Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Qeverisë së Dukatit të Madh të Luksemburgut dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).