ILUSTRIM - FOTO KALLXO: Punëtorët kosovarë

Zvogëlohet papunësia dhe punësimi

Shkalla e papunësisë ka rënë në 26,5% në tremujorin e parë (janar-mars) të vitit 2018 krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar (2017) kur shkalla e papunësisë ishte 30,5%. Në tremujorin e parë të vitit 2018 të papunë kanë qenë 123 mijë, ndërsa në periudhën e njëjtë të vitit 2017 të papunë kanë qenë 152,9 mijë euro. Shprehur në numra, i bie që numri i të papunëve është zvogëluar për 36 mijë persona.

Kjo rënie e papunësisë do të ishte lajm shumë i mirë sikur në proporcion me rënien e papunësisë të rritej shkalla e punësimit. Një gjë e tillë nuk ka ndodh. Të dhënat e Agjencisë së Statistikave thonë se ka rënë edhe punësimi.

Numri i të punësuarve në tremujorin e parë të vitit 2017 ishte 348 mijë persona, apo 28,9% e personave në moshë pune. Në periudhën e njëjtë të vitit 2018 numri i të punësuarve ishte 342 mijë, apo 28,8% e personave në moshë pune. Pra, në vitin 2018 kemi rreth 6 mijë persona më pak të punësuar.

Kjo ulje e papunësisë ka ardh vetëm duke u rritur numri i personave jo-aktivë.

Në tremujorin e parë të vitit 2018 si persona joaktivë kanë qenë 722 mijë e 314 persona, ndërsa në tremujorin e vitit 2017 numri i personave joaktivë ishte 701 mijë e 841 persona. Pra, kemi një rritje të personave jo-aktivë për rreth 22 mijë persona.

Nga popullsia në moshë pune, 60.8 % nuk janë ekonomikisht aktivë, që do të thotë se ata nuk janë të punësuar dhe nuk kanë qenë aktivë në kërkim të punësimit gjatë katër javëve të kaluara dhe/ose nuk janë të gatshëm të fillojnë punë brenda dy javësh”, thuhet në raportin e Agjencisë së Statistikave.

Papunësia në mijëra në TM1 për vitin 2017 dhe 2018

Punësimi i paqëndrueshëm

Në anketën e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për tre muajt e parë të këtij vit thuhet se në kuadër të popullsisë në moshë të punës, shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore është vetëm 39.2 për qind.

Përderisa, shkalla e punësimit në Anketën e Fuqisë Punëtore (AFP), për tre muaj janar-mars është vetëm 28.8 për qind. Në punësim dominojnë meshkujt, kryesisht në sektorët e ndërtimtarisë përderisa punësimi në arsim iu është lënë femrave.

“Punësimi më i lartë është te meshkujt (45.5%), ndërsa punësimi te femrat është 11.8%. Femrat janë të punësuara, kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor, me 51.2% të tyre. Ndërsa, meshkujt janë kryesisht të punësuar në sektorët e tregtisë, ndërtimtarisë dhe të prodhimit, me 42.4%.” thuhet në komunikatë.

Në sektorët që prijnë në punësim sipas ASK-së vazhdojnë të jenë: tregtia me 17.2 për qind; ndërtimtaria me 11.7 për qind; arsimi me 11.5 për qind, si dhe prodhimi me 10.1 për qind. Ndërsa, sektorët e tjerë marrin pjesë me përqindje më të vogël në punësim.

Në raport thuhet se mbi 81 për qind e të punësuarve kanë kontrata të përkohshme.

“Sa u përket të punësuarve me kontrata, del se 18.9% e personave të punësuar kanë kontratë të përhershme në punën e tyre kryesore, ndërkohë që 81.1% kanë kontratë të përkohshme.”

Rezultatet e anketës së ASK-së thonë se shkalla e papunësisë është 26.5 për qind. Femrat më shumë të papuna në këtë tremujorë.

“Papunësia më e theksuar është te femrat me 28.7%, krahasuar me meshkujt, 25.9%. Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15-24 vjeçare me 54.0%”, bënë të ditur komunikata.

Punësimi në mijëra në TM1 për vitin 2017 dhe 2018

Sipas rezultateve të AFP-së, në tremujorin e parë të 2018-së, fuqia joaktive është mjaft e lartë me 60.8 për qind, me fokus të veçantë te femrat me 83.4 për krahasuar me meshkujt 38.6 për qind.

Anketa ka pasur shtrirje në 598 qarqe regjistruese në tërë territorin e vendit, ku janë anketuar

3 531 ekonomi familjare, të përzgjedhura sipas metodës së rastit, nga korniza e Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave 2011. Ekonomitë familjare, të selektuara për anketim, përveç që kanë pasur një anketim, ato kanë pasur edhe tri rianketime sipas periudhës referuese.

Tregu i punës

Gazeta Jeta në Kosovë ka analizuar tutje të dhënat e publikuara nga ASK edhe lidhur me tregun e punës.

Krahasuar me tremujorin e njëjtë të një viti më parë rezulton me një rënie të fuqisë punëtore aktive prej 2.5 pikë të përqindjes. Pjesëmarrja e fuqisë punëtore në tre muajt e parë të 2017-ës ishte 41.7  për qind.

Sa përket punësimit, të dhënat flasin për një trend të njëjtë me një ndryshim në përqindje të papërfillshme. Por dallime vërehen te kontratat e punës të të punësuarve. Në raport me tremujorin e njëjtë të 2017-ës, numri i të punësuar të cilët kanë një kontratë të përkohshme ka shënuar rritje. Ishin 38.9 për qind e të punësuarve që kishin një kontratë të përkohshme përderisa në tre muajt e parë të këtij viti kjo përqindje është 81 për qind që i bie për 42 për qind më e lartë. Përderisa përqindja e të punësuarve që kanë kontratën e përhershme pothuajse është përgjysmuar nga 31.1 për qind sa ishte në tremujorin e parë 2017 në tre muajt e parë të sivjetmë kjo përqindje ishte 18.9 për qind.

Shkalla e papunësisë në tremujorin e partë të sivjetmë shënoi një rënie të lehtë në krahasim me tre muajt e njëjtë të 2017-ës. Në atë periudhë rezultate e anketës flasin për një përqindje prej 30.5 për qind që paraqet një rënie prej 4 për qind.

Fuqia joaktive edhe pse ishte e lartë prej 58.3 për qind në muajt janar-mars  të 2017-ës ajo në tre muajt e parë të sivjetme ishte  60.8 për qind.