Foto-ilustrim

Zubin Potoku nuk e zbaton Ligjin, por rregulloren e Mitrovicës Veriore

Komuna e Zubin Potokut arkëton të hyra në bazë të një vendimi të Mitrovicës së Veriut i cili nuk parasheh të hyra nga tatimi në pronë, duke vepruar në kundërshtim me ligjet e zbatueshme në Kosovë.

“Komuna ende nuk ka një rregullore të brendshme të aprovuar nga Kuvendi Komunal për taksa, tarifa dhe ngarkesa për shërbimet që u ofron qytetarëve të saj. Komuna, ende bën arkëtimin e të hyrave duke u bazuar në një vendim të aprovuar nga Mitrovica Veriore”, thuhet në raportin e auditimit të pasqyrave financiare të Zubin Potokot të vitin 2017.

Vendimi që zbatohet nga kjo komunë nuk aplikon fare taksa.

“Ky vendim nuk parasheh të hyrat nga tatimi në pronë, lejet e ndërtimit, shfrytëzimin e pronave publike apo burime tjera të të hyrave komunale. Prandaj edhe niveli i mbledhjes së të hyrave vetjake është simbolike. Shumat e arkëtuara të taksave administrative nuk deponohen rregullisht në llogari bankare, ndërsa evidencat mbahen në mënyrë manuale”, thuhet në raport.

Auditori ka gjetur se suficiti i lartë i kësaj komune është për shkak të vonesave nga Bordi i Fondit Zhvillimor për aprovimin e projekteve. Kjo komuna ka një planifikimi të hyrave që mund të jetë mbivlerësuar.

Tutje, auditori gjen se komuna vazhdon të mos e zbatoj ligjin për tatimin në pronë dhe ligjin për ndërtimin.

Auditori gjen se Komuna e Zubin Potokut ka bërë planifikimi të dobët buxhetit dhe pa objektiva të qarta, duke pas përformancë të dobët tek investimet kapitale.

“Realizimi i buxhetit nuk ishte në nivelin e pritur. Një pjesë e madhe e shpenzimeve janë bërë në tre mujorin e fundit të vitit (1,114,963€ apo 50% e shpenzimeve). Kjo ka ndodhur për shkak të një planifikimi të dobët dhe të pabazuar në objektiva të qarta”, thuhet në raportin e auditimit të pasqyrave financiare të Zubin Potokot të vitin 2017.

Kjo komunë veriore nuk raporton fare në Ministrinë e Financave lidhur me investimet kapitale. Përveç kësaj janë gjetur edhe shkelje të tjera në ekzekutim të buxhetit, pasi kishte vonesa në fillimin e projekteve që ka ndikuar në suficitin e lartë buxhetor për investime kapitale.

“Menaxhimi jo i mirë i buxhetit ishte si pasojë e vlerësimit të dobët të nevojave dhe mbikëqyrjes së pamjaftueshme. Menaxhmenti nuk posedon analiza të rregullta për ecuritë buxhetore, dhe nuk ka raporte të rregullta për aktivitetet operative. Komuna, gjithashtu nuk ka politika të shkruara dhe procedura për menaxhimin e rreziqeve, në veçanti rrezikut të mashtrimit dhe parregullsive”, thuhet në raportin e Auditorit.

Komuna nuk ka rregullore as për menaxhimin e personelit duke lënë kështu edhe shumë pozita të pa plotësuara. Në mungesë të rregullores, Auditori thotë se disa pozita kyçe nuk janë plotësuar.

“Nga shqyrtimi i dosjeve të personelit, ne kemi identifikuar se dokumentacioni i kërkuar me Udhëzimin Administrativ (UA) ishte i pa kompletuar në të gjitha dosjet e shqyrtuara. Kjo pasqyron një mungesë të specifikave të qarta për stafin e Burimeve Njerëzore (BNj) që ndërlidhen me zbatimin e kërkesave të UA-ve si pjesë e përshkrimit të detyrave të tyre të punës”, thuhet në raportin e Auditimit.

Me tutje auditori evidenton se drejtori i një shkolle mban pozitën si Ushtrues Detyre (UD) qe pesë vite. Për ketë pozite nuk është shpallur asnjëherë konkurs.

Parregullsi janë gjetur edhe tek shpërndarja e subvencioneve, pasi përfituesit e subvencioneve nuk kanë raportuar fare në komunë.

“Në nëntë mostra të shqyrtuara, përfituesit e subvencioneve nuk kishin dërguar tek komuna raporte kthyese për të konfirmuar se subvencioni i dhënë është shpenzuar për qëllimin për të cilin është dedikuar”, thuhet në raportin e auditorit.

Komuna vazhdon të mos evidentoj pasuritë e saj përkundër rekomandimeve të dhëna më parë, pasi deri më tani nuk ka formuar komisionet përkatëse për vlerësimin dhe inventarizimin e pasurisë.

“Kjo çështje ishte trajtuar edhe në auditimin e mëparshëm dhe janë dhënë rekomandimet e duhura, por asnjë veprim nuk është ndërmarrë në këtë drejtim, prandaj si çështje është theksuar në opinionin e auditimit”, thuhet në raport.

Gjatë vitit 2017, sipas Auditorit, komuna e Zubin Potokut nuk kishte raportuar në baza mujore obligimet financiare në ministrin e financave, siç kërkohet me rregullën financiare. Kjo komunë ende nuk ka auditor të brendshëm.

Përmes letër konfirmimit, Komuna e Zubin Potokut është pajtuar me të gjeturat e auditorit dhe nuk ka dhënë ndonjë koment lidhur me përmbajtjen e raportit.

Komuna e Zubin-Potokut nuk e di Sa Pasuri Ka