ZRRE-ja synon të amnistojë KEDS-in për dështimin në uljen e humbjeve

KEDS-i po kërkon nga ZRRE-ja që nga ky vit të rriten humbjet e pranuara, kërkesë e cila mund të ndikojë direkt në rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

Kërkesa është që duke filluar nga viti 2018, humbjet e pranuara (faturuara) të jenë 21.9%, apo 5 pikë të përqindjes më shumë se sa humbjet aktuale të pranuara. Në bazë të buxhetit total të energjetikës, 1 pikë e përqindjes ka një kosto/ndikim prej rreth 2.5 milionë euro.

Nëse propozimi i KEDS-it do të zbatohet nga ZRRE-ja, atëherë do të kishim një ndikim, një rritje të të hyrave të KESCO-së dhe KEDS-it prej të paktën 10 milionë euro. Ky ndryshim do të pasonte me një rritje të tarifave prej 3 deri ne 5 për qind.

ZRRE-ja e ka bërë një propozim që në tri vitet e ardhshme të mos i vendoset fare cak i humbjeve KEDS-it për t’i mundësuar që në fund të periudhës rregulluese, në vitin 2022, të afrohen humbjet reale dhe ato të pranuara nga ZRRE-ja.

Edhe propozimi i ZRRE-së e amniston mossuksesin e KEK-ut dhe të KEDS-it për t’i ulur humbjet në 5 vitet e kaluara.

Nesër në mbledhjen e bordit të ZRRE-së pritet të vendoset për caktimin e caqeve të humbjeve për KEDS-in dhe KOSTT-in.

Dështimi i KEDS-it për t’i ulur humbjet

Historia e vendosjes së caqeve për uljen e humbjeve fillon në vitin 2012. ZRRE-ja përmes vendimit për uljen e humbjeve kishte caktuar caqe të uljes së humbjeve në periudhën 2012-2017. Vendimi i vitit 2012 me numër 399 ka qenë stimulues për KEDS-in për t’i rritur investimet në rrjet, pasi çdo pikë përqindje të uljes së humbjeve përtej cakut është konsideruar si fitim i KEDS-it.

“Lakorja e reduktimit të humbjeve në shpërndarje do të fillojë nga vlera e realizuar në vitin 2011 dhe do të reduktohet për 3% (pikë përqindjeje) në 3 vitet e para dhe për 2.5% (pikë përqindjeje) në 3 vitet pasuese. Faktori i ndarjes së humbjeve do të jetë 0%”, thuhet në vendimin 399 që është marrë nga bordi i ZRRE-së në vitin 2012.

Burimi: ZRRE

Por, as KEK-u në vitin e parë që ka operuar me distribucion dhe as KEDS-i pas vitit 2013 nuk kanë arritur t’i ulin humbjet. KEDS-i në dy vitet e para të menaxhimit nuk kishte arritur as t’i realizonte investimet e lejuara dhe njëkohësisht kjo kishte ndikuar që mos të ulen humbjet sipas caqeve të vendosura. Mirëpo kjo ishte ndryshuar pas vitit 2015, kur janë realizuar edhe investimet si dhe është arritur caku vjetor i uljes së humbjeve.

KEDS-i është ankuar meqë vendosja e caqeve për uljen e humbjeve ishte vendosur para se të merr menaxhimin konsorciumi ‘Calik & Limak’ mbi KEDS. Në ankesën e KEDS-it thuhet se kur e kanë marrë menaxhimin me këtë ndërmarrje caqet e humbjeve kanë qenë për 1.9 pikë të përqindjes më të larta se sa ato të pranuara, pra për kaq pikë të përqindjes KEK-u ka dështuar t’i ulë humbjet.

ZRRE-ja ka kthyer përgjigje në këtë koment, duke thënë se konsorciumi “Calik & Limak” ka qenë i informuar para se të ofertojë për vendimin e ZRRE-së për uljen e humbjeve.

“Caqet e humbjeve kanë qenë të njohura para transaksionit dhe informatat të cilat kanë qenë të bazuara ishin në dispozicion për të gjithë ofertuesit potencial si pjesë e procesit të tyre të vlerësimit. Vlerësimi i rreziqeve që këto caqe nuk do të arrihen nga KEK-u ose pas privatizimit ishte çështje e ofertuesve dhe kostoja e rreziqeve të mbetura do të faktorizohej në çmimet e tyre të ofertës”, thuhet në vendimin e ZRRE-së. “Duke pasur parasysh këtë, ZRRE-ja konsideron se nuk ka asnjë arsyetim për ndonjë kompensim të nënkuptuar ndaj KEDS-it.”

KEDS-i në komentet e tyre ka thënë se gjatë këtyre viteve të operimit ka arritur t’i ulë humbjet teknike për 3.26 pikë të përqindjes, fal investimeve që ka bërë në sistemin e shpërndarjes. Gjithashtu, KEDS ka arritur të reduktojë humbjet komerciale (vjedhjet) për 4.5 pikë përqindjeje.

Por, KEDS-i në komentin e tyre konstaton se mundësia për të bërë reduktime të mëtejshme është kufizuar nga sundimi i dobët i ligjit në Kosovë, duke e bërë zbatimin e vështirë, si dhe niveli i lartë i papunësisë dhe varfërisë që e bëjnë vjedhjen atraktive.

Këto qëndrime të KEDS-it nuk e kanë bindur ZRRE-në.

Në raportin e ekspertëve të ZRRE-së thuhet se KEDS-i ka arritur t’i ulë humbjet për 8.3 pikë të përqindjes, apo një mesatare prej 1.7% brenda një viti. ZRRE-ja nuk ka marrë arsyetime të bazuara pse në periudhën e ardhshme rregullative do të ngadalësohet ulja e humbjeve.

“Nëse asgjë tjetër, do të ishte e pritshme që përfitimet e investimeve të kaluara dhe atyre që janë duke u bërë në sistemin e shpërndarjes si dhe përvoja më e madhe në bashkëpunimin me autoritetet gjyqësore të Kosovës do të lejonte një reduktim më të shpejtë të humbjeve se sa që është arritur më parë. Prandaj, një norme e ngjashme e reduktimit të humbjeve si në PRR1 duhet të shihet si niveli minimal i pritshëm i performancës”, thuhet në përgjigjet e ZRRE-së ndaj komenteve të KEDS-it.

KEDS-i ka propozuar që niveli i humbjeve në vitin 2018 të jetë i barabartë në nivelin e humbjeve që janë në terren, dhe jo niveli u humbjeve që ZRRE-ja i ka pranuar duke u bazuar në vendimin për uljen e humbjeve.

“Rivendosja e cakut, duke marr në konsideratë humbjet aktuale të arritura në vitin 2017, respektivisht duke marr parasysh humbjet aktuale të arrira në vitit 2016 dhe korrigjimin e dallimit ndërmjet vlerave te vlerësuara dhe aty të realizuara për vitin 2017, kurdo që ato janë të qasshme, si dhe caktimi i cakut prej 1% të reduktimit të humbjeve për çdo vjet”, thuhet në komentet e KEDS-it ndaj raportit të ZRRE-së.

Niveli aktual i humbjeve është më i lartë se sa humbjet e faturuara pas dështimit të KEDS-it për t’i ulur humbjet.

KEDS-i ka propozuar se niveli u humbjeve në vitin 2018 të jetë 21.9%. Këto humbje të ulet çdo vit me nga 1 % për secilin vit, deri në vitin 2022. Në fund të periudhës së dytë rregullative, KEDS-i ka propozuar që humbjet të ulen në 17.9%. Humbjet e lejuara për vitin 2017 kanë qenë vetëm 16.9%. Pra humbjet e faturuara tek qytetarët aktualisht është më i ulët se sa humbjet që KEDS-i synon t’i arrijë në fund të periudhës rregullative, në vitin 2022.

Propozimi i KEDS-it per Ulje te Humbjeve. Burimi: ZRRE

Amnistia

Ky propozim i KEDS-it nuk është pranuar nga ekspertët e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë. Edhe propozimi i ZRRE-së është shumë më i favorshëm se sa vendimi i kaluar, por edhe se përformanca e KEDS-it për uljen e humbjeve.

ZRRE-ja në propozimin e tyre ia ka njohur KEDS-it dështimin e tyre për uljen e humbjeve bazuar në një vendim i cili është marrë para se ‘Limak & Calik’ të ofertojë për blerjen e rrjetit të shpërndarjes dhe furnizimit me energji.

ZRRE-ja ka propozuar që periudha e ardhshme rregullative të nisë me nivelin e pranuar të humbjeve në fund të periudhës së parë rregullative, e që është 16.9%. Ky është kundërshtimi i parë që kanë bërë ekspertët e ZRRE-së ndaj KEDS-it, që ka kërkuar që humbjet të nisin nga niveli i humbjeve në fund të vitit 2017, që supozohet që do të jetë prej 22.9%.

ZRRE-ja tutje në propozim ka thënë se tri vitet pasuese, nga viti 2018 deri në vitin 2020, të mos caktohet fare caku i humbjeve.

“Periudha e ‘qëndrimit në vend’ gjatë të cilës nuk është bërë asnjë reduktim i mëtejshëm në humbjet e lejuara nga vlera përfundimtare e cakut të ‘Periudha Rregulluese 1’ (2012-2017) prej 16.9% të shtyhet për një vit deri në fund të tri viteve (2020) në ‘Periudha Rregullative 2’ (2018-2022)”, thuhet në propozimin final të ekspertëve të ZRRE-së për bordin e këtij institucioni.

Propozimi i ZRRE-së është që në dy vitet e fundit të periudhës rregullative, pra në vitet 2021 dhe 2022, të ketë ulje të humbjeve për 3.7 pikë të përqindjes. Përkatësisht, për vitin 2021 është propozuar që caku për uljen e humbjeve të jetë 1.8 pikë të përqindjes, ndërsa në vitin 2022 caku për uljen e humbjeve është propozuar të jetë 1.9 pikë të përqindjes.

“Në mes të viteve 2020 dhe 2022, niveli i lejuar i humbjeve zvogëlohet në vlerën përfundimtare të cakut të ZRRE-së për PRR2 prej 13.2%. Kjo nënkupton dy vjet të reduktimeve vjetore në humbje prej 1.9 pikë përqindjeje, përafërsisht në përputhje me normën e trendit në Periudhën e parë rregulluese (2012-2017)”, thuhet në propozimin e ZRRE-së.

Pra, dallimi në mes të propozimit të KEDS-it dhe ZRRE-së në fund të periudhës së dytë rregulluese (2022) është 4.7 pikë të përqindjes. Kur kjo përkthehet në euro, i bie rreth 10 milionë euro brenda një viti, nëse parametrat tjerë mbesin të pandryshuar.

“ZRRE-ja vë në dukje se nëse KEDS do të ishte në gjendje që thjeshtë të mbajë normën e trendit të reduktimit të humbjeve prej 1.7-1.9 pikë përqindjeje vjetore (përjashtuar realizimin e vitit 2017), mund të pritej të reduktonte humbjet nga niveli i realizuar prej 24 % në vitin 2017 në 13.5% në vitin 2022. Kjo është pothuajse identike me vlerën e cakut të propozuar nga ZRRE-ja prej 13.2% (bazuar në mesataren rajonale të vitit 2012). Kjo do të thotë që KEDS-i do të arrijë humbje të krahasueshme në fund të kësaj periudhe me ato të siguruara në vende tjera në rajon para 10 viteve”, thuhet në raportin e ZRRE-së.

Investimet kapitale të realizuara nga KEDS || Burimi: ZRRE

Propozimi final i ZRRE-së ndryshon prej propozimit fillestar që ishte bërë në korrik të vitit 2017. Në propozimin fillestar, ZRRE-ja kishte propozuar vetëm 2 vite aministi për KEDS-in duke mos i vendosur caqe të humbjeve. Kurse nga viti i tretë, ZRRE-ja kishte propozuar që të vendoseshin caqe të uljes së humbjeve prej 1,2 pikë të përqindjeve në vitet 3 dhe 4, si dhe 1,3 pikë të përqindjes në vitin e fundit.

Në total, brenda gjithë periudhës, ZRRE-ja kishte synuar një ulje të humbjeve prej 3,7 pikë të përqindjes. Kjo ulje e synuar është e njëjtë me propozimin final, por tash është zgjatur në tre vjet amnistia ndaj KEDS-it, duke mos vendosur caqe të humbjeve, por duke e rritur cakun e uljes së humbjeve në dy vitet e fundit të rregullimit.