ZRrE e Pushtuar nga Partitë në Pushtet

Ka më shumë se katër muaj që Kuvendi i Republikës së Kosovës është bllokuar nga partitë opozitare të cilët në forma të ndryshme kanë tentuar të bllokojnë këtë intitucion në shenjë pakënaqësie për Marrëveshjet për Asociacion dhe Demarkacion.

Por edhe përkundër këtij bllokimi dhe përjashtim të opozitës nga punimet e seancës plenare, partitë në pushtet kanë miratuar ligje të ndryshme si dhe kanë emëruar anëtar të bordeve të Ndërmarrjeve Publike.

Së fundi janë emëruar tre anëtar të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Arsim Janova, Qemajl Mustafa dhe Besim Sejfijaj ndërsa dy të tjerë Enver Halimi si kryesues dhe Krenar Bujupi si anëtar janë zgjedhur më herët.

Tre këta kandidat  e fundit që janë zgjedhur nga Kuvendi i Kosovës “ me letra” janë anëtarë të subjekteve politike në pushtet LDK- PDK.

E zgjedhja e anëtarëve të bordeve të Ndërmarrjeve Publike pavarësisht që është kritikuar se po bëhet nga politika dikush këtë cështje nuk po e sheh si të tillë.

“Përderisa bordet emërohen nga shumica parlamentare, atëherë emërimi i tyre nuk mund  të jetë politik,” tha ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Ian Braathu.

Por ndryshe nga ambasadori i Norvegjisë mendojnë anëtarët e Konsorciumit të Organizatave të Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID).

Përmes një reagimi për media KOSID zgjedhjen e tre anëtarëve të ZRrE-së e ka quajtur të papranushme.

“Është i papranueshëm dhe i dënueshëm vendimi i Qeverisë së Kosovës i marrë në mbledhjen e 58 të Qeverisë për të nominuar për anëtar të ZRrE-së, tre anëtarë nga dy partitë politike në koalicion”, thuhet në reagim.

Ata kanë kërkuar që ZRrE-ja të jetë insitucion i pavarur dhe jo partiak që sipas tyre deri dje i kanë shërbyer interesave partiake.

“Andaj, duke parë tendencën e vazhdueshme të Qeverisë për politizuar bordet e rregullatorëve të tregut, kërkojmë nga Kuvendi i Kosovës si themelues i këtyre agjencive që të udhëheq procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të bordeve të agjencive të pavarura dhe të siguroj profesionalizëm, e jo politizim të tyre”, thuhet në reagimin e KOSID-it.

I përzgjedhur i parë për Bordin e ZrrE-së, është Arsim Janova ka qenë anëtar i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës deri në zgjedhjet e fundit të këtij subjekti që u mbajtën më 31 maj 2015.

Janova tha për Gazetën Jeta në Kosovë se që nga zgjedhjet e majit ai nuk është pjesë e strukturave të LDK-së.

“Neni 5, paragrafi 2.2 dhe 3.2 i Ligjit për Rregullatorin e Energjisë flet për detyrat e anëtarit të bordit i cili nuk ka të drejtë të jetë aktiv në politikë. Kështu që unë apsolutisht në asnjë strukturë të Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk jam që nga zgjedhjet e fundit në parti”, tha Janova.

Nuk është hera e parë që Janova është në krye të një Ndërmarrjeje Publike ngaqë në të kaluarën Janova për tri vite e gjysmë ka qenë kryeshef ekzekutiv në Termokos në Prishtinë gjatë periudhës  2011 – 2015.

E derisa po udhëhiqte  Termokosin, gjatë kësaj kohë Janova ishte pjesë e LDK-së.

Ai për Gazetën Jeta në Kosovë ka treguar se gjatë kohës sa ka udhëhequr Termokosin është bërë edhe projekti i Kogjenerimit projekt ky i cili ka pasur për qëllim përmirësimin e Sistemit të Ngrohejs Qendrore të Prishtinës.

Ky projekt ishte mbështetur nga Termokos, Komuna e Prishtinës ndërsa ishte financuar nga Bashkimi Evropian.

E pasi përfundoi detyrën në Termokos, Janova u “rehatua” në Bordin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë së Kosovës.

Deputetë e Kuvendit të Kosovës më 14 dhjetor 2015 kanë miratuar propozimin e Qeverisë së Kosovës që Janova të jetë anëtarë i Bordit të ZRrE-së.

Në vitin 2008 – 2010, Janova ka qenë zëvendësministër i Ministrisë së Drejtësisë e cila udhëhiqej nga ministrja Nekibe Kelmendi.

Po ashtu Janova ka shërbyer për shtatë vite në kuvendin e Komunës së Prishtinës ndërsa pesë vite të tjera ka qenë zëvendëskryeshef i komunës.

Në vitet 2006- 2007 ka qenë anëtar i Bordit Mbikqyrës së Ndërmarrjes Publike të Pallatit të Rinisë 2006- 2007.

Në vitin 1984, Janova ka përfunduar Fakultetin për Administrim Juridik në Universitetin e Prishtinës ndërsa aktualisht është në përfundim të Studimeve Master në po të njëjtën fushë.

Jo vetëm Janova vjen nga LDK-ja në këtë bord. Anëtari tjetër është Besim Sejfijaj i cili ka lindur më 10.05. 1962.

Sejfijaj është inxhinier i Arkiteturës ku e ka përfunduar gjatë vitit 1990 në Universitetin e Prishtinës. Aktualisht është para diplomimit në Studimet Master për Menaxhim të Financave.

Para luftës së Kosovës, Sejfijaj ka punuar në fabrikën “FMM” në Shipad e cila ka qenë degë e fabrikës në Sarajevë. Ndërsa pas luftës është përkujdesur që të hap fabrikën e tij për Ndrërtim dhe Projektim.

Ai ka qenë edhe drejtor i drejtorisë Komunale për Ubranizëm, Planifikim dhe Ndërtim në qeverisjen e parë të pas luftës 2000-2002.

Pas përfundimit të pozitës së tij prej drejtori, Sejfijaj në gusht 2003 bëhet shef i Divizionit në MASHT në Menaxhimin e Objekteve Shkollore, pozitë të cilën e mban edhe sot.

Ai është i përfshirë në politikë, në Lidhjen Demokratike të Kosovë. Për tetë vite nga 2002- 2010 ka qenë kryetar i degës së LDK-së në Deçan.

Po ashtu  ai ka qenë  anëtar i  kryesisë qendrore të LDK-së  në vitin 2006-2010 ndërsa aktualisht është anëtar i kryesisë së degës dhe anëtar i Kuvendit qendror të LDK-së.

E pjesmarrja e tij në politikë, MASHT dhe ZRrE nuk po i pengon Sejfijajt.

“Çdo individ dhe cdo qytetar i Kosovës ka të drejtë të aderoj në çdo parti. Politika për mua nuk ka me qenë pengesë. Partia politike për mua është një vazhdimësi e asaj paralufte që ka qenë, kontributë për këtë popull, agjë më shumë”, tha Sejfijaj.

I rahatuar në këtë bord është edhe Qemajl Mustafa. Ai është zgjedhur të martën po ashtu me votat e deputetëve të pozitës për anëtar të ZRrE-së.

Mustafa vjen nga PDK-ja. Që nga themelimi i  kësaj partie në  vitin 1999 ka qenë përkrahës i këtij subjekti politik.

I pyetur nëse ndikon politika në punën e tij pasi që ai është në PDK dhe njëkohësisht anëtar i Bordit të ZrrE-së, Mustafa për Gazetën Jeta në Kosovë ka mohuar këtë gjë.

“Krejt varet prej personalitetit tënd. Unë nuk rri në asnjë mënyrë nëse e shoh që nuk e zotëroj detyrën 100 dhe dhe nuk jam kompetent dhe plotësisht i pavarur”, tha Mustafa.

Ai ka qenë kryetar i Komunës së Gjilanit që nga viti 2007 deri  më 2013 ku timonin e kësaj komune e morri Lutfi Haziri.

Qemajl Mustafa ka lindur më 8 Prill 1960 në Malishevë, Komuna Gjilani.  Shkollën fillore e kreu ne vendlindje, ndërsa te mesmen në Gjilan. Ka të kryer Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës ne vitin 1984 me notë mesatare 9.95.