Zhugolli Humb Gjyqin Ndaj Gazetares Arbana Xharra

Bejtush Zhugolli, pronar i kompanisë “Pejton”, përmes padisë së bërë pretendonte se gazetarja Arbana Xharra i kishte shkaktuar dëme materiale deri në 700 mijë euro, me shkrimin me titullin “Baballarët e tenderëve në Kosovë”, të botuar më 2 shkurt të vitit të vitit të kaluar, në gazetën “Zëri”.

Zhugolli pretendonte se kompania e tij nuk kishte fituar tender publik nga financimi i fushatës zgjedhore të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ashtu siç thuhej në shkrim.

Gazetarja Arbana Xharra ka thënë se nuk e ka pasur aspak problem të dëshmojë në gjykatë me fakte për shkrimin që e ka realizuar, duke theksuar se të gjitha faktet janë edhe online për lexuesit.

“Padia, pas hulumtimit qe kam publikuar vitin e kaluar, qysh në fillim me ka bindur se është forme tjetër e kërcënimit, i cili dallon nga ai klasik, me të cilin tashmë jemi mësuar. Paditë dhe kërkesat për kompensim me shuma marramendëse, vlerësoj se janë formë tjetër e shantazhit për të mos u marrë me tema te tilla”, tha gazetarja Xharra.

I kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë, biznesmeni Bejtush Zhugolli është shprehur shumë “i shqetësuar” me vendimin që është bërë publik, të hënën, nga Gjykata Ekonomike në Prishtinë.
 
“Për mua vendimi i sotëm është shumë shqetësues. Ky është një vendim shumë i padrejtë, sepse një numër i gazetarëve; nuk them të gjithë; janë të shantazhuar dhe të korruptuar, e po ashtu edhe gjykatat. Argumentet që unë i kam ofruar kanë treguar qartë që firma ‘Pejton’ nuk ka të bëjë fare me atë që pretendon shkrimi. Për mua është shumë shqetësues vendimi gjykatës”, tha Zhugolli.
 
Në arsyetimin e Gjykatës Ekonomike të Qarkut në Prishtinë , për refuzim të padisë së parashtruar nga biznesmeni Zhugolli, më 11 qershor të vitit 2012, thuhet se shkrimi i të paditurës është i bazuar në dokumente zyrtare, respektivisht në raportin e auditorit, të raporteve të deklarimit financiar të fushatës së subjekteve politike në zgjedhjet lokale të vitit 2009, nga i cili rezulton se paditësi ka financuar fushatën elektorale të PDK-së – dega në Podujevë, 2 herë nga 900 euro, me datën 13 nëntor 2009 dhe 11 dhjetor 2009.

Në arsyetim, po ashtu thuhet se organizata joqeveritare “Nisma e të rinjve për të drejtat e njeriut”, në raportin e vet të datës 24 maj 2010, ka raportuar se vëllezërit Zhugolli kanë fituar tender në Korporatën Energjetike të Kosovës në vlerë prej 75 milionë eurosh.

Gjykata ka vlerësuar se pala e paditur vetëm i ka cituar burimet e informacioneve, e jo mendimin e vet, andaj, rezulton se në artikullin e botuar është precizuar burimi i informacionit dhe se gazetarja i është përmbajtur Kodit të Etikës së mediave të shkruara në Kosovë.

Përfundimisht në arsyetim thuhet se paditësi nuk i ka dhënë gjykatës arsye të mjaftueshme se publikimi i emrit të paditësit në gazetën ditore “Zëri”, a ndikoi, e nëse po, sa ndikoi në uljen e prestigjit të tij si dhe në cenimin e reputacionit.
 
Gjykata vërtetoi se kërkesëpadia nga paditësi është e pa bazuar, dhe se nga provat e administruara të paraqitura nga paditësi nuk mundë të vërtetohet bazueshmëria e kërkesëpadisë.