Zbutja e Çelikut

Pjesëmarrja e tij në luftën e Kosovës ku si njëzet e gjashtë vjeçar udhëhiqte  një brigadë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ende nuk konsiderohet e pastër, pas dyshimeve se ka kryer krime lufte.

“Lufta jonë çlirimtare ka qenë e drejtë dhe e pastër”, kishte deklaruar Limaj më 2 maj të vitit të kaluar, kur një trup gjykues i përbërë nga gjykatës vendorë dhe ndërkombëtarë, e shpalli të pafajshëm për krime luftë në Kleçkë.

Në Kleçkë, fshat në komunën e Lipjanit, më 1999, ai komandonte një brigadë ushtarësh të identifikuar si Brigada 121. 

Në cilësinë e komandantit, ai dyshohet të ketë urdhëruar Agim Zogajn, dëshmitarin kryesor në këtë rast të njohur si X, të vriste dy oficerë policorë serbë që mbaheshin në burg në Kleçkë dhe një serb tjetër që u vra me kosë. 

Katërmbëdhjetë vjet më pas, Limaj, tash 42 vjeçar, pritet që të martën të ngrihet në këmbë para gjyqit, kur trupi gjykues do ta kumtojë verdiktin ndaj tij dhe nëntë ish-luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që akuzohen për krime të luftës ndaj serbëve dhe shqiptarëve, në një qendër burgimi në fshatin Kleçkë më 1999.

Rasti Kleçka është një nga katër rastet gjyqësore, në të cilin Limaj është përfshirë që nga viti 2003, kur u gjykua nga Tribunali i Hagës po për krime lufte. Dy rastet tjera ku dyshohet për korrupsion janë ende në fazën fillestare.

Telashet me drejtësinë kanë bërë që Limaj që nga shtatorit i 2011-ës më shumë ka qenë i arrestuar, sesa i lirë. Ai ka kaluar 286 ditë në arrest shtëpiak, 104 ditë në paraburgim, 25 ditë me masën e paraqitjes në polici dhe 248 ditë ishte i lirë.  

Adhuruesi i autobiografive të liderëve botërorë, ka vendosur që përvojat e tij jetësore pas luftës, përballjen me drejtësinë dhe aktivitetin e tij politik, t’ia bëjë të ditura publikut, përmes një libri prej rreth një mijë e dyqind faqesh.

“Libri ngërthen në vete të gjitha ngjarjet personale që ndodhën pas luftës”, tha Limaj për Gazetën Jeta në Kosovë. 

Përveç rastit Klecka, ndaj tij janë të hapura edhe dy procese tjera gjyqësore që dyshohet të kenë ndodhur gjatë karrierës së tij politike. Ai akuzohet në dy raste të ndara për keqpërdorim të parasë publike gjatë kohës që ishte ministër transporti në qeverinë Thaçi I, më 2008 deri më 2011. 

“Isha themelues i grupit të tifozëve “Plisat”

I lindur në Banjë të Malishevës, ai është zhvendosur në Prishtinë me familjen e tij më 1979.

Kur më 1987 u themelua grupi i tifozëve të futbollit “Plisat” në kryeqytet, Limaj thotë se ishte një prej themeluesve. Pjesëmarrjen në këtë grup e shihte si revoltë ndaj regjimit të atëhershëm serb. 

“Ishte koha kur shqiptarët që bartnin plisa, jo rrallë rraheshin e malltretoheshin nëpër rrugë nga forcat policore serbe”, tregon ai.  

Ai bënte tifo për Prishtinën atëherë, ndërsa sot është një tifoz i Barcelonës, gjigantit katalan të futbollit. 

Në Prishtinë kreu studimet në drejtimin e juridikut, ku u takua me Rexhep Selimin, deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, nëpërmjet të cilit më 1996 do të futej në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. 

Në ushtri mori nofkën Çeliku, por jo për shkak të ashpërsisë që tregoi gjatë luftës, tregon Limaj. 

Nofka i mbeti për shkak se gjatë komunikimit me radiolidhje rastësisht ushtarët vendosnin ta thërrisnin me nofkën “Çeliku”.

Vendosi ta mbante këtë nofkë, kur ushtarët e tij i treguan se në gjuhën turke çelikut i thonë Demir, që është emri i vëllait të tij që atëkohë qëndronte në burg. 

Thotë se ishte plagosur në luftë në mars të vitit 1998 në Likoc të Skënderajt. Tregon se kjo plagë ende i’a kujton luftën pasi në krahun e dorës së mbajt mban ende plumbin që nuk mundi ta hiqte nga trupi.

Zëri i tij duke motivuar ushtarët, është dëgjuar shpesh në dokumentarët televizivë që tregojnë për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. 

“Unë nuk do të lejoj asnjë ushtar, e asnjë epror të dalë jashtë rregullit dhe disiplinës së UÇK-së”, pati deklaruar Limaj më 21 maj 1999 në fshatin Elshan të Kukësit.

Limaj vs. Thaçi

Limaj nisi karrierën politike në vend që e bëri atë një nga njerëzit më me ndikim në Kosovë, me përfundimin e luftës dhe demilitarizimin e ushtrisë më 1999. 

Ish-guerilët krijuan Qeverinë e Përkoshme të Kosovës, të udhëhequr nga kryeministri aktual Hashim Thaçi. Limaj ishte caktuar në pozitën e zëvendësministrit të Mbrojtjes.

“Ne do të dëshmojmë se jemi të gatshëm për të luftuar jo vetëm në vijën e frontit, por edhe në fushën e politikës”, pati thënë Limaj më 2 korrik të vitit 1999, para mijëra qytetarëve që ishin mbledhur në qendër të Prishtinës.

Por në fushën e politikës ai ka përjetuar dy dështime kur kandidoi dy herë për postin e kryetarit të Prishtinës, pa arritur të fitojë, më 2003 e 2007. 

PDK-ja tradicionalisht është mposhtur në zgjedhjet lokale nga Lidhja Demokratike që e llogarit Prishtinës për bastion të saj. 

Fuqinë e tij të votave Limaj do ta tregonte në zgjedhjet e përgjitshme më 2007. Ai ishte i dyti më i votuar pas liderit të partisë Hashim Thaçit. 

Në deklaratën e 2 korrikut me “ne” ai i referohej edhe mikut të tij kryeministrit Hashim Thaçi, që më 2007 e bëri pjesë të qeverisë, duke e emëruar ministër të Transportit dhe Telekominikacionit.

Pasi përjetuan disa vjet pushtet, marrëdhëniet e tyre u acaruan dukshëm dhe Limaj filloi publikisht të akuzonte qeverinë e ish-eprorit të tij politik, për përbërje të kabinetit.

Limaj do të kritikonte Thaçin për keqqeverisje, në një tubim të partisë në Prizren.  

“…kemi ministra kullera që më shumë rrinë jashtë Kosovës, sesa në Kosovë”, deklaronte Limaj në maj të vitit 2013. 

Në marrëdhëniet e tyre ndikim ka pasur edhe dërgimi i çështjes së imunitetit të deputetëve për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese nga vetë Thaçi në korrik 2011.

Kushtetuta e vendit dhe ligji për deputetë parashihte imunitet për deputetët e parlamentit, andaj misioni europian EULEX nuk guxonte të arrestonte Limajn për shkak të paqartësisë ligjore. 

Dikush duhej të kërkonte interpretim të bazës ligjore pranë kushtetueses dhe Thaçi mori përsipër të kryente këtë obligim që siç ishte raportuar kërkohej me presion nga bashkësia ndërkombëtare në Kosovë, pasi që kryepalamentari Jakup Krasniqi refuzoi të nxirrte rezolutë që sqaronte çështjen e imunitetit të parlamentarëve.

Interpretimi i Kushtetueses se deputetët nuk kanë imunitet kur dyshohen për vepra penale, i hapi rrugës EULEX-it që ta arrestonte atë për herë të parë në shtator të vitit 2011.

Por duket se Limaj ka vendosur që pjesë të procesit gjyqësor kundër tij në rastin e korrupsionit, ta bëjë edhe bashkëpartiakun e tij Hashim Thaçin, duke e propozuar për dëshmitar më 17 maj 2013. 

Megjithë deklarimet e shpeshta të Thaçit se në rastin për korrupsion ndaj Limajt “duhet pritur derisa drejtësia ta thotë fjalën e vet”, në praktikë raportet mes tyre ishin zbehur. 

Nuk shiheshin më bashkë në publik dhe Limaj nuk do të merrte pjesë as në Konventën e Gjashtë të Partisë Demokratike të Kosovës në janar 2013, ku Thaçi do të rikonfirmohej për kryetar. 

Limaj mbeti jashtë strukturave drejtuese të PDK-së, në pushtet ashtu siç mbeti kryeparlamentari Krasniqi, më të cilin Limaj është i afërt. Të dy konsiderohen si fraksion i PDK-së. 

Krasniqi deri më tani disa herë ka paralajmëruar krijimin e një partie të re, ku pritej që Limaj të ishte pjesë e udhëheqjes, por kjo ide ende nuk është realizuar. 

Krimet e luftës

Paralelisht me jetën politike, Limaj u përball me tri procese gjyqësore. Një i katërt pritet të ndodhë, nëse ngritet aktakuza e dytë për korrupsion, e paralajmëruar nga EULEX-i. 

Më 2003 autoritetet ndërkombëtare të drejtësisë do të gjurmonin për të kaluarën e ish-guerilit Fatmir Limaj. 

Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, ngarkoi Limajn, Isak Musliun dhe Haradin Balajn me akuzat për krime lufte ndaj popullatës civile dhe shqiptarëve që dyshohet se kanë bashkëpunuar me regjimin serb gjatë luftës.

Vendimi për lirimin nga të gjitha akuzat në nëntor të 2005-ës, dukshëm emocionoi Limajn, i cili me të dëgjuar verdiktin, u ul në karrige me sy të mbushur me lotë.

Më 2007 u shpall i pafajshëm në një proces të rigjykuar nga Tribunali i Hagës që e ndiqte për krime lufte të kryera në Llapushnik të Drenasit. Ai doli sërish i pafajshëm për t’iu rikthyer politikës. 

Limajt iu mbushën sytë sërish me lotë më 18 maj 2013, derisa po kundërshtonte aktakuzën për korrupsion, ku tha se nuk kërkon asgjë më shumë “sesa një gjykim të drejtë e të shpejtë”. 

Ndërkohë në rastin “Kleçka” Limaj fillimisht ishte liruar nga aktakuza në maj të 2012-ës,  por prokuroria ia kishte dalë me sukses ta dërgonte rastin në rigjykim.

Deputeti i PDK-së dhe dhjetë të dyshuar të tjerë, u gjykuan nën akuzat se kanë abuzuar me civilë serbë, shqiptarë dhe të burgosur serbë të luftës, në qendrën e paraburgimit në Kleçkë, gjatë viteve 1998-99 në Kosovë.

Civilë shqiptarë të dyshuar për bashkëpunim me regjimin serb, civilë serbë, policë serbë dhe personel ushtarak të arrestuar, dyshohet se janë mbajtur në Kleçkë, e cila sipas aktakuzës gjithashtu ka shërbyer si qendër paraburgimi për ushtarët e hetuar të UÇK-së, ose të dënuarit për vepra disiplinore.

Rasti Kleçka filloi më 20 nëntor të 2009-ës, kur Agim Zogaj shkoi në policinë e EULEX-it, për të dëshmuar për krimet e kryera në Kleçkë gjatë luftës. Zogaj dëshminë e tij e vazhdoi edhe më 30 nëntor, në polici. 

Prokurori special Maurizio Salustro, më 5 tetor, në zyrat e tij, e dëgjoi Zogajn në cilësinë e dëshmitarit. Nga kjo kohë prokuroria filloi procedurat që dëshmitari Zogaj të shpallet dëshmitar bashkëpunues në rastin Kleçka.

Ishin pikërisht dëshmitë dhe ditarët e dëshmitarit bashkëpunues Agim Zogaj, që çuan në ngritjen e aktakuzës. Zogaj kishte dhënë deklarata të njëpasnjëshme për prokurorin dhe policinë e EULEX-it.

Rrëfimi i Agim Zogajt në prokurori, fillon me përshkrimin e vrasjes së Nebojsha Djuriqiqit dhe Veljko Markoviqit, dy oficerëve policorë serbë, të cilët u mbajtën në burg në Kleçkë për një periudhë të gjatë kohe dhe të cilët i ekzekutoi vetë me urdhër të, siç thotë, Fatmir Limajt, rreth datës 4 ose 5 prill 1999.

Dëshmitari i tregoi EULEX’it për vendin e ekzekutimit – varrimit të dy trupave, të cilët më pastaj u gjetën pikërisht në vendin e përshkruar nga ai. Identitetet e tyre u vërtetuan nga një analizë e ADN’së, që u përputh me përshkrimin e dëshmitarit Zogaj. Autopsia e kryer, tregon shkakun e vdekjes së këtyre dy viktimave (plagë nga të shtëna të shumëfishta me armë), gjithnjë në përputhje me tregimin e Zogajt.

Zogaj tregoi se si e kishte kryer vrasjen edhe të një serbi me një kosë, për çka tregoi dy vendndodhje të mundshme të ekzekutimit dhe varrimit të tij. Në vijim, një zhvarrosje çoi në zbulimin e një varri masiv që përmbante pesë trupa. Në të njëjtin varr, u gjend po ashtu një teh prerës. Autopsia e dy mbetjeve njerëzore, tregoi si shkak të vdekjes “prerje në qafë nga një instrument i mprehtë”.

Dëshmia në fjalë kundërshtohet ashpër nga pala mbrojtëse e Limajt, e cila shpeshherë shfaqi dyshime për ndikimin e politikës në këtë rast.

“Fatmir Limaj është bërë kalë që po rrihet me kamxhik nga EULEX-i varësisht zhvillimeve dhe nevojave politike”, pati thenë avokati mbrojtës i Limajt, Karim Khan, në prill të këtij viti në një seancë gjyqësore të rastit Kleçka. 

Krimet financiare

Limaj dyshohet se edhe në politikë nuk ka kryer detyrën e tij në përputhje me ligjin.

Thaçi emëroi Limajn ministër të Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit në fund të 2007-ës. 

Më 2011 ai u dorëhoq nga posti i Ministrisë së Transportit dhe Telekomunikacionit, kur kryeministri e mendonte rikrijimin e Qeverisë Thaçi II dhe ish-ambasadori amerikan Christopher Dell i sugjeronte një qeveri me duar të pastra. 

Një aksion i EULEX-it në fund të vitit 2010 do të zbehte imazhin e një ministri punëtor që Limaj kishte ndërtuar duke inauguruar asfaltime rrugësh nëpër Kosovë. 

Mbi të rëndon akuza se udhëhoqi një grup kriminal në Ministrinë e Transporteve që iu merrte ryshfet kompanive private, në këmbim të dhënies së tenderëve.

Aktakuza e prokurorit special Johannes Pickert kundër Grupit Limaj, në rastin e ish-Ministrisë së Transportit dhe Post-Telekomunikacionit, e bën ish-ministrin përgjegjës për takime personale me operatorë ekonomikë, derisa tenderët ishin në vazhdim dhe për marrje ryshfeti. 

“Shefi” Limaj, sipas aktakuzës, udhëhoqi një grup kriminal që duke e përdorur me qëllim fragjilitetin e administratës dhe limbon e paspavarësisë, veproi që të merrte përfitime personale duke mbushur xhepat me shuma të konsiderueshme ryshfetesh”.

Për Limajn është paralajmëruar edhe një rasti i ri hetimi që ka të bëjë me dyshimet për korrupsion po në Ministrinë e Transportit.

Më 20 mars Gazeta Jeta në Kosovë raportoi se Ish-ministri i Transportit, Fatmir Limaj, ishte parë në mëngjes duke hyrë në Prokurorinë Speciale të Kosovës. 

Ai është intervistuar për hetime të reja për korrupsion dhe EULEX-i konfirmoi se Fatmir Limaj është duke u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit në rastin e dytë në lidhje me Mnistrinë e Transportit dhe Post-Telekomunikacionit. Avokati mbrojtës i Limajt, Tahir Rrecaj, kishte mohuar se ka hetim të ri kundër klientit të tij.