YIHR-ja Kërkon Transparencë për Zgjedhjen e Avokatit të Popullit

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR) nuk është e kënaqur në lidhje me zhvillimet rreth përzgjedhjes së avokatit të popullit.

Në një komunikatë të lëshuar të mërkurën YIHR-ja për Kosovë, ka bërë të ditur se i ka kërkuar Kuvendit bërjen publike të CV-ve të kandidatëve për postin e institucionit më të rëndësishëm të të drejtave të njeriut në vend.

Suzan Novobërdali, deputetja e Koalicionit Kosova e Re dhe anëtarja e Panelit intervistues të kandidatëve për pozitën e avokatit të popullit mohoi se do t’i publikojnë biografitë e konkurrentëve për postin e ombudspersonit.

“Neve nuk na obligon asgjë që t’i publikojmë biografitë e kandidatëve në vebfaqe”, tha Novobërdali për Gazetën Jeta në Kosovë.

Me qëllim që të dijë se kush dhe me çfarë shkollimi ka konkurruar për vendin që aktualisht mban Sami Kurteshi, YIHR-i, sipas komunikatës ka kërkuar qasje në dokumentet publike, në bazë të ligjit për dokumente të tilla, në emër të transparencës dhe interesit publik.

Kuvendi ka refuzuar qasjen e organizatës në dokumentet publike që kanë të bëjnë me konkurrentët për avokat të popullit, me arsyetimin se si institucion ka për obligim të mbrojë të dhënat personale të kandidatëve për këtë pozitë.

Suzan Novobërdali i tha Gazetës Jeta në Kosovë të mërkurën se Kuvendi do t’ia japë organizatës atë që ka kërkuar, pa qasje të saj në dokumentet publike.

Ne do ta bëjmë një listë të gjithë kandidatëve me emër dhe mbiemër, datë të lindjes, sepse ata kanë kërkuar vetëm përgatitjen, domethënëë arsimimin dhe sa vjet përvojë pune”, tha Novobërdali.
Kjo listë sipas saj do të jetë gati deri të hënën e ardhshme.

Mandati i avokatit aktual të popullit skadon në qershor të 2014-ës, ndërsa për pozitën e tij, sipas panelit intervistues kanë konkurruar 26 kandidatë, njëri nga të cilët është diskualifikuar për dokumentacion të paplotësuar.

Konkursi është hapur në janar, ndërsa intervistimet sipas Novobërdaliut pritet të nisin të martën që vjen.

Pas refuzimit të qasjes në dokumente publike, YIHR-i e ka “rifreskuar” kërkesën, duke kërkuar nga Kuvendi që të respektojë të dy ligjet, atë për qasje në dokumente publike dhe atë për mbrojtjen e të dhënave personale.

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR), i ka sugjeruar Kuvendit që të kërkojë një balancim mes “të drejtës së YIHR KS për të pasur qasje në informata (liria e shprehjes) dhe të drejtës së kandidatëve për mbrojtjen e të dhënave të tyre personale”.

Organizata, balancimin e ka bazuar në një kërkesë të BIRN-it për qasje në dokumentet publike.

“Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (Agjencia), ka dhënë një opinion më 27 prill 2013 në përgjigje të kërkesës së BIRN-it, lidhur me të dhënat për edukimin dhe përvojën e punës së kandidatëve të cilët kishin aplikuar për pozitën e drejtorit të Teatrit Kombëtar”, thuhet në komunikatën YIHR-së.

Neni 1 i Ligjit për Qasje në Dokumentet Publike, garanton të drejtën e secilit person juridike  fizik pa diskriminim, për të pasur qasje pas kërkesës, në dokumentet e hartuara, mbajtura, ose  pranuara nga institucionet publike.

Sipas nenit 1, pikës 16, shkollimi i individit nuk hyn në kuadër të të dhënave personale të ndjeshme që duhet të mbrohen në mënyrë më rigoroze. Te këto të dhëna hyjnë përkatësia etnike e religjioze, orientimi seksual dhe të dhëna tjera.