Ilustrim. Foto: Colin/Wikimedia Commons

Xhihadistët nga Ballkani ‘të Lirë’ në Internet

“Ajo që e gëzon më shumë Zotin është kur skllavi i tij, pa mbrojtje, hyn mes jobesimtarëve dhe bërtet derisa ai vritet. Vrisni dhe vrituni- kështu përfundojnë ata për të cilët duhet të jemi krenarë,” thotë imami Bilal Bosniç në një nga videot e tij të shumta në të postuara në YouTube përmes kanaleve të ndryshme. Vetëm videoja në fjalë ka 21 000 shikime.

Bosniç është dënuar nga gjykata e Sarajevës qershorin e kaluar me shtatë vjet burg për nxitje dhe rekrutim të luftëtarëve të huaj që të shkojnë në luftë në Lindjen e Mesme.

Para arrestimit të tij, Bosniç konsiderohej një rekrutues kyç dhe predikues ekstremizmi të dhunshëm në Ballkan.

Ai i Bosniç nuk është një rast i izoluar – videot e grupeve ekstremiste në Ballkan tërheqin miliona shikues.

Për shembull, “Shpata e Mëshiruesit”, ndër aktet e tjera xhihadiste, paraqet një video mesazh nga lideri i Al-Kaedës Ayman al-Zawahiri, të titulluar “15 vjet që nga sulmet e bekuara të 11 shtatorit”, me titra në shqip.

Por ekstremizmi radikal e gjeti vendin e tij jo vetëm në YouTube, por gjithashtu edhe në Facebook dhe Twitter. Faqja e Facebook-ut Minarja e Bardhë, e cila ka 3,424 pëlqime, nuk përmbahet për të shprehur mirëkuptim për mbështetësit e organizatave terroriste dhe angazhohet hapur në propagandën islamike, e cila i referohet drejtpërdrejtë Al-Kaedës dhe organizatave dhe klerikëve që kanë lidhje me të.

Kjo faqe nuk është e vetmja. Një sërë faqesh Facebook-u në të gjithë Ballkanin Perëndimor, të cilat BIRN i ka parë, angazhohen gjithashtu në propagandë për grupet islamike ekstremiste si Al-Kaeda, Jabhat Fateh al-Sham, më parë i njohur si Froni i al-Nusras, talibanët dhe grupe të tjera.

Që prej vitit 2014, rreth 200 persona janë nxjerrë në gjyq në vendet e Ballkanit Perëndimor, të dyshuar ose se ishin pjesë e grupeve të dhunshme terroriste që luftonin në Lindjen e Mesme ose se rekrutonin grupe që të shkonin dhe të luftonin atje.

Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia, Kosova dhe Serbia të gjitha përpiqen të trajtojnë numrin në rritje të xhihadistëve aktualë ose të ardhshëm.

Ndërsa fokusi është përqendruar tek ata që janë në burg, autoritetet kanë lënë të pa monitoruar internetin në të gjithë botën, që është gjithashtu vendi ku xhihadistët modernë janë gjithashtu shumë aktivë.

Edhe ata që janë në burg shpesh kanë qenë aktivë në internet, si në rastin me Bosniç, por gjithashtu me imamin maqedonas të burgosur Rexhep Memishi, faqja e të cilit në Facebook përditësohet në mënyrë të rregullt.

Hulumtimi i BIRN tregon se ndërsa shumica e vendeve në Ballkanin Perëndimor kanë strategji anti-terrorizëm, ata dështojnë në vënien në zbatim të tyre kur vjen puna te luftimi i ekstremizmit në internet.

Kontrolli efikas i hapësirës kibernetike është ende tepër i komplikuar për policinë me mungesë pajisjesh dhe prokurorët në Ballkan.

Ekspertët paralajmërojnë gjithashtu se po investohet shumë pak mund edhe për parandalimin e radikalizmit islamik, ndërsa për shumë njerëz, kufiri midis lirisë së fjalës dhe sjelljes së dhunshme në internet mbetet e paqartë.

Në disa vende, faqet e internetit që kanë përmbajtje të dhunshme janë regjistruar jashtë shtetit. Edhe kjo limiton shtrirjen e punës së autoriteteve.

Luftëtarë të huaj në Siri & Irak

TOTALI 915

Shqipëria 120

Bosnja dhe Hercegovina 220

Kosova 300

Maqedonia 210

Mali i Zi 15

Serbia 5

TË RIKTHYER

Shqipëria 50

Bosnja dhe Hercegovina 50

Kosova 150

Maqedonia 70

Serbia 10

Ekstremizmi lulëzon në internet

Ndërsa shumica e botës u trondit nga lajmet e tmerrshme të sulmeve islamike në Paris, Francë, në nëntor 2015, jo për të gjithë ishte kështu.

Një faqe interneti islamike në gjuhën boshnjake, Vjesti Ummeta, në një postim i quajti vrasjet masive “lajme të gëzuara për të gjithë myslimanët e vërtetë”.

Kjo faqe interneti ka qenë një dhimbje koke për autoritetet boshnjake gjatë dy viteve të fundit, ndërsa vazhdon të shpërndajë dhe përfaqë video dhe revista propaganduese të ISIS dhe lavdëron vrasjet masive që bëhen në emër të Kalifatit Islamik.

Autoritetet e kanë mbyllur disa herë, por faqja e internetit thjesht rishfaqet me emra të ndryshëm.

As faqet e internetit s’janë një rast i izoluar. Shumica e faqeve të ndryshme të internetit kanë serverë jashtë Bosnjës. Ato shpesh janë të regjistruara në Arabinë Saudite, që autoritetet e Bosnjës thonë se i tejkalon mundësitë e tyre për t’i mbyllur.

Analisti dhe eksperti teologjik nga Sarajeva Muhamed Jusiç thotë se autoritetet po përpiqen shumë të gjejnë një gjuhë të përbashkët me ofruesit e internetit që kanë disa kritere të caktuara për lirinë e fjalës.

Luftëtarët e huaj në Siri dhe Irak

“Problemi tjetër është se këto profile dhe faqe interneti regjistrohen lehtësisht. Është si një lojë e maces me miun – ti mbyll një, ata hapin dy,” tha Jusiç për BIRN.

Përveç boshnjakëve, shqiptarët janë grupi më i madh i luftëtarëve dhe rekrutëve në Lindjen e Mesme nga Ballkani.

Shqiptarët janë të shpërndarë në tre vende të Ballkanit,  Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, kështu që shpesh është e vështirë të zbulosh se që nga vjen saktësisht propaganda islamike shqiptare.

Skender Perteshi, një studiues nga Kosova në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë, tha se media digjitale dhe sociale janë armët kryesore të propagandës për terroristët.

“ISIS, organizata më e madhe terroriste deri më sot, ka një prani shumë të madhe në mediat sociale, përfshirë Facebook, Twitter dhe aplikacione të tjera,” theksoi Perteshi.

Ai thotë se mediat sociale kanë qenë të dobishme në suksesin e organizatave në rekrutimin e rreth 25,000 luftëtarëve të huaj nga e gjithë bota; luftimi i propagandës së tyre të dhunshme në kanale të tilla është i vështirë.

Njësoj si në rastin e homologëve boshnjakë, faqja “zyrtare” e ISIS në gjuhën shqipe, hilafeti.ëordpress.com, zhduket vazhdimisht dhe rishfaqet pasi ka qenë e padisponueshme për disa muaj.

Faqja e internetit është aktivizuar dhe çaktivizuar në mënyrë të përsëritur gjatë dy viteve të fundit. Në dhjetor, ajo u rishfaq pasi ndenji e çaktivizuar për më pak se 48 orë.

Filip Stojkovski, studiues i sigurisë në organizatën Analytica në Shkup, Maqedoni, një nga autorët e hulumtimit të titulluar “Vlerësimi i përpjekjeve të Maqedonisë në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm, parë nga shoqëria civile”, i kryer nga Analytica, botuar vitin e kaluar, thotë se shumica e njerëzve që i bashkohen lëvizjeve radikale islamike janë të rinj që vazhdojnë të rekrutohen në internet.

TË KTHYERIT

“Ka ende shumë faqe aktive në internet, profile në rrjetet sociale si Facebook, të cilat po përhapin këto ide,” tha ai.

Një profil i tollë i përket imamit Rexhep Memishi, i cili aktualisht po kryen dënimin me burg për terrorizëm në Maqedoni.

Ai u shpall fajtor në vitin 2016pasi u kap në vitin 2015 në një operacion të koduar “Celula” dhe u dënua me shtatë vjet burg vitin e kaluar për rekrutimin e luftëtarëve për frontet e Lindjes së Mesme.

“Edhe pse është në burg, profili i tij është ende shumë aktiv, gjë që me shumë gjasa nënkupton se dikush tjetër po e mban atë, duke përditësuar postimet me fjalimet e tij dhe përmbajtje të tjera,” tha Stojkovski.

Profile të tjera personale, që bëjnë thirrje për një Kalifat Islamik në gjuhën shqipe, që i përshkruajnë terroristët e dënuar si luftëtarë për liri dhe që bëjnë thirrje për luftë fetare, nuk janë të rrallë.

Një grup në Facebook i quajtur “Eja në Islam”, që ka më shumë se 700 mbështetës, i bën thirrje anëtarëve të tij t’i bashkohen ISIS-it si “një rebelim kundër padrejtësive që u bëhen myslimanëve”.

Grupe të tjera në Facebook mallkojnë ushtarët amerikanë, duke uruar që atyre t’u pritet koka në Siri.

“Mektebi Hasanbeg”, një kanal i tillë në YouTube, përmban më shumë se 270 video, disa prej të cilave lavdërojnë terrorizmin dhe “i luten Allahut të ndihmojë ISIS-in të ngrejë flamurin e Xhihadit”.

Liderët terroristë si Osama bin Laden quhen dijetarë në faqe të tilla interneti, ndërsa flamuri i Shteteve të Bashkuara dhe ai i Izraelit tregohen duke u djegur.

Fabian Zhilla, një studiues në Universitetin e Harvardit në Shtetet e Bashkuara, thotë se ndërsa ISIS në Shqipëri duket se është një forcë në venitje, propaganda e ISIS në internet në gjuhën shqipe vazhdon.

“ISIS përdor dhe luan me pamje të forta fëmijësh dhe grash të vrarë ose bombarduar në Siri. Ai përpiqet ta portretizojë atë luftë si një luftë fetare, jobesimtarët kundër besimtarëve. Në përgjithësi, përmbajtja në internet synon të tërheqë dhe të vërë në shënjestër një audiencë shqip-folëse duke përzierë mesazhe fetare me propagandë ideologjike të ISIS,” shpjegoi Zhilla për BIRN.

“Shpesh është shumë e vështirë të dallosh mesazhet që i bëjnë thirrje njerëzve të forcojnë besimin e tyre dhe mesazhe që u bëjnë thirrje njerëzve t’i bashkohen kauzës së ISIS,” paralajmëroi ai.

Strategjitë janë, por nuk mjaftojnë

Shërbimet e policisë dhe prokuroria e ka të vështirë të dallojë ndryshimi midis propagandës, thirrjeve për akte terroriste dhe rekrutim.

Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë strategji për të luftuar terrorizmin, shumica e tyre të miratuara vitet e fundit, për të luftuar valën e luftëtarëve që shkojnë nga Ballkani drejt Lindjes së Mesme.

Foto: Flickr
Foto: Flickr

Të gjithë këto vende tani e konsiderojnë gjithashtu krim rekrutimin e luftëtarëve për pjesëmarrje në konflikte të huaja.

Ministri i Sigurisë i Bosnjës tha për BIRN se strategjia e Bosnjës për luftimin e terrorizmit parashikon gjithashtu luftimin e abuzimit të internetit për qëllim aktivitetesh terroriste, si edhe përhapjen e gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit.

Siç planifikon njëra prej tyre, ministria thotë se, së bashku me Agjencinë Rregullatore për Komunikim të Bosnjës dhe Hercegovinës, ajo do të krijojë mekanizma kontrolluese për të monitoruar faqet problematike të internetit dhe të ndëshkojë ata që nuk respektojnë rregullat.

Një masë përfshin krijimin e një liste të zezë faqesh interneti që bëjnë thirrje për gjuhë urrejtjeje, radikalizëm dhe dhunë.

Megjithatë, Agjencia Rregullatore tha për BIRN se asaj i mungon autoriteti për të vendosur nëse përmbajtja në internet është apo jo radikale, përveç rasteve kur kjo ndodh në programe radiofonike apo televizive. Deri më tani, kjo nuk është përfshirë në hartimin e një liste të ashtuquajtur të zezë faqesh interneti, shtoi ajo.

Edhe Shqipëria gjithashtu po e trajton gjithashtu çështjen e terrorizmit, pjesërisht nga formimi i një Drejtorie Antiterrori brenda policisë së shtetit.

Krahas punës në terren me hetimin e individëve të dyshuar për ekstremizëm të dhunshëm dhe terrorizëm, ajo po punon gjithashtu për identifikimin e përhapjes së kërcënimeve në internet.

“Në vitin 2016 ne kemi rritur kapacitetet njerëzore për monitorimin dhe hetimin e propagandës në internet nëpërmjet Drejtorisë së Antiterrorit dhe Drejtorisë së Përgjithshme për Krimet e Organizuara dhe të Rënda në bashkëpunim me agjencitë e tjera shqiptare dhe të huaja për zbatimin e ligjit,” tha për BIRN një zyrtar nga drejtoria.

Ky zyrtar renditi rastet e ekstremizmit të dhunshëm në internet që ata kanë hetuar gjatë katër viteve të fundit.

“Po kryhen hetime për dy individë, njëri nga Shqipëria dhe tjetri nga Kosova, të dy në Siri, që u shfaqën në rrjetet sociale në një video që kërcënon qytetarët e Shqipërisë, Kosovës dhe rajonit me akte terroriste,” tha zyrtari, duke iu referuar kështu që një videoje të qershorit 2015 në të cilën dy mbështetës shqiptarë të ISIS kërcënuan bashkëkombësit e tyre.

“Një individ nga Pogradeci është nën hetim për kërcënime në rrjetet sociale kundër një gazetari,” tha i njëjti zyrtar, duke iu referuar gjithashtu një rasti nga viti 2015.

“Një individ nga Kukësi u arrestua dhe një tjetër nga Berati është nën hetim sepse bëri thirrje në rrjetet sociale për akte terrorizmi. Një tjetër hetim në vazhdim e sipër pasi disa individë të radikalizuar kërcënuan një zyrtar,” vazhdoi ai.

Edhe Serbia dhe Maqedonia kanë strategji kombëtare për luftimin e terrorizmit që i referohet terrorizmit në internet si një çështje që duhet trajtuar.

Megjithatë, deri më tani, Serbia nuk ka ngritur ndonjë padi kundër ekstremistëve të dhunshëm në internet.

Edhe policia e Kosovës ka një njësi që i kushtohet krimit kibernetik, por nuk iu përgjigj kërkesave nga BIRN për të shpjeguar përpjekjet e policisë së Kosovës për të trajtuar ekstremizmin në internet.

Enri Hide, një studiues i ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizimit fetar dhe lektor në Universitetin Europian të Tiranës, Shqipëri, tha se strategjitë dhe agjencitë e specializuara nuk mjaftojnë. Ai thotë se nevojitet një qasje e bërë me porosi.

“Propaganda në internet është e vështirë të eliminohet,” tha ai. “Nuk jam në dijeni të pranisë së ndonjë strategjie kundër radikalizimit në internet. Ne kemi një strategji kombëtare kundër radikalizmit të dhunshëm, por asnjë që synon ekstremizmin në internet,” tha ai për BIRN.

Kolegu i tij Zhilla është dakord. “Nuk mund të mbështetemi në të njëjtin legjislacion të krimit kibernetik që ishte në fuqi para kohës së ISIS,” tha ai, duke paralajmëruar se kërcënimi i radikalizimit kishte gjasa të rritej në të ardhmen e afërt.

Shteti duhet të krijojë partneritet me qytetarët

Rreth 60 për qind e popullsisë është në Facebook në pothuajse të gjitha vendet e Ballkanit, ndërsa në Kosovë kjo shifër arrin deri në 80 për qind.

Valon Canhasi, një ekspert i mediave sociale në Prishtinë, tha për BIRN se ekstremistët e dhunshëm po e rrisin përdorimin e mediave sociale për të promovuar ideologjinë e tyre, duke i lënë autoritetet e Ballkanit duke u përpjekur shumë për të mbajtur ritmin.

Foto: Beta
Pjesëtari i Policisë së Kosovës ofron siguri në një proces gjyqësor në Prishtinë. Foto: Beta

“Ne kemi një miliard përdorues ditor të Facebook-ut, gjë e cila përkthehet në një llogari për çdo shtatë banorë të Tokës, kështu që kjo platformë padyshim që do të përdoret nga organizata që promovojnë dhunë dhe terror,” tha Canhasi.

Ai tha gjithashtu se ndërsa propaganda e dhunshme ekstremiste ishte e pranishme në mediat sociale, përfshirë 360,000 llogaritë në Twitter që u mbyllën së fundmi në lidhje me ekstremizmin e dhunshëm, “institucionet e sundimit të ligjit nuk kanë prani të mjaftueshme në mediat sociale.”

Kolegu i tij boshnjak, analisti Mirnes Kovaç, pranon se ndërsa përqendrimi më i madh i mendimeve radikale gjenden në mediat sociale, shumica e qytetarëve nuk janë në dijeni të problemit.

“Është shumë e rëndësishme të dini si të dalloni predikuesit problematik të urrejtjes, por jo të shkelni lirinë e fjalës. Ky është një problem global,” tha Kovaç.

Muhamed Jusiç, nga Bosnja, sugjeron krijimin e një partnershipi të ri institucionesh dhe qytetarësh të thjeshtë për t’iu kundërvënë kërcënimit.

“Agjencitë tona të sigurisë duhet të zhvillojnë mekanizma në dispozicion të qytetarëve, të cilët më pas mund të raportojnë përmbajtje problematike dhe të krijojnë prodhues që do të fillonin t’i hiqnin këto përmbajtje në përputhje me standardet ndërkombëtare,” tha Jusiç.

Sipas Jusiç, shtetet duhet të ndihmojnë gjithashtu në zhvillimin e të menduarit kritik me qytetarë që konsumojnë përmbajtje në mediat sociale. Ai shton se qytetarët, pavarësisht nga shteti, duhet të jenë në gjendje ta raportojnë përmbajtjen si të papërshtatshme në Facebook ose Youtube.

Partneriteti midis shteteve dhe shoqërisë civilë në luftimin e ekstremizmit në internet mbetet një risi në Ballkan.

Megjithatë, në Maqedoni,  organizata “Analytica” dhe Ministria e Brendshme po i afrohen kësaj qasjeje, duke punuar në masa konkrete që të frenojnë së bashku përhapjen e propagandës radikale në internet.

“Ne po punojmë me një projekt që përpiqet të identifikojë më me detaje se si funksionon rekrutimi në internet dhe të krijojë mekanizma efikase parandaluese,” thotë Stojkovski nga “Analytica”.

Sipas tij, plani është të forcohen mekanizmat që paralajmërojnë njerëzit për faqet radikale dhe profilet nëpërmjet një mekanizmi në internet të quajtur “butoni i kuq” përmes të cilit përdoruesit e internetit lehtësisht mund të raportojnë faqe të tilla në polici. Policia më pas do të reagojë shpejt dhe, nëse do të jetë e nevojshme, do t’i kërkojë kompanive të internetit t’i mbyllin ato profile apo faqe interneti.

BOX

Të rinjtë shënjestër kryesore e propagandës në internet

Maqedonia, njësoj si të gjithë vendet e tjera në rajon, mbështetet kryesisht në masat represive për të trajtuar ekstremizmin e dhunshëm, duke neglizhuar masat parandaluese që mund të përdoren për të penguar idetë radikale tek të rinjtë dhe pjesëmarrjen në organizata ekstremiste, thotë Filip Stojkovski, nga Analytica në Shkup.

“Hulumtimi ynë tregoi se e Maqedonia nuk ka aktivitete për parandalimin e hershëm të radikalizmit. Është shqetësuese që nuk ka aktivitete edukative nëpër shkolla në mënyrë që nxënësit të mund të mësojnë si të njohin përmbajtjen radikale në internet dhe të mbrojnë veten e tyre. Për këtë duhet të ketë shumë më tepër përpjekje.

“Ministria e Punë dhe Politikës Sociale, Ministria e Arsimit dhe Agjencia e Rinisë dhe Sporteve duhet të përfshihen të gjitha në aktivitete të tilla, por, fatkeqësisht, nuk është kështu,” shton ai.

Aida Coroviç, ish-parlamentare serbe dhe aktiviste nga qyteti mysliman i Novi Pazarit, thotë se edhe pse Serbia ka luftëtarët më të paktë të huaj në rajon, të rinjtë janë ende të cenueshëm ndaj propagandës.

“Ekstremizmi i dhunshëm në internet ekziston padyshim në Serbi dhe, për mendimin tim, kjo është mënyra më e lehtë për të tërhequr vëmendjen e të rinjve … Mundësitë për keqpërdorimin e tij janë të pafundme,” tha ajo.

“Shoqëria jonë është shumë e varfër dhe ky është një problem i madh për të rinjtë pasi ata nuk janë në gjendje të planifikojnë të ardhmen e tyre, gjë e cila prodhon frustrim dhe apati, kështu që ata janë një objektiv i përsosur për lloje të ndryshme radikalizimi, si fetar, por ashtu edhe kombëtar,” shtoi ajo.

“Nuk është e nevojshme të përmend shkollimin e keq dhe mesazhet e këqija që po përcillen nga media dhe politikanët si një tjetër kontribuues i madh për këtë problem.”