Xhevdet Qeriqi

Xhevdet Qeriqi tregon pse po e braktis Kosovën: Kushtet ekonomike shkaku i vetëm, paguaj edhe kredi

Ish-luftëtari i UÇK-së dhe Kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e Luftëtarëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi, shpreson së shpejti t’ia mësyjë njërit prej shteteve më të zhvilluara të Europës.

Gjatë ditës së djeshme ai bëri një postim në Facebook ku njoftoi se po i përgatit dokumentet për ta braktisur Kosovën.

Dy fotografi të publikuara nga ai, një me një pasaportë të Kosovës në dorë dhe disa dokumente brenda dhe një tjetër duke ngjitur shkallët e lagjes Arbëria në Prishtinë, aty ku gjenden ambasadat e huaja dhe shumica e agjencioneve që aranzhojnë termine për vizë, ngjallën reagime në rrjete sociale.

Largimi i kosovarëve nga vendi është bërë trend javëve të fundit me disa shtete të Bashkimit Europian të cilat po u ofrojnë të rinjve viza dhe vende pune, ndërsa trendi i papunësisë në Kosovë asesi të bie.

Ndonëse ende nuk ka aplikuar për terminin e vizës, Qeriqi thotë se këtë së shpejti do ta bëjë në njërin agjencion privat afër Ambasadës së Gjermanisë në Prishtinë.

“Unë i kam dorëzuar dokumentet në një agjencion që bën termine për viza. Sot ma kërkuan një dokument tjetër shtesë edhe po besoj që së shpejti aplikoj për vizë”, thotë Qeriqi në një bisedë për KALLXO.com.

Qeriqi, ndër vite ka drejtuar një organizatë të veteranëve të luftës së UÇK-së, duke protestuar shpesh për mënyrën se si organizata më e madhe e veteranëve, OVLUÇK, i ka menaxhuar çështjet e kësaj kategorie.

Sipas tij, vendimi për të shkuar në shtetin gjerman nuk është i lehtë, ndërsa këtë veprim e mori për një arsye.

“Të them të drejtën është shumë vështirë, por edhe kushtet ekonomike pak. Është bërë vështirë me i përballu shpenzimet. Unë veç pensionin e kam, diçka të ardhura tjera nuk kam. Atje në shoqatë në katër pesë muaj as 100 euro si marrim”, thotë veterani i UÇK-së.

I pakënaqur, Qeriqi është edhe me punësimet e fundit të familjarëve të zyrtarëve publikë.

Për këtë thotë se po ikin shumë njerëz nga Kosova.

“Unë e marr pensionin e invalidit, kështu që më shumë më kanë shty kushtet ekonomike. Por, edhe i pa kënaqur kur po e sheh një zyrtar i shtetit brenda 3-4 muajve po i punëson 3-4 familjarë, e në anën tjetër ikin shumë të rinj, është me u shqetësu shumë”, vlerëson Xhevdet Qeriqi.

Ish- luftëtari thotë se asnjëherë nuk aplikoi në ndonjë konkurs publik për punësim.

“Asnjëherë nuk kam apliku në asnjë institucion. Më ka ardhë keq, e kam ndie vetën keq me shfrytëzu atë autoritetin për shembull si luftëtar apo si kryetar i invalidëve, edhe kurrë asnjëherë nuk kam kërkuar në asnjë institucion që të punësohem”, tha ai.

Ai thotë se së shpejti do të operohet nga plagët e luftës. Deri më tani, përfaqësuesi i invalidëve të luftës thotë se i pati gjashtë operime në krahun e majtë.

“Kam probleme të vazhdueshme, unë i kam pasur 5-6 operacione prej përfundimit të luftës. E kam bërrylin e majtë komplet të humbur, nuk muj me lëvizë”, thotë ai.

Për t’i kryer këto operacione, ish- luftëtari thotë se ishte hyrë në kredi të cilën ende e paguan.

“Kam hy edhe kredi kur kam pasur nevojë për shërim, dikund edhe 3 mijë e diçka i kam në kredi”, deklaron ai.

Sipas Kryetarit të Këshillit për Mbrojtjen e Luftëtarëve të UÇK-së, pensioni i invalidit të luftës që merr tani nuk i mjafton që t’i mbajë gjashtë anëtarët e familjes.

Ai thotë se edhe nëse shkon në Gjermani, pensionin e invalidit të luftës do të vazhdojë ta marrë.

“Unë i marr 390 euro. Jemi 6 anëtarë në familje, nuk e kemi askënd tjetër të punësuar. Dy fëmijë, shoqen, babën edhe një motër. Ligji e lejon, familjen e kam këtu, kështu që do ta marr pensionin. Unë atje do të punoj për një pagë të ulët sepse nuk mundem të bëj punë të rënda”, përfundon Qeriqi.

https://kallxo.com/perfaqesuesi-i-veteraneve-te-uck-se-vendos-ta-lere-kosoven/