VV Ngre Padi Ndaj Bajram Rexhepit

Kjo padi lidhet me ngjarjet e datës 17 tetor, kur deputetët e VV-së, Albin Kurti, Visar Ymeri, Albulena Haxhiu, Albana Gashi, Afrim Hoti, Afrim Kasolli, Liburn Aliu, Rexhep Selimi dhe Glauk Konjufca, janë ndaluar për të hyrë në hapësirat e kompleksit të ndërtesës së Kuvendit të Kosovës.
 
“Fillimisht deputetët e Vetëvendosjes nuk kanë mundur të hyjnë në Kuvend, pasi që dyert ishin të mbyllura dhe zyrtari policor tek dyert e Kuvendit iu ka thënë: ‘Shkoni nga hyrja tjetër’. Më pas, deputetët janë nisur në drejtim të hyrjes e cila është e dedikuar për veturat zyrtare të Kuvendit të Kosovës, kështu që duke hyrë brenda objektit të Kuvendit kanë dalë në oborrin e Kuvendit, ku është një hapësirë e përbashkët pa ndarje fizike me objektin e Qeverisë”, ka thënë Vizar Ymeri, shef i Grupit Parlamentar të VV-së, në një konferencë me gazetarë.

Më pas deputetët thuhet se janë nisur në drejtim të objektit të Qeverisë, duke pasur qëllim të jenë prezent në ceremoninë e nënshkrimit të Kontratës së Privatizimit të Distribucionit të KEK-ut.  “Grupi i deputetëve me të afruar pranë hyrjes së objektit të Qeverisë janë ndaluar nga truprojat e anëtarëve të kabinetit qeveritar dhe zyrtarëve policorë të Policisë së Kosovës që janë të angazhuar për sigurimin fizik të institucioneve publike. Deputetët pasi kanë prezantuar kartelat e deputetëve me qëllim për të hyrë në objektin e qeverisë dhe shpjegimit të së drejtës së tyre ligjore për të pasur qasje në institucione publike, truprojat e anëtarëve të kabinetit qeveritar nuk kanë lejuar hyrjen e deputetëve në objektin e qeverisë”, ka shtuar Ymeri.

“Deputetët e Republikës së Kosovës, edhe pse kanë respektuar të gjithë procedurën për identifikim dhe janë thirrur në të drejtën për qasje në hapësirat e institucioneve publike, janë ndaluar në mënyrë arbitrare nga sigurimi personal i anëtarëve të kabinetit të qeverisë dhe zyrtarëve policorë të Policisë së Kosovës”.

Vetëvendosje thekson se në pajtim me Nenin 11, Paragrafi 1, të Ligjit për drejtat dhe përgjegjësit e deputetëve, në këtë dispozitë u garantohet deputetëve të Kuvendit të Kosovës që, Kartela e identitetit e lëshuar për deputet garanton hyrje të lirë në të gjitha organet e shtetërore dhe të administratës publike.

Sipas kësaj dispozite, në momenti që personi zyrtar i institucionit publik legjitimon deputetin përmes kartelës së identitetit, atij i garantohet hyrja e lirë në të gjitha organet shtetërore, përfshirë dhe objektin e qeverisë. Deputetët  afërsisht për 35 minuta, prej orës 10:05 deri 10:40, janë munduar që të sqarojnë të drejtën e tyre për qasje në institucione publike, zyrtarët policor dhe sigurimi personal i kabinetit qeveritar kanë refuzuar lejimin në objektin e qeverisë.

“Në momentin kritik, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ka dalë pranë dyerve të hyrjes së qeverisë duke iu drejtuar zyrtarëve policor dhe truprojave me këto fjalë: ‘Me i largu menjëherë, për një minutë!’. Zyrtarët policorë dhe truprojat menjëherë pas këtyre fjalëve kanë filluar që me forcë të largojnë deputetët që gjendeshin ne shkallët e objektit qeveritar”.
 
Të bëmat, shkeljet e rënda ligjore të Ministrit të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, nuk mbarojnë me këto që përshkruhen në këtë padi, thekson VV. “Kemi dëgjuar së fundi ministrin Bajram Rexhepi duke paragjykuar qëllimet e aksioneve tona protestuese. Pra ai ndër të tjera ka thënë që urdhrat janë të tillë pasi që ‘informatat tona i bazojmë në Njësia e inteligjencës’”.

Vetëvendosje thotë se asnjë ligj nuk ja lejon policisë së Kosovës e për më tepër Ministrin e Punëve të Brendshme që të mbledhë dhe përpunojë informata për Vetëvendosjen. Kushdo që e  ka bërë këtë duke shkelur edhe ligjin për policinë edhe atë për Agjencinë Kosovare të Inteligjencës por edhe kundër secilit ligj respektiv të nxjerrë nga Kuvendi, e ka bërë me qëllimin e vetëm për të pasur nën përgjim e nën mbikëqyrje Lëvizjen Vetëvendosje.
 
Hetimet për çfarëdo dyshimi për vepër penale bëhen në mënyrë individuale, e jo kolektive, shton VV. “Për më tepër Ligji për Policinë e Kosovës, në Nenin 3, Paragrafi 5 thotë “policia nuk duhet të mbledh dhe të ruaj informata dhe të dhëna personale për personat me qëllim të mirëmbajtjes së regjistrave që kanë të bëjnë me bindjet apo anëtarësimet politike, religjioze apo filozofike”. Ne edhe tani jemi duke u vëzhguar, veturat me policë civil qëndrojnë të parkuar afër zyrave tona duke përcjellë çdo lëvizje të çdo aktivisti të Lëvizjes Vetëvendosje, madje edhe personat që takohen me ne. Ministri Rexhepi duhet ta dijë që vetëm organet e drejtësisë kanë të drejtë të japin urdhër për përgjimin e një personi dhe atë kur ekziston dyshimi i bazuar që ai person ka kryer krim, vepër penale”.
 
Ministri Rexhepi, sipas deputetëve të Vetëvendosjes, Visar Ymeri dhe Albulena Haxhiu,  “është fytyra e shpërfytyruar e shtetit të së drejtës”. “Ai po keqpërdor maksimalisht instrumentet shtetëror të ngritur për mbrojtjen e qytetarëve kundër tyre. Ai dhe shefi i tij Hashim Thaçi po përpiqen të na heshtin e kërcënojnë me rrethime policore”.
 
Vetëvendosje iu bën thirrje oficerëve të policisë dhe çdo polici në detyrë, që të zbatojë ligjin duke e mbrojtur të drejtën. “Urdhrat e Bajram Rexhepi nuk janë as e drejta e as ligji. Bajram Rexhepi duhet ta ketë parasysh që nuk do të jetë përjetë Ministër i brendshëm”m.
 
Në fund, Vetëvendosje paralajmëron se do të organizojë aksione e protesta të tjera kundër bisedimeve me Serbinë dhe kundër privatizimit.