Vushtrriasi që respekton Bajram Mulakun e PDK-së, punësohet inspektor në ATK

I punësuar në pozitën Inspektor Tatimor në ATK, është edhe Qendrim Uka. Ai është është renditur i katërti me 90.5% të pikëve, duke dalë më i mirë se 510 kandidatë të tjerë që i janë nënshtruar testit me shkrim në konkursin e ATK-së për inspektorë.

Qendrim Uka në rrjetet sociale shihet në fotografi me ish kryetarin e komunës së Vushtrrisë nga radhët e PDK-së, Bajram Mulakun.

Ai ka pranuar për KALLXO.com se ka qenë i punësuar në Komunën e Vushtrrisë me kontratë mbi vepër gjatë qeverisjes së kryetarit Mulaku, dhe pranoi se ka pasur panair të shkencës i cili është përkrahur nga Komuna e Vushtrrisë dhe donatorë vendorë e ndërkombëtarë që nga viti 2012.

Uka për KALLXO.com tha se nuk është përkrahës i PDK-së, ndërsa i pyetur në lidhje me fotografinë në të cilën shihet me ish-kryetarin Mulaku deklaroi ka respekt të madh për të.

“Nuk është vërtetë që jam përkrahës i PDK-së, kam respekt për Bajram Mulakun, mirëpo kjo s’ka të bëjë asgjë, ai është person me vlera dhe vazhdoj ta them ketë, kjo nuk lidhet kurrgjë me politikë”, tha Uka.

Ai tha se përgatitja e tij profesionale ka ndikuar që të punësohet Inspektor në ATK.

“Unë e kam mesataren 9.95. Aktualisht unë punoj në një prej kompanive më profesionale në botën në fushën e Kontabilitetit, Tatimeve dhe Auditimit “Ernst&Young” andaj profesionalizimin dhe edukimin profesional nuk ma solli “Politika” po me mund dhe si produkt i punës dhe përkushtimit vetanak i kam arritur të gjitha këto suksese”, tha Uka

Uka shtoi se vet ka qenë viktimë e konkurseve të montuara dhe padrejtësive në to.

“Unë kam vuajt vet prej padrejtësive në konkurse, kam ba shumë ankesa, edhe nëse kisha dashtë me u punësu prej politikes, isha punësu shumë herët”, shtoi ai.

Uka i ka ofruar transkriptat e notave të studimeve në nivelin Bachellor dhe dy studimeve në nivelin Master.

Gjatë këtyre ditëve, Administrata Tatimore e Kosovës, ka shpallur listën me kandidatë të suksesshëm për Inspektor Tatimor.

Në mesin e këtyre kandidatëve KALLXO.com, ka raportuar se gjendet Vllaznim Krasniqi ish këshilltari i Ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, , ish Sekretari i PDK-së, në Mitrovicë, Murtez Zeqiri, kushëri i zv. Ministrit të Financavemotra e deputetes Vjosa Osmani si dhe një ish-kandidat I AAK-së për Asamblenë Komunale të Drenasit.

Konkursi për inspektorët e rinj ishte shpallur në mars të vitit 2019. Në të kanë aplikuar rreth 2,000 kandidatë, ndërsa 514 kandidatë janë i kanë plotësuar kriteret minimale dhe janë thirr në test. Në fund vetëm 20 janë përzgjedhur.

Pas shpalljes së konkursit BIRN kishte kërkuar nga Administrata Tatimore e Kosovës që t’i lejohej monitorimi i këtij procesi të rekrutimit.

ATK nuk e ka lejuar BIRN-in të monitorojë këtë proces përkundër faktit që Ministria e Administratës Publike kishte dhënë interpretim të ligjit dhe rregulloreve në fuqi që monitorimi nga ana e shoqërisë civile nuk ndalohet me ligj dhe se i takon institucionit të vendosë për të lejuar apo mos lejuar monitorimin. Por, menaxhmenti i ri i ATK-së kishte vendosur që mos të lejojë BIRN-in.

Kërkesat e BIRN ishin refuzuar me arsyetimin se kjo mund të shfrytëzohej si model edhe nga organizatat e tjera  që të kërkonin leje për monitorimin e proceseve të rekrutimit në ATK.

KALLXO.com, e kishte monitoruar procesin e përzgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm të ATK-së. Ilir Murtezajt.

https://kallxo.com/gjnk/shifti-britanik-skandali-me-konkursin-per-drejtor-te-atk-se/