Vrasja e Vëllezërve Bytyçi në Sytë e Dëshmitarit Serb

Një të riu nga Serbia i kishte rënë që i vetëm të qëllojë për të qenë dëshmitar në vrajsen e së paku njërit nga vëllezërit Bytyçi.

19 vite pas luftës dhe gjenocidit që shkaktoi shteti serb ndaj Kosovës, ekzistojnë mijëra të zhdukur dhe të vrarë për të cilët nuk është bërë gjykim dhe nuk janë gjetur fajtorët.

Ndër ta, Yll, Agron dhe Mehmet Bytyçi janë tre vëllezër shqiptarë me shtetësi amerikane, që erdhën në Kosovë për të ju bashkuar luftës në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Ajo çfarë dihet për djemtë me preardhje nga Prizreni është se pas përfundimit të luftës në vitin 1999, atyre u ishte kërkuar një favor nga fqinji me i nacionalitetit rom për ta përcjellur nga Kosova deri në kufirin me Serbinë.

Vëllezërit Bytyçi në këtë rast përfundojnë në territorin e Serbisë dhe më pas arrestohen nga autoritetet serbe nën akuzat për kalim ilegal të kufirit.

Pasi që vuajtën dënimin prej 15 ditësh burgim, vëllezërit u zhdukën në Serbi për tu gjetur të vdekur dy vite pas në një varr masiv afër qendrës së trajnimit të Policisë së Serbisë në Petrovo Sello.

Ivan Pajiq, një djalë nga Serbia më 9 korrik të vitit 1999, ishte duke kontrabanduar cigare afër qendrës stërvitore në Petrovo Sello kur kishte parë tre policë të cilin përcillnin tre civilë ( që më vonë i identifikoi si vëllezërit Bytyçi) me sy të mbyllur dhe duar të lidhura.

“Dy persona kishin armatim ndërsa njëri jo, ky ishte Goran Radosavljeviq (me nofkën ‘Guri’)…. Kam parë duke shtënë, prapa qafe, i kam parë duke rënë në tokë. Kam ikur me motor, rrugës jam rrëzuar. Dikush mu kishte qepur pas me veturë, nuk e di çfarë veture. Kam shkuar në shtëpi dhe i kam treguar babait se çfarë ka ndodhur”, tha Pajiq.

Megjithëse nuk mund të identifikonte policin që kishte shtënë në njërin prej vëllezërve Bytyçi, Pajiç thotë se e njohu  ish-kolonelin e  forcave speciale të Policisë së Serbisë, Goran Radosavljeviq me nofkën ‘Guri’.

‘Jeta në Kosovë’, ka tentuar të kontaktojë Radosavljeviqin mirëpo e ka pasur të pamundur të flasë me të.

Pajiq thotë se e kuptoi që civilët ishin vëllezërit Bytyçi vetëm pasi kishte parë raportimet në media.

Atë çfarë kishte parë dhe dëgjuar, Pajiq e mbajti sekret për më shumë se një dekadë derisa sipas tij ja arrestuan babanë me akuza të paqena vetëm për ta frikësuar që të mos flaës lidhur me vrasjen e vëllezërve Bytyçi.

Në vitin 2013 u arrestua babai i Pajiqit, që sipas tij ka qenë i mobilizuar në luftën me Kosovën dhe madje ka qenë dëshmitar i bartjes së kufomave të kosovarëve të vravë me kamionë-friogriferë që ai vetë i kishte vozitur.

Pas arrestimit të babait, Pajiq kishte filluar të dëshmojë lidhur me atë se çfarë kishte parë jo vetëm tek Prokuroria Serbe por edhe te autoritetet amerikane.

Pasi kishte dëshmuar disa herë, Pajiq thotë se u përball me kërcënime si dhe në një rast gati humbi jetën nga shpërthimi i veturës së tij, që ai konsideron se është tentimvrasje ndaj tij.

“Më 16 nëntor të vitit 2015 jam nisur për rrugë dhe vetura më ka shpërthyer, unë kam pasur djegje në fytyrë dhe në trup”, përshkruan Pajiq.

Pajiq arriti që të lirojë babanë e tij nga burgu, sipas tij me ndihmën e autoriteteve amerikane, ndërkaq thotë se edhe autoritetet serbe kishin menduar se në fakt babai i tij ishte dëshmitar okular në vrajsen e vëllezërve Bytyçi.

Dëshminë e tij, Pajiq thotë ta ketë dhënë edhe tek autoritetet e EULEX-it në Kosovë së bashku me babanë e tij.

Ai dyshon se babanë i’a kishin helmuar me ushqim gjatë kohës sa kishte qëndruar në paraburgim dhe i njëjti ka vdekur në vitin 2016.

Për mosveprim të organeve të drejtësisë së Serbisë në drejtim të zgjidhjes së vrasjes së vëllezërve Bytyçi dhe disa krimeve të tjera të luftës, Pajiq e akuzon ish-Kryeministrin e Serbisë dhe Ministrin e Jashtëm Ivica Daçiq.

“Mendoj se Daçiqi këtu i tërheq litarët, ai ka lidhje të forta në prokurori, polici dhe gjithkund dhe mendoj se ai e ka në dorë e jo Vuçiqi”, tha Pajiq.

Megjithëse kishte qëndruar i heshtur për krimin që kishtë parë për 14 vite, Pajiq thotë se tani kërkon që drejësia të vie në vend.

Emisioni ‘Jeta në Kosovë’, ka kontaktuar edhe me prokurorin serb, Dragolub Stankoviq i cili kishte trajtuar dëshminë e Pajiqit dhe sipas tij dëshmitë e këtij burri serb nuk janë kredibile.