Vrasja e Ivanoviqit Tregon se Serbia dhe Kosova Duhet të Bashkëpunojnë

Për herë të parë që kur Kosova shpalli pavarësinë dhjetë vjet më parë, prokuroria e Serbisë dhe ajo e Kosovës kanë vendosur të bashkëpunojnë zyrtarisht duke punuar në hetimin për vrasjen e liderit të partisë politike serbe Oliver Ivanoviq, i cili u qëllua për vdekje javën e kaluar në Mitrovicë.

Lëvizja, edhe e pashembullt, nuk është e habitshme, duke marrë parasysh rëndësinë që ka për të dy palët gjetja e personave përgjegjës për vrasjen, e cila shkaktoi tronditje dhe frikë midis serbëve dhe shqiptarëve.

Mundësitë që Kosova dhe Serbia ta zgjidhin çështjen janë të mëdha. Prishtina duhet të tregojë se po mbështetë sundimin e ligjit, pas pikëpyetjeve të ngritura muajt e fundit nga ndryshimet politike në lidhje me demarkacionin e kufirit të Kosovës me Malin e Zi dhe përpjekjet e deputetëve të koalicionit qeverisës për të shfuqizuar Gjykatën e re Speciale me bazë në Hagë.

Ajo duhet të tregojë gjithashtu se mund të vërë në zbatim ligjin në Kosovën veriore me shumicë serbe, ku u qëllua Ivanoviqi, por ku lidhjet e forta me Serbinë nënkuptojnë se Prishtina e ka të vështirë të imponojë vullnetin e saj ligjor.

Serbia, nga ana tjetër, dëshiron të shpërndajë thashethemet dhe pretendimet se vrasja e Ivanoviqit ishte politike dhe se gjurmët e provave të çojnë në Beograd. Ajo dëshiron gjithashtu të tregojë se është ende përgjegjëse për rendin dhe ligjin në Kosovën e veriut, siç këmbëngul partia kryesore serbe e Kosovës Lista Serbe, e cila mbështetet nga administrata e Beogradit.

Por bashkëpunimi i pazakontë në hetimin e vrasjes së Ivanoviqit duhet të përdoret nga Bashkimi Europian – ndërmjetësi në dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit që synon normalizimin e marrëdhënieve – për të forcuar bashkëpunimin midis autoriteteve gjyqësore të të dy vendeve.

Kjo është sidomos e rëndësishme për shkak se misioni i sundimit të ligjit të BE-së në Kosovë, EULEX, i cili deri më tani ka menaxhuar kërkesa për ndihmë juridike nga Prishtina në Beograd dhe anasjelltas, pritet të përfundojë.

Misioni ndoshta do të largohet nga Kosova këtë vit ose vitin e ardhshëm dhe mandati i tij tashmë është zvogëluar, duke ia lënë prokurorisë së Kosovës përgjegjësinë për rastet që do të kishte trajtuar.

Mungesa e bashkëpunimit midis Prishtinës dhe Beogradit ka bërë që kriminelë seriozë të kenë arritur t’i shpëtojnë drejtësisë.

Në vitin 2015 BIRN raportoi se kriminelë të dënuar nga Kosova apo Serbia duhet thjesht të kalojnë kufirin e tjetrit për t’i shpëtuar dënimeve me burg për krime që i kanë kryer, për shkak të mungesës së bashkëpunimit midis policisë dhe sistemit gjyqësor në të dy vendet.

Ndër shembujt më të zymtë ishte rasti i Leme Xhemës, e cila u dënua në Kosovë me tre vjet burg për korrupsion, pastaj u arratis në Serbi për të pritur skadimin e statutit të kufizimit. Më pas ajo u kthye në qytetin e saj të lindjes në Kosovë si një grua e lirë.

Një rast i ngjashëm ishte ai i Predrag Vuliçeviqit, një shtetas serb, i cili u arrestua në mars të vitit 2015 nga policia e Kosovës në veri të qytetit të ndarë të Mitrovicës, sipas një urdhër arresti të Interpolit të lëshuar nga autoritetet serbe.

Vuliçeviqi ishte arratisur nga Serbia për të shmangur një dënim me tre vjet burg për kontrabandë droge dhe vepra të tjera penale. Ai u mbajt në paraburgim në Kosovë, por u lirua më pas, pasi Serbia nuk bëri kurrë një kërkesë për ekstradimin e tij sepse ajo nuk bashkëpunon me policinë e Kosovës.

Edhe EULEX-i, kur kishte ende mandat të plotë, e kishte të vështirë të hetonte, arrestonte dhe gjykonte kriminelë që kishin lidhje në Prishtinë dhe Beograd.

Situata ishte e tmerrshme sidomos kur erdhi puna te ndjekja penale e krimeve të luftës. Pavarësisht faktit se Kosova dhe EULEX-i kanë lëshuar më shumë se 50 urdhra arrestimi për shtetas serbë nëpërmjet UNMIK-ut, asnjë prej tyre nuk është ekstraduar apo arrestuar ndonjëherë.

Hetuesit e EULEX përfunduan hetimet për vrasjet masive në fshatrat e Suharekës dhe Mejës në Kosovë në vitin 1999, por ata nuk mundën t’i kapnin kurrë autorët e dyshuar, të cilët besohet të jenë në Serbi – dhe kjo po ndodhte ndërkohë që Beogradi kishte një marrëveshje bashkëpunimi me EULEX-in.

Që nga viti 2016, EULEX-i nuk ka pasur më mandat për të nisur rastet e veta. Pra, ndërsa rastet e reja të krimeve të luftës po drejtohen nga prokuroria e Kosovës, bashkëpunimi me Serbinë është i bllokuar de facto.

Ky është qartazi një problem shumë i madh kur në 90 për qind të rasteve për prokuroritë në Kosovë dhe Serbi, viktimat janë në një vend dhe autorët në tjetrin.

Prokuroria serbe e krimeve të luftës nuk ka lëshuar asnjë aktakuzë për krime lufte në Kosovë gjatë tre viteve të fundit, ndërsa prokuroria e Kosovës ka arritur të nisë vetëm raste kundër ish-luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pasi ata janë të dyshuarit e vetëm që ajo mund të nxjerrë në gjyq.

Serbia këmbëngul se ka juridiksion universal për të hetuar të gjitha krimet e kryera në ish-Jugosllavi, por Kosova këmbëngul se, meqë është një shtet i pavarur, prokurorët e Beogradit nuk kanë autoritet për të hetuar brenda kufijve të saj. Autoritetet e Prishtinës gjithashtu thonë se Beogradi i refuzon ofertat e tyre për ndihmë juridike pasi ato vijnë nga një shtet që Serbia nuk e njeh.

BE-ja ka bërë një sy qorr para kësaj çështjeje pasi ajo është komplekse dhe politikisht e ndjeshme. Detyra në pamje të parë më të lehta, siç është integrimi gjyqësor i Kosovës veriore në sistemin e drejtësisë në Prishtinë, i morën Brukselit vite të tëra për t’u vënë në zbatim. Zyrtarët e BE-së shpesh theksojnë bashkëpunimin rajonal si një element kyç në procesin e pranimit në BE, por kjo nuk duhet të nënkuptojë thjesht bashkëpunim për çështje ekonomike.

Kjo nënkupton gjithashtu se tema shumë më të ashpra, siç janë krimi i organizuar dhe krimet e luftës, duhet të jenë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja midis Prishtinës dhe Beogradit, sepse siç tregon edhe vdekja tragjike e Oliver Ivanoviqit, këto probleme nuk do të zhduken nëse ato shpërfillen dhe herët ose vonë do të rikthehen për të të përndjekur.

 

Opinionet e shprehura në sektorin e komenteve janë vetëm ato të autorit dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.