Vota e diasporës si infuzion i demokracisë

Përderisa është i njohur kontributi i diasporës  kosovare dhënë për Kosovën në aspektin ekonomik, social e kulturor në Kosovë, kontributi i tyre në procesin e drejtpërdrejtë demokratik – zgjedhjet – ka hasur nëpër pengesa të vazhdueshme.

Qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit u garantohet me kushtetutë e drejta e votës. Mirëpo, përvoja e deritanishme ka treguar se procesi i votimit për pjesëtarët e diasporës është i komplikuar dhe me shumë pengesa teknike, administrative apo juridike.

Në rastin më të mirë, pjesëtarëve të diasporës nga Kosova u është vështirësuar shumë pjesëmarrja në votim. Në rastin më të keq, mund të themi se deri tani u është mohuar një e drejtë që ua garanton kushtetuta dhe ligjet në fuqi. Por, këto probleme kanë kaluar pa u trajtuar edhe për faktin se votimi prej jashtë vendit shihet si çështje e dorës së dytë në debatin për reformën zgjedhore në Kosovë.

Votat e deritashme të diasporës

Kosova konsiderohet si shtet me diasporë të madhe në proporcion me numrin e përgjithshëm e qytetarëve vendas. Burime të ndryshme dëshmojnë se jashtë vendit jetojnë diku mes të 400.000 dhe 600.000 qytetarë të Kosovës, të pajisur me dokumente të Republikës së Kosovës. Ndërsa numri i përgjithshëm i pjesëtarëve të diasporës shkon prej 800,000 deri ne 1 milionë.

Sipas të dhënave nga regjistrimi i popullsisë, mbi 40% e emigranteve janë të vendosur në Gjermani dhe në Zvicër. Vlerësohet se mbi 300.000 janë me të drejtë vote.

Në zgjedhjet parlamentare të parakohshme në qershor 2017, vetëm 20,354 (rreth 6.8 për qind) e diasporës ka aplikuar për t’u regjistruar për votim. Prej tyre, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka miratuar 15,118 aplikacione për regjistrim. Megjithatë, vetëm 5,949 (30 për qind të aplikacioneve) kanë derguar fletëvotimet dhe vetëm 5,246 nga to janë pranuar si vota valide. Ngjashëm ka ndodhur edhe në zgjedhjet lokale dhe balotazhin në tetor dhe nëntor 2017 që u karakterizuan me pjesëmarrje të ulët nga diaspora, madje përgjysmë më pak krahasuar me zgjedhjet nacionale.

Pse është e rëndësishme vota e diasporës?

Kosova ka gëzuar historikisht angazhimin dhe vëmendjen diasporës madje edhe në mungesë të politikave apo të institucioneve përkatëse.

Diaspora, sot përbën një nga kontribuesit më të mëdhenj ekonomikë (remitancat e diasporës përbëjnë 15 për qind të PBB-së, prodhimit të brendshëm bruto).  Të larguarit e dekadave të kaluara, duke pasur mundësitë e shoqërive të zhvilluara, kanë ndërtuar kapacitete të niveleve euro-perendimore në të gjitha fushat, diçka që nuk kanë mundur ta bëjnë bashkombasit e tyre në atdhe. Ky potencial bëhet edhe më i rëndësishëm për shkak të lidhjeve akoma shumë të forta që pjesëtarët e diasporës kanë me atdheun e tyre dhe vullnetin e tyre për të kontribuuar për të.

Duke qenë se dalja e përgjithshme në zgjedhje në Kosovë është e ulët, (në zgjedhjet e fundit vetëm 41. 30 për qind), një pjesmarrje më e madhe e votuesve të diasporës do të ndikonte ndjeshëm edhe në rritjen e legjitimitetit demokratik në vend. Nëse partitë politike të vendit flasin në vazhdimësi për promovimin e  demokracisë, atëherë është koha ta dëshmojnë me lehtësirat në votim të diasporës sonë.

Poashtu, duke pasur parasysh mosvarësinë ekonomike të diasporës nga partitë politike kosovare dhe duke parë trendin se si diaspora votoi kundër partive të establishmentit në zgjedhjet e fundit, ky mund të jetë një kontribut shtesë në demokratizimin e partive politike pasi i vendos ato nën presion për ndryshime të brendshme. Rrjedhimisht, me  mundësi votimi, diaspora mund të bëhej një motor i ndryshimeve demokratike edhe të partive politike por dhe të zhvillimeve progresive në vend.

Pjesëmarrja ulët në zgjedhje e diasporës vjen si pasojë e pengesave të shumta. Organizata Germin gjatë takimeve me pjesëtarët e diasporës ka identifikuar disa nga problemet kryesore rreth procesit të votimit:

  • Mungesën e informacionit për të drejtën e votimit. Shumë qytetarë jashtë vendit nuk kanë dijeni për të drejtat e tyre zgjedhore në Kosovë, duke filluar nga drejta për t’u regjistruar në regjistrin civil, të drejtën për t’u zgjedhur dhe për të zgjedhur apo të drejtën për ankesa / apele të vendimeve apo rezultateve.
  • Mungesa e informimit për procedurat e votimit. Pjesëtarët e diasporës kanë shprehur në vazhdimësi shqetësime për informacionet e pakta dhe të vonuara që ata marrin mbi procedurat e votimit. Këtu përfshihen informatat mbi mënyrën e aplikimit, dokumentet e nevojshme për votim, mënyra e plotësimit të fletëvotimeve si dhe në shumë raste edhe mungesa e informacionit mbi afatet kohore. Madje, edhe për ata që kanë pasur informata rreth afateve, ato kanë qenë mjaft të shkurtra për regjistrim (7-10 ditë).
  • Problemet teknike të votimit me postë. Votuesve nga jashtë u kërkohet që të plotësojnë formularët, t’i skenojnë ato, të bashkëngjesin kopje të ndonjë dokumenti të identifikimit dhe t’i dërgojnë ato në KQZ. Nëse aplikacioni i tyre aprovohet, atyre iu kërkohet që ta printojnë fletëvotimin dhe me zarf ta dërgojnë atë në kutinë postare të KQZ. Mirëpo edhe kjo nuk është garancë se vota e tyre do të arrijë në Kosovë, duke pasur parasysh se disa dërgesa postare kalojnë përmes Serbisë dhe ka pasur raste kur ato ose janë kthyer mbrapsht ose nuk kanë arritur fare në KQZ.

Pra, përveçse atyre u nevojiten mjete si printer dhe skaner për të plotësuar aplikimin dhe fletëvotimin, dërgimi i votave përmes postës në formatin aktual nuk siguron vlefshmërinë e votës edhe për faktin se afatet e kërkojnë që votat të arrijnë në KQZ më së largu deri në ditën e zgjedhjeve.

Si të realizohet në praktikë kjo e drejtë?

Edhe pse trendi i pjesëmarrjes është në rritje krahasuar me 10 vite më herët, dallimi i madh mes numrit të përgjithshëm të atyre me të drejtë vote dhe numrit të votave tregon për nevojën e ndryshimeve në proces dhe lehtësim të votimit nga jashtë përfshirë edhe shqyrtimin e metodave alternative të votimit, përveç asaj me postë.

Një raport i institucionit të Avokatit të Popullit i publikuar në gusht të këtij viti ka ngritur shqetësime mbi mohimin e të drejtës së votës për qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit. Ky raport i cili u është drejtuar institucioneve kryesore të vendit (Presidentit, Kuvendit, Qeverisë, KQZ-së) rekomandon ndryshmin apo plotësimin e legjislacionit aktual për zgjedhjet me qëllim që pjesëtarëve të diasporës t’u mundësohet ushtrimi i të drejtës së votës sikurse qytetarëve të tjerë brenda vendit. Pas këtij raporti është ndërmarrë një iniciativë nga deputetët e Komisionit Parlamentar për Legjislacion për të bërë ndryshimet e nevojshme në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Për të evituar problemet aktuale dhe për të rritur pjesëmarrjen në zgjedhje të qytetarëve jashtë vendit ekzistojnë alternativa të ndryshme të cilat në rrethanat aktuale për Kosovën do të mund të përmbledheshin në disa pika kyçe.  Fillimisht duhet të përcaktohet që vetëm ata qytetarë të cilët janë të pajisur me dokumente të Republikës së Kosovës duhet të lejohen të votojnë nga jashtë.

Votimi me postë nuk bën të përjashtohet si mundësi, por që duhet të bëhen disa ndryshime që ai të përmirësohet.  Zgjatja e periudhës për pranimin e votave nga diaspora për një apo dy ditë do të ngriste numrin e votave të pranuara si të vlefshme, duke qenë se shumë vota refuzohen nëse arrijnë pas afatit. Një alternativë do të ishte pranimi i votave nga KQZ-ja edhe dy ditë pas zgjedhjeve me kusht që fletëvotimet të jenë futur në postë para ditës se zgjedhjeve (duke u bazuar në vulën postare nga vendi dërgues).

Një mundësi tjetër do ishte që kutitë postare të KQZ-së të vendosen në misionet diplomatike të Kosovës, në mënyrë që pjesëtarët e diasporës të mund dërgojnë fletëvotimet me postë në vendet ku ata jetojnë. Këto zarfe do të mund të përcilleshin pastaj në KQZ nga këto misione. Kjo do të evitonte humbjen apo kthimin e dërgesave postare që kalojnë përmes Serbisë por edhe do të shpejtonte dhe rriste sigurinë e procesit. Gjithsesi, edhe pse votimi përmes postës është më i lehti për t’u organizuar, nga shumë ekspertë vlerësohet si formë e pasigurt e votimit.

Prandaj, në mënyrë që të ofrohet qasje e barabartë për qytetarët jashtë vendit, edhe sipas rekomandimeve të Avokatit të Popullit, Republika e Kosovës duhet të ndërmarrë masa të organizojë votimin fizik nëpër misione diplomatike dhe konsullore aty ku është e mundshme. Votimi fizik është më i kushtueshëm dhe kërkon më shumë resurse operacionale, mirëpo është forma më e sigurt e votimit dhe ofron mundësi reale për rritje të pjesmarrjes në zgjedhje nga qytetarët jashtë vendit.  Disa nga misionet diplomatike do të mundë të organizonin votimin për diasporë me planifikim dhe mbështetje nga KQZ-ja. Votat do të numëroheshin aty për aty dhe rezultatet do t’i dërgoheshin KQZ-së, të skanuara dhe përmes një zarfi të vetëm dhe të sigurt në Kosovë.

Përzgjedhja e një ambasade/konsullate për një rajon të caktuar që do të përfshinte disa shtete do të ndihmonte që një numër i madh i votuesve nga diaspora të udhëtonte një distancë jo shumë të gjatë për të votuar. Kjo do të kursente kohë dhe para pasi që votuesit nga diaspora nuk do të kishin nevojë të vinin në Kosovë. Kjo formë e votimit aplikohet në mbi 50 shtete të ndryshme, të cilat e shohin shumë të rëndësishme pjesëmarrjen në zgjedhje të bashkëqytetarëve të tyre jashtë vendit.

Votimi fizik është më i kushtueshëm, por për Kosovën kjo është shumë e rëndësishme të arrihet në mënyrë që lidhjet e diasporës të forcohen edhe më tej dhe atyre t’u ofrohen mundësi të barabarta të pjesëmarrjes në vendimmarrje. Insitutucionet e Kosovës duhet të ndërmarrin veprimet e nevojshme nga për t’ua mundësuar qytetarëve jashtë vendit ushtrimin e një të drejte që ua garanton Kushtetuta. Ka ardhur koha që diaspora të jetë kontribues i drejtpërdrejtë në zhvillimin e demorkacisë së Kosovës, e jo vetëm kontribues ekonomik përmes remitencave.

Ky artikull është pjesë e një serie editorialesh që do të botohen në Kallxo.com & Prishtina Insight, si pjesë e projektit Angazhimi i Diasporës për Zhvillim të Politikave që po implementohet nga OJQ Germin. Ky botim është realizuar me përkrahjen e projektit Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Përmbajtja e këtij botimi nuk reflekton qëndrimet e implementuesve apo të donatorëve.

Lirim Krasniqi ka përfunduar studimet master në shkenca politike për zhvillim ndërkombëtar dhe teori politike në Universitetin e Tiranës dhe një vit erasmus në Universitetin Cuza, Rumani. Krasniqi është analist dhe hulumtues i politikave në fushat e interesit si: Politika të Jashtme dhe të Sigurisë, partitë politike, zhvillimi i demokracisë dhe çështjet e Diasporës. Aktualisht është bashkëpunëtor i NGO Germin dhe NGO PIPS (Pristina Institute for Political Studies).