Vlastimir Gjorgjeviq kërkon lirim të parakohshëm, familja Bytyqi e kundërshton lirimin e tij

Ish-Shefi i Departamentit të Sigurisë Publike në Serbi, Vlastimir Gjorgjeviq, i dënuar për krime kundër njerëzimit gjatë luftës në Kosovë, ka kërkuar lirim të parakohshëm nga burgu, raporton Gazeta Jeta në Kosovë.

Lirimin e tij po e kundërshton fuqishëm familja e Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqit (shqiptarë me shtetësi amerikane), të vrarë në Serbi gjatë vitit 1999.

Gjorgjeviq pas gjykimit nën akuzat për krime kundër njerëzimit si dhe shkeljen e ligjeve ose zakoneve të luftës gjatë konfliktit në Kosovë, fillimisht u dënua me burgim të përjetshëm, më pas dënimi ju zvogëlua në 27 vjet burg e së fundmi dënimi i është reduktuar në 18 vite burgim.

Familja Bytyqi me një letër adresuar kryetarit të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, kanë kërkuar këtij Tribunali që ta refuzojë kërkesën e Gjorgjeviqit për lirim të parakohshëm.

Kjo familje pandeh se  Gjorgjeviq ka dijeni për vendodhjen e varrezave masive dhe  i njëjti nuk duhet të lirohoet deri sa të bashkëpunojë me institucionet e drejtësisë.

Kjo pasi siç thuhet në letër, familjarët meritojnë mbylljen e plagëve dhe familja Bytyqi meriton të vërtetën!

Historiku i vrasjes së vëllezërve Bytyqi dhe të bëmat e Vlastimir Gjorgjeviqit

Ndonëse kanë kaluar 20 vjet nga lufta në Kosovë ende ekzistojnë edhe 1648 persona të zhdukur, fati i të cilëve nuk dihet.

Zbardhja e rastit të zhdukjes së 1648 civilëve nga lufta në Kosovë ka vazhduar të jetë sfidë në vete si për institucionet vendore ashtu edhe për ato ndërkombëtare.

Në mesin e personave të vrarë gjatë luftës në Kosovë janë edhe vëllezërit Bytyqi, tre shqiptarë nga Prizreni me shtetësi amerikane të cilët u vranë në korrik të vitit 1999 në Serbi.

Tre vëllezërit Bytyqi në prill të 1999-ës udhëtuan nga Amerika në Kosovë për t’iu bashkuar batalionit “Atlantiku” të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pranë të cilit luftuan deri në qershori të 99-tës deri sa përfundoi lufta në Kosovë.

Vëllezërit Bytyqi u arrestuan më 23 qershor 1999 nga policia serbe pasi që mendohet se aksidentalisht e kaluan kufirin me Serbinë përderisa ishin duke i ndihmuar disa fqinjë nga një familje rome, të cilët për shkak të rrethanave nuk ndjeheshin të sigurtë, prandaj u kishin kërkuar vëllezërve që t’i shoqëronin deri te kufiri për të kaluar në Serbi.

Gjatë shoqërimit, vëllezërit Bytyqi aksidentalisht e kaluan kufirin administrativ të pashënuar me Serbinë, me ç’rast edhe u arrestuan menjëherë.

Pas arrestimit vëllezërit u akuzuan për kalim ilegal të kufirit dhe Gjykata për Kundërvajtje në Prokuplje të Serbisë i dënoi me 15 ditë burgim.

Por pas vuajtjes së dënimit prej 15 ditëve burgim, vëllezërve Bytyqi u humbën gjurmët.

Ndonëse një kohë nuk është ditur për fatin e tyre, në vitin 2001 kufomat e Yllit, Mehmetit dhe Agronit janë gjetur në një varr të pashënuar pranë një kampi policor të trajnimit në Petrovo Sello, afër qytezës Kladovo. Duart e tyre ishin të lidhura me tel, sytë e mbështjellë me shami dhe secila kafkë kishte një vrimë plumbi: ishin ekzekutuar në vend. Ata u gjetën në një varrezë masive që përmbante kufomat e 67 burrave dhe grave nga Kosova.

Edhe pse kanë kaluar 20 vjet që nga vrasja e tyre edhe përkundër përpjekjes së vazhdueshme të SHBA-s; të cilët vazhdimisht kanë kërkuar zbardhjen e këtij rasti, deri në këto ditë nuk ka ndonjë person të dënuar për vrasjen e vëllezërve Bytyqi.

Në kuadër të përpjekjes për zbardhjen e vrasjes së vëllezërve Bytyqi, Kongresi Amerikan përmes miratimit të një rezolute ka kërkuar nga Serbia, masa konkrete për zgjidhjen e këtij rasti, në të kundërtën i është thënë Serbisë se mund të dëmtohen marrëdhëniet diplomatike.

Madje zyrtaret e lartë amerikanë, po thuajse sa herë janë takuar me zyrtarët serb ua kanë përmendur atyre ketë çështje duke u kërkuar zbardhjen e rastit.

Gjatë këtyre takimeve Vuçiq vrasjen e vëllezërve Bytyqi e kishte konsideruar si krim të rëndë dhe kishte thënë se autoritetet serbe janë duke punuar në hetimin e rastit por edhe 20 vite pas vrasjes së tyre deri në ditët e sotme një gjë e tillë ende nuk është arritur.

Gjatë vitit 2018 në emisionin ‘Jeta në Kosovë’, i ftuar ka qenë Ivan Pajiq, personi i cili pandeh se është dëshmitar okular në vrasjen e vëllezërve Bytyqi.

Në një rrëfim ekskluziv për emisionin ‘Jeta në Kosovë’, Ivan Pajiq ka drejtuar akuza drejt zyrtarëve të lartë të Serbisë për mungesën e gjyqit për këtë vrasje.

Pajiq ka thënë se janë vetë ish-kryeministri serb dhe Ministri i Jashtëm, Ivica Daçiq, të cilët nuk dëshirojnë që rasti ndaj vëllezërve Bytyqi të zbardhet.

Ivan Pajiq i cili ndonëse ka heshtur për 14 vite, ka deklaruar se nuk ka dashur të flasë për atë çfarë ka parë derisa ia kishin arrestuar babanë i cili kishte qenë i vetmi që e kishte ditur sekretin e tij.

Në rrëfimin e tij, Pajiq thotë se dyshon që babanë ia helmuan në burg për shkak të asaj që dinte për vrasjen e vëllezërve Bytyqi që ishin ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Vuçiq dëshiron që të përfundojë ky rast por ky tjetri (Ivica Daçiq) dëshiron ta lërë anash…Mua ky rast më ka kushtuar me vrasjen ose me kokën e babait tim. Këtu mund të them që Daçiqi është drejtpërsëdrejti i përzier në këtë”, ishte shprehur Pajiq në emisionin ‘Jeta në Kosovë’.

Pajiq gjatë intervistës ka rrëfyer se më 9 korrik të vitit 1999 në qendrën e trajnimeve të Xhandarmërisë serbe në Petrovo Sello kishte parë tre civilë dhe tre ushtarë dhe më pas ishte larguar kur njëri nga ushtarët kishte shtënë me armë në njërin civil.

Ivan Pajiq ka rrëfyer ekskluzivisht për emisionin ‘Jeta në Kosovë’, se si kishte parë të qëllohet një nga vëllezërit ‘Bytyçi’ , duke deklaruar se kjo kishte ndodhur në prani të Goran Radosavljeviq, i njohur me nofkën ‘ Guri’, ish-kolonel i Forcave Speciale të Policisë së Serbisë.

Pas deklaratës së tij të dhënë në Prokurorinë e Serbisë, Pajiq ka deklaruar se ishte përballur me kërcënime të shumta sa që në një rast ai kishte pësuar nga shpërthimi i veturës së tij për të cilin ende nuk dihen shkaqet.

Dy zyrtarë të Ministrisë serbe të Punëve të Brendshme, Sretan Popoviq e Milos Stojanoviq në vitin 2006 u akuzuan për krime që ndërlidheshin me përfshirjen e tyre në ndalimin dhe më pas transportimin e vëllezërve Bytyqi nga Prokuplja në Petrovo Sello, por të njëjtit në mungesë të provave janë liruar në maj të vitit 2012.

Përkundër trysnisë së madhe nga SHBA-të, ndonëse autoritetet serbe i zhvilluan disa hetime lidhur me këtë rast, asnjëherë nuk i vunë para drejtësisë zinxhirin komandues të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë,  përfshirë ish-Ministrin e Punëve të Brendshme Vlajko Stojilkoviq, ndihmës Ministrin dhe Shefin e Departamentit të Sigurisë Publike Vlastimir Gjorgjeviq, si dhe komandantin e kampit të trajnimit të operacioneve speciale Goran” Guri ” Radosavljeviq.

Ish-Ministri i Punëve të Brendshme Vlajko Stojilkoviq vdiq në prill të vitit 2002, pasi që bëri vetëvrasje para se të transferohej në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, ku pritej të gjykohej për krime kundër njerëzimit si dhe shkeljen e ligjeve ose zakoneve të luftës gjatë konfliktit në Kosovë.

Ndërsa komandanti i kampit të trajnimit të operacioneve speciale Goran ” Guri ” Radosavljeviq raportohet të banojë dhe punojë në Serbi si udhëheqës i një firme këshilluese të sigurisë në Beograd dhe po ashtu është anëtar i një partie politike.

Kurse Vlastimir Gjorgjeviq pas një kohe në arrati, u arrestua në qershor të 2007-ës dhe u transferua në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, me ç’rast pas gjykimit nën akuzat për krime kundër njerëzimit si dhe shkeljen e ligjeve ose zakoneve të luftës gjatë konfliktit në Kosovë, fillimisht u dënua me burgim të përjetshëm, më pas dënimi ju zvogëlua në 27 vjet burg e së fundmi dënimi i është reduktuar në 18 vite burgim.

Ky i fundit, Vlastimir Gjorgjeviq ndonëse për disa vite ka qëndruar në arrati dhe asnjëherë nuk  e ka pranuar fajësinë për krime kundër njerëzimit gjatë luftës në Kosovë, para disa ditëve i është drejtuar Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë me kërkesë për lirimin e tij të parakohshëm nga burgimi.

Sipas informacioneve të cilat i posedon Gazeta Jeta në Kosovë, Gjorgjeviq kërkesën e tij e ka bazuar në sjelljen e tij të mirë gjatë vuajtjes së dënimit si dhe gjendjen e përkeqësuar shëndetësore.

Lidhur me kërkesën e Gjorgjeviqit për lirimin e tij të parakohshëm nga vuajtja e dënimit, i menjëhershëm ka qenë reagimi i familjes Bytyqi.

Përmes një letre adresuar kryetarit të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, familja Bytyqi i kanë kërkuar këtij Tribunali që ta refuzoj kërkesën e Gjorgjeviqit për lirim të parakohshëm.

“Ne kërkojmë nga ju që të refuzoni kërkesën e tij (Gjorgjeviqit) për lirim të parakohshëm derisa ai të tregoj shenja të rehabilitimit dhe në thelb të bashkëpunoj me Zyrën e Prokurorit. Këtë mund ta bëjë duke asistuar në identifikimin e varrezave masive si dhe dhënien e një deklarate nën betim për rastin e vrasjes së vëllezërve Bytyqi”, thuhet në letrën e adresuar Tribunalit Penal Ndërkombëtar.

Përmes kësaj letre familja Bytyqi thotë se Gjorgjeviqi ishte përgjegjësi kryesor për operacionet policore që u kryen në fund të luftës në Kosovë.

“Policia dhe Ushtria Serbe u bashkuan në një operacion të përbashkët kriminal për të fshehur vrasjet masive të mijëra shqiptareve nga Kosova. Në pjesën me të madhe të këtij operacioni, Ideja për fshehjen e këtyre krimeve ishte e Gjorgjeviqit”, shprehet familja Bytyqi.

Sipas familjes Bytyqi,  Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë ka gjetur se Gjorgjeviqi ka qenë direkt i involvuar jo vetëm në operacionin e fshehjes së vrasjeve masive por edhe dhënien e urdhrit për gjykimin dhe më pas ekzekutimin e Yllit, Agronit dhe Mehmetit.

“Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë ka gjetur se Gjorgjeviq disa javë me herët ka qenë në Petrovo Sello në vendin ku janë gjetur kufomat e 75 personave. Për të dashurit tanë Gjorgjeviq ndezi një fije zjarri dhe e hodhi atë drejt në një fushë me naftë”, thotë familja Bytyqi.

Në fund të kësaj letre familja Bytyqi i kërkon Tribunalit që ta refuzoj kërkesën e Gjorgjeviq derisa i njëjti të bashkëpunojë me institucione e drejtësisë dhe të zbuloj vendndodhjen e varrezave të tjera masive pasi që siç thuhet në letër, familjarët e 1092 viktimave të vrara meritojnë mbylljen e plagëve dhe familja Bytyqi meriton të vërtetën!

Letrën origjinale të familjes Bytyqi adresuar Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë mund ta gjeni duke klikuar këtu.

Përpos kësaj letre, familja Bytyqi ka filluar edhe iniciativën për mbledhjen e nënshkrimeve për një peticion kundër lirimit të parakohshëm të Vlastimir Gjorgjeviqit.

ICTY: Mbaje Vlastimir Gjorgjeviq në Burg, quhet iniciativa e filluar nga familja Bytyqi të cilët kërkojnë përkrahjen e popullatës për të adresuar këtë peticion në Tribunal për të kundërshtuar lirimin e parakohshëm të Vlastimir Gjorgjeviqit.

Iniciativën për fillimin e këtij peticionin mund ta gjeni në këtë link.

KALLXO.com ka shkruar në vazhdimësi për rastin e vrasjes së vëllezërve Bytyqi, këmbënguljen e SHBA-ve për zbardhjen e këtij rasti, premtimin e shtetit Serb se fajtoret do ti vë para drejtësisë si dhe përpjekjet e familjes Bytyqi për të gjetur drejtësi për humbjen e më të dashurve të tyre.

Të gjitha raportimet rreth këtij rasti mund ti gjeni në këtë link.