Vjetërsohet lënda ndaj kompanisë që planifikon të investojë miliona në hidrocentrale

Kompania, e cila po synon të investojë në Komunën e Pejës ia ka hedhur paq me dy raportet e inspektorateve të cilat e denonconin për shkelje. KELKOS u bë temë debati pas nismës për të ndërtuar hidrocentral mbi lumin Lumbardh të Pejës ndërsa BIRN zbulon se gjykata e Prishtinës vjetërsoj njërën nga çështjet e ngritura ndaj kësaj kompanie

Me 18 korrik 2016 Inspektorati i Komunës së Deçanit kishte iniciuar kërkesë për fillimin e procedurës kundërvajtësve ndaj kompanisë pasi kishte konstatuar dëme ambientale në bjeshkën e Deçanit.

Raporti i siguruar nga BIRN tregon se Inspektorati kishte konstatuar se afro 7 kilometra përgjatë Lumbardhit të Deçanit rrjedha e këtij lumi ishte ndërprerë totalisht si pasojë e kalimit të ujit në gypat furnizues të turbinave për prodhimin e rrymës elektrike.

Sipas këtij raporti inspektoret kishin parë në teren se portat e turbinave kanë qenë të mbyllura dhe vetëm disa pjesë kanë qenë të furnizuara me ujë nga rrjedhat anësore, të cilat nuk ishin të mjaftueshme për ruajtjen e diversitetit të florës dhe faunës.

Ndërsa në raportin e Inspektorëve komunal thuhet se në marrëveshjen në mes të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe “KELKOS KOMPANY SHPK”, ishte paraparë që 30 për qind e minimumit të rrjedhjes së ujit të qëndron në shtratin e lumit e jo të mbetej lumi pa ujë. Dosja e inspektoratit ishte bartur në gjykatë me kërkesën që kompania të ndëshkohej me 50 deri në 100 mijë euro.

Veprimet e mëtutjeshme procedurale treguan se inspektorati kishte huqur adresën pasi çështja nuk kishte të bënte me kundërvajtje.

Në vendimin e saj gjykatësja Ajshe Balaj vlerësoi se veprimet e pretenduara nuk ishin kundërvajtëse ndërsa komuna nuk u ankua në apel.

“Inspektorati pas vendimit të Gjykatës është bindur për inkompetencë dhe nuk ka ushtruar ankesë, por i ka njoftuar inspektorët kompetent të ministrisë për gjendjen me qëllim të ndërmarrjes së veprimeve”, thotë drejtori i inspektoratit Halil Tolaj.

Tutje një raporti i Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor kishte konstatuar se rrjedha e lumit nuk ishte ndërprerë.

Në lidhje me dëmet e shkaktuara nga kompania KELKOS, por sipas ministrisë pretendimet e inspektoratit nuk ishin të sakta.

“Inspektorati asnjëherë nuk ka hasur që Lumbardhi të mbetet pa ujë. Pra edhe në rastin e njoftimit nga inspektorati komunal kemi qenë në terren dhe nuk kemi hasur. Por është fjala për sasinë e rrjedhjes për të cilën inspektorati i ka dhënë vërejtje kompanisë që të bëhet plotësimi i kushteve ujore në instalimin e pajisjeve për matjen e minimumit biologjik, për të cilin rast edhe është dërguar në gjykatë”, thuhet në përgjigjen e MMPH.

Pretendimet e Ministrisë parashkruhen në gjykatë Gazeta JnK ka zbuluar se në rastin tjetër ndaj kompanisë që pretendon të investon miliona në energji ujore procedura kundërvajtëse e inicuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor është parashkruar.

Raporti i hartuar nga ministria pretendon se kompania KELKOS nuk i kishte përmbushur kërkesat e inspektorëve për plotësimin e kushteve shtesë për leje ujore.

Lënda ishte hapur në gjykatën e Prishtinës ku çështja nuk u vendos kurrë. Lënda kishte qëndruar në sirtarët e gjykatës për më shumë se dy vjet dhe kishte arritur vjetërsimin.

14 shkurt 2019 shënon datën kur gjyqtarja Salihe Ahmeti, mori aktvendim, me të cilin e përfundoi procedurën kundërvajtësve për shkak të parashkrimit absolut.

Në një arsyetim gjykata pretendon se vonesa nuk ishte e qëllimshme.

“Ju njoftojmë se arsye e vonesës së trajtimit të lëndës në fjalë ka qenë vëllimi i madh i lëndëve në Departamentin për Kundërvajtje. Megjithatë, lidhur me këtë lëndë janë ndërmarrë veprime në trajtimin e çështjes, por Gjykata nuk ka marrë përgjigje nga pala”, thuhet në përgjigjen e gjykatës së Prishtinës.

Gazeta JnK ka kërkuar qasje në ftesat e dërguara palëve, por zëdhënësja Gashi nuk ka ofruar përgjigje që nga data 18 mars. Për lëndët kompania nuk ka pranuar të ofroj sqarime për GjNK.

Synimet e KELKOS-it për investime në Pejë

Gjithçka kishte filluar më 19 shkurt në Komitetin Ndërministror për Investimet Strategjike, kur Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, përmes një publikimi në Facebook ka njoftuar se “KelKos-Energy Peja SH.P.K”, ka përmbushur kriteret për investitor strategjik dhe do të investojë 97 milionë euro në komunën e Pejës.

Menjëherë pas kësaj, kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri ka shprehur shqetësimet për këtë projekt përmes një letre drejtuar ministrit Shala.

Muhaxhiri në letër kishte shkruar se Komuna e Pejës ndalon çfarëdo investimi në lumin Lumbardh të Pejës nga investitori “KelKos-Energy Peja SH.P.K”, sepse, siç thuhet, kjo kompani ka shkaktuar dëme të madha ambientale në Grykën e Deçanit.

Diskutimi për ndërtimin ose jo të hidrocentraleve shënoj edhe njërën nga kthesat sociale në vend.

25 shkurti i këtij viti nxori në sheshin e Pejës mijëra qytetarët e ambientalistë për të kundërshtuar projektin e ndërtimit. Protesta ishte ndër të rrallat me pjesëmarrje kaq të madhe për tema jashtë kufijve dhe çështjeve kombëtare.

‘Lumbardhi krenari e Pejës’, ‘Politikën e japim, Lumbardhin s’e japim”, ‘Mos ma prek Lumbardhin”, “Jo diga, jo gypa, mbroje natyrën, mbroje turizmin” dhe ‘Jo edhe një lum i vdekur”, ishin mesazhet e protestës.

Avokimi i ambientalistëve

Diskutimet pro dhe kundër dhe përvojat nga e kaluara shënuan edhe grupimin më të madh të OJQ-ve vendore për të kundërshtuar një çështje në Kosovë.

Mbi 120 organizata të shoqërisë civile i ishin drejtuar me një letër të hapur Këshillit Ndërministror për Investime Strategjike për ta kundërshtuar idenë që kompanisë “KelKos- Energy Peja SH.P.K”, e cila po synon të ndërtojë hidrocentral në lumin Lumbardh t’i jepet statusi i ‘investitorit strategjik’.

Në letër janë renditur disa arsye se pse këto organizata po kërkojnë që kompania KELKOS të mos marrë statusin e investitorit strategjik dhe rrjedhimisht të mos lejohet ta ndërtojë hidrocentralin në Lumbardh.

Në letrën e dërguar katër ministrave të Qeverisë së Kosovës, Endrit Shalës (MTI), Bedri Hamzës (MF), Fatmir Matoshit (MMPH), Valdrin Llukës (MZhE) dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës thuhet se ky investitor është i njohur për dëmet ambientale që ka shkaktuar në grykën e Deçanit dhe ka shpërdorur statusin e “investitorit strategjik”.

E në anën tjetër edhe Kuvendi Komunal në Pejë me 27 shkurt ka votuar unanimisht duke e mbrojtur me rezolutë futjen e Lumbardhit në gypa.

Në zhvillime të tjera zyra e Rregullatorit për Energji në mbledhjen e mbajtur me 28 mars ka vendosur që hidrocentrali ‘Lumbardhi II’ të shkyçet nga rrjeti i energjisë. Ky hidrocentral i ndërtuar nga kompania ‘Kelkos Energy’ deri më tash është kyçur në rrjetin e energjisë përkundër që nuk kishte marrëveshje me KOSTT-in.

Sipas nenit 22 të Ligjit për Investimet Strategjike që mbulon “Transferimin e të drejtës për shfrytëzimin e pronave të paluajtshme publike dhe shoqërore nga investitori i interesuar”, thuhet se Qeveria e Kosovës, me shumicë të thjeshtë votash në parlament, mund të transferojë të drejtën për të përdorur një pronë të paluajtshme në pronësi shoqërore për investime strategjike, qoftë me vetë votimin, ose duke votuar për zbatimin e Ligjit për shpronësim, duke anashkaluar autoritetet komunale.

Ndërtimi i hidrocentraleve gjithashtu në dukje ka vënë institucione të ndryshme qeveritare në konflikt me njëri-tjetrin.

Vlerësimi Strategjik Mjedisor për Planifikimin Hapësinor të Parkut Kombëtar të Bjeshkëve të Nemuna, të publikuar nga Agjencia e Kosovës për Mbrojtjen e Mjedisit, AMMK, një institucion në kuadër të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, MMPH, thotë se “Zhvillimi i projekteve të reja të hidrocentraleve duhet të dekurajohet, pasi që ato krijojnë ndikime kumulative në sistemet e lumenjve, në drejtim të prishjes së karaktereve të peizazheve dhe bukurisë së tyre, si dhe ndikojnë në funksionin e habitateve të tyre”.

Zonat e Mbrojtura janë të rëndësishme për ruajtjen e natyrës. Në mënyrë të jashtëzakonshme, rreth 1,000 nga 3,000 projekte hidroenergjetike në Ballkan janë planifikuar në zonat e mbrojtura të tilla si Parqet Kombëtare dhe vendet e Natura 2000 (bën pjesë edhe Kosova në vendet e Natura 2000).

Përderisa pesë hidrocentralet, të cilat po mendohet të ndërtohen në komunën e Pejës, në lumin Lumbardh, specifikisht në Parkun Kombëtar të “Bjeshkëve të Nemuna”, ligji për mbrojtje të natyrës e ndalon “prekjen” e këtij parku, duke ndaluar shfrytëzimin ekonomik të të mirave natyrore. Në pikën tre dhe katër të nenit 11 për parqet kombëtare thuhet që ndalohen shfrytëzimi i natyrës burimore të këtyre parqeve.

“Në parkun kombëtar lejohen punët dhe veprimtaritë me të cilat nuk rrezikohet natyra burimore ndërsa në  parkun kombëtar ndalohet shfrytëzimi ekonomik i të mirave të natyrës”, thuhet në këtë nen.

Rezistenca kundër hidrocentraleve

Çështjet për ndërtimin e hidrocentraleve gjithashtu janë rritur më parë në pjesë të tjera të Kosovës, veçanërisht në Parkun Kombëtar Sharri. Problemet më të fundit kanë ndodhur në komunën e Shtërpcës, ku qytetarët protestuan në dhjetor të vitit të kaluar kundër ndërtimit të një hidrocentrali duke i vazhduar protestat edhe më vonë.

Banorët e Shtërpcës kanë protestuar vazhdimisht kundër ndërtimit të hidrocentraleve në parkun kombëtar Malet e Sharrit.

Sipas banorëve, me punimet që po zhvillohen për ndërtimin e hidrocentralit po dëmtohet rrjedha e lumit dhe cilësia e ujit të cilin e përdorin për pije. Pas rezistencës së banorëve, me një vendim, Inspektorati komunal i Shtërpcës ka ndaluar përkohësisht ndërtimin e një hidrocentrali në këtë komunë me arsyetimin se “ka ardhur deri te turbullimi i ujit të pijshëm në rezervuar dhe kjo po e përkeqëson furnizimin e banorëve”.

Fatmir Matoshi, ministër i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në emisionin ‘Jeta në Kosovë kishte deklaruar se asnjë hidrocentral në Kosovë nuk ka leje mjedisore.

Projektet ujore ne Ballkan

Në Serbi, mijëra njerëz janë bashkuar me protesta të vazhdueshme mbi planet për ndërtimin e 60 hidrocentraleve në Parkun Natyror të Stara Planina.

Në Bosnje dhe Hercegovinë, ‘Gratë e guximshme të Krushçicës’ kanë qëndruar në një urë për më shumë se një vit për të parandaluar ndërtimin e një dige dhe për të mbrojtur burimin e tyre të vetëm të ujit të pijshëm.

Në Kosovë ende nuk ka ndonjë studim të mirëfilltë rreth rezervave ujore, por ministri i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, i ftuar në emisionin “Jeta në Kosovë” ka thënë se ende nuk është bërë asnjë studim për resurset ujore të Kosovës, por Kosova bën pjesë në grupin e shteteve të varfra me rezerva ujore në rajon.

Edhe në një studim për lumenjtë e Ballkanit thuhet se 60% e lumenjve në BE nuk kanë një status të mirë ekologjik, gjë që ka çuar në një humbje dramatike në biodiversitetin e ujërave të ëmbla dhe sasinë e vogël të ujërave që mund të kenë lumenjtë.

Sipas studimit “Ruaje zemrën e kaltër të Evropës” të Riverwatch, organizatë për mbrojtjen e lumenjve në Ballkan, thuhet se nevoja e hidrocentraleve nuk është e madhe dhe është lehtë e zëvendësueshme me energji të erës edhe të diellit, tejkalon potencialin nga hidrocentralet prej pesë herë!

Sipas kësaj organizate, lumenj janë shumë të vlefshëm për t’i humbur dhe se sistemet alternative të energjisë mund të gjenden për të siguruar një të ardhme ku plotësohen nevojat ekonomike dhe ruhen vlerat mjedisore. Për të ruajtur këto vlera të jashtëzakonshme, planet për ndërtimin e pothuajse 3000 hidrocentraleve thjesht nuk mund të vazhdojnë.

05 Prill 2019 - 07:59

Drenushë Ramadani Kastriot Berisha 05/04/2019 - 07:59
NDËRVEPRIMI0

KRYESORE

Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend