Foto kortezi nga Pixabay

Vjersha e Dhembjes dhe e Hidhërimit

Sot kur debatet për futjen ose jo të edukatës fetare në shkolla, herë shuhen e herë vlojnë, ku njerëzit pothuajse në të gjitha rastet janë vënë në njërin o në tjetrin krahë dhe ku shumë të tjerë çojnë pluhur për identitetin tonë kombëtar, arsimi, si një prej segmenteve më të rëndësishme të një shoqërie, ka mbetur prapa e ecën zhag, dhe si gjithnjë për ne, një vegzë “e parëndësishme” që nuk luan asnjë rol në çështjet kombëtare.

Ai kryesisht ka ardhur duke u ngushtuar edhe më shumë e duke hyrë në shërbim të politikave ditore. Institucionet arsimore shpesh paralajmërojnë për një vjeshtë të varfër, për projekte që bien në ujë në mungesë të parave, për projekte të dështuara, dhe buxhetin shtesë ose ate të munguar, të cilin këto institucione, rrallë e përmallë e shohin me sy.

E tha edhe vetë kryeministri i Kosovës pak net më parë, se kosovarët kanë qenë të zënë për gjithë këto vite të pasluftës, dhe nëse diçka ka mbetur aty ku ishte dekada më parë – ky është arsimi. Vetëm, mos dhashtë zoti të jetë shumë më keq se ç‘ishte atëherë! Dhe gjithë ata që e luajtën këtë lojë, nuk janë as heronj, as tradhtarë, janë ashtu sikur të mos ekzistonin fare.

Në kohën kur bota ka ndryshuar kaq shumë, sistemi i arsimit në Kosovë ka ngutur breshkat. Në vend të stimulimit të fëmijëve, nxënësve e studentëve, ky sistem, me gjasë është goxha i aftë të të demotivojë, të të destimulojë dhe të të humbë dëshirën esenciale të shkollimit – dijen e zgjerimin e saj.

Por fjalët e ministrave e të kryeministrave t’i kujtojnë jo rrallë vjershat a hartimet e fëmijëve për stinët e vitit, por në ‘pafajësinë’ e tyre, fjalët shpesh janë plot pezm e zemërim, ku kush përpiqet të mbrojë fytyrën dhe veprimet personale dhe pazaret politike, e tashmë publikisht të thëna, edhe joshjet e pazaret seksuale. Të gjitha, me kohë e me mund i kanë vënë hije të zezë dijes kosovare.

Udhëheqësit politikë dhe shumë nga njerëzit e fushës arsimore duke i parë rrethanat në të cilat jetojmë janë shndërruar dhe janë lidhur ngushtë me politikën e interesave dhe interesin e parasë. Madje disa nga ta duket sikur janë shndërruar në “mentorë e këshilltarë” të politikave sezonale, por nuk thonë e sikur zhduken në kohën kur bota e vogël kosovare pret diçka prej tyre. Qoftë kur akuzohen për seksin në shkolla, qoftë kur flitet për fenë në shkolla apo kur esencialisht diskutohet për sistemin e dështuar që vendi ynë ka ndjekur në gjithë këtë kohë.

Me gjasë deklaratat e krerëve të arsimit kushtëzohen vetëm atëherë kur kanë të bëjnë me kauzën personale. Sido që të jetë, Kosova sot, është bërë si një vjershë e dhembjes dhe e hidhërimit, si në vjershat që dikur i shkruanin poetët atdhetarë.

Nëse kombi a shteti ynë ka nevojë për një sistem arsimor stimulues e tërheqës, duke iu ofruar nxënësve, të të gjitha niveleve, mësim cilësor në përmbushjen e potencialeve të tyre, nëpërmjet një programi mësimi profesional, praktik e teorik, ne ose ata, nuk e kemi bërë. Dhe ky nuk është faji apo defekti i një ministrie, as i një qeverie, as i një partie, as i një shkolle, apo i një drejtuesi – faji është se asnjëri prej tyre nuk ka arritur a nuk ka mundur ta kuptojë se me hapat e ecjes së botës, arsimimi, sigurisht se jo vetëm te ne, nuk mund të ecë si nuset e dikurshme.

Po mbi çdo gjë, e mbi cilësinë e munguar e sidomos vullnetin e munguar, ajo që e karakterizon udhën tonë të mësimit, është zhagitja. Duhet të jetë goxha e vështirë të mësosh t’i lësh punët zhag, ose mbase kjo ndodh sepse shqiptarët duhet ta kenë në gjene këtë dukuri. Kushedi kush ishte ai i krisur që kish pasë thënë “punën e sodit mos e lë për nesër!”, sepse kjo thënie e urtë vetëm për shqiptarët nuk mund të vlejë.

Jemi në kohë dhe në situata të tjera dhe bashkëkohësia jonë është krejt e ndryshme nga dekada më parë. Në këtë prizëm, edhe çështja e edukatës fetare apo e ngacmimit seksual, janë shndërruar në çështje të nxehta, por që ajo që harrohet është diskutimi i madh për ndryshime esenciale e të ngutshme në tërë sistemin arsimor. Është krejt e pakuptueshme se si mund të ndodhë që një hoxhë ose edhe një profesor universiteti p.sh., mund të ngrenë alarmin se futja e mësimit fetar në sistemin e arsimit, është çështje që nuk pret dhe që dikur mund të bëhet vonë.

Çështje që nuk pret, është fillimisht e parimisht përmirësimi i cilësisë së arsimit, gjithë të tjerat me rend, sepse ndryshe nuk ka asnjë efekt, dhe Kosova e dijes sot, do vazhdojë të mbetet si një vjershë e dhembjes dhe e hidhërimit.