Mjaft dhunës!

Viktimat e dhunës rrezikojnë të mbeten në rrugë, strehimoret s`kanë para

Strehimoret e viktimave të dhunës me vështirësi në financim dhe me rrezik për mbyllje

Drejtuese të institucioneve të strehimit të viktimave të dhunës në familje kanë thënë se, përveç se i kanë kaluar muajin mars e prill pa para, financimi i qendrave është bërë edhe më i vështirë.

Sipas tyre kushti i vetë-financimit (me 50%) i vendosur nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies sociale do ta bëjë edhe më diskutabile mbajtjen financiare të këtyre qendrave strehimore.

Drejtoresha e qendrës për strehimin e grave dhe fëmijëve që janë viktima të dhunës në familje në Pejë, Ardita Bala, ka thënë se “…tash është e detyrueshme që për të përfituar projektin nga ministria (strehimorja) të ketë bashkëfinancim”.

“Ne punojmë vetëm me donacione, dhe nëse në ketë periudhë nuk kemi ndonjë donacion e kemi të vështirë ta marrim projektin. MPMS i ka dhënë 20,000 euro për 8 muaj dhe na kërkon ne t`i gjejmë 20,000 euro te tjera, dhe ky është problem”, deklaroi  ajo.

Bala ka shtuar se strehimoret ministria përgjegjëse nuk po e ofron ndihmën e plotë, dhe se po e sheh mundësinë e bashkëfinancimit nga komuna.

Përderisa Komuna e Pejës i ka ndarë një shumë prej 5.000 eurosh kësaj strehimoreje, Bala shprehet se një nga mundësitë është që komunat të jenë bashkëfinancuese të qendrave.

Po ashtu, drejtoresha e qendrës së Pejës tha se MPMS duhet t’i ruajë qendrat strehimore nga mbyllja.

“Ministria tërë kohën duhet ta dijë që (qendrat e strehimit) nuk guxojnë të mbyllen. 7 gra me fëmijë është dashur ta lënë vendin në janar dhe më pas i kemi thirrur përsëri (pas hapjes)”, tha Bala.

Ndërkaq, ajo tha se nuk është hera e parë që përdoret bashkëfinancimi, por e ka quajtur të “pavlefshëm” për shkak të mungesës së garancive që komunat do t’i mbështesin strehimoret.

Bala po ashtu u shpreh se praktika e 50% mund t’i shtyjë strehimoret të mos deklarojnë gjendjen reale të financimit.

“Komunat dhe MPMS duhet të na i japin 50%, por të mos na detyrojë të shkruajmë (në aplikacion) kinse i kemi edhe 50% të tjera të cilat nuk i kemi”, theksoi drejtoresha e qendrës së Pejës.

Ndërsa, drejtoreshat e strehimoreve në rajonin e Gjakovës dhe Gjilanit kanë thënë se komunat e tyre nuk u kanë dhënë mbështetje përveç rastit të Pejës.

Nazife Jonuzi nga strehimorja e grave dhe fëmijëve në Gjilan ka thënë se komuna e Gjilanit, Kamenicës, Parteshit dhe Vitisë nuk e kanë financuar qendrën.

Po ashtu, Sakibe Doli, drejtoreshë e qendrës strehimore të Gjakovës, tha se mbështetja financiare e radhës pritet të jetë për periudhën maj-dhjetor.

Ndërsa, drejtoresha e qendrës së Gjilanit, Nafize Jonuzi ka folur për takimin me kryeministri Haradinaj më 25 nëntor 2017, kur ai pati deklaruar se “duhet rritur përkujdesja institucionale për të gjitha strehimoret në Kosovë”.

Por, problemi i financimit të strehimoreve ka vazhduar edhe gjatë këtij viti. Edhe mesi i janarit i zuri qendrat e strehimit pa para.

Nga ana tjetër, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, e ka konfirmuar se sipas udhëzimit për aplikim gjysma e kostos se projektit “mund të mbulohet përmes fondeve që pritet të marrin, apo nga burimet tjera të donatorëve, komunave dhe burimeve vetanake të OJQ-ve”.

Mimoza Kqiku, këshilltare për informimin e publikut në MPMS, po ashtu tha se mos-gjetja e financimit 50% nga donacionet e jashtme nuk e bën të pamundshëm financimin nga MPMS, por ajo e ka pranuar se kjo mund të shkaktojë vështirësi për strehimoret.

“Thirrja e MPMS-se nuk ka përcaktuar si kriter përjashtues OJQ-të të cilat nuk sigurojnë financimin e pjesës tjetër prej 50%, por mungesa e deklarimit të mbështetjes apo sigurimit të fondeve për mbulimin e shpenzimeve prej 50%, krijon vështirësi që projektet e këtyre organizatave t’i arrijnë rezultatet e pritura dhe të zbatojnë aktivitetet e planifikuara në projekt propozim”, tha Kqiku për Gazetën JnK.

Sipas saj, më pas, është në kompetencën e Komisionit të Vlerësimit, “që në përputhje me Rregulloren e Ministrisë së Financave, thirrjes publike dhe Udhëzuesit për Aplikantë të rekomandojë dhe të marrë vendimin e duhur”.
Por, Naim Qelaj, zëvendësministër i Drejtësisë dhe Koordinator Nacional Kundër Dhunës në Familje, tha për Gazetën Jeta në Kosovë se “pjesëmarrja me 50% kontribut nga donatorët është kërkesë e OJQ-ve që merren me strehimoret për shkak se kanë thënë se duhet të përfshihen edhe komunat edhe vetë OJQ-të”.

“Prej fillimit, kur jam emëruar në këtë pozitë (31 janar), e kam parë që strehimoret kanë problem financimi. Megjithatë kjo nuk është hera e parë që aplikohet kjo metodë e financimit… Pa dyshim që paraqet vështirësi edhe pse ka qenë kërkesë e vetë OJQ-ve”, tha ai.

Qelaj tha se është në “fazën e hartimit të një dokumenti me të cilindo të kërkoj që të sigurohet një qëndrueshmëri financiare për strehimoret. Sepse çdo vit po ballafaqohemi me situata të njëjta.

Ai rikujtoi se këto situata i çojnë strehimoret edhe drejt mbylljes.

“Ka qenë qëndrim i përbashkët i grupit ndër-ministror që merret (e trajton)  me dhunën në familje, që qëndrueshmëria financiare të arrihet përmes një kodi buxhetor”, deklaroi Qelaj për Gazetën Jeta në Kosovë.

Ai tha se pret që me 15 maj të organizohet grupi ndërministror ku do të merret qëndrimi se si do të adresohet kërkesa dhe ku sipas tij, do të shqyrtohet edhe mundësia që buxheti i strehimoreve të jetë i mbështetur tërësisht nga një vijë buxhetore e MPMS.
Mirëpo, kjo sipas tij, nuk lidhet me ndryshimet brenda këtij viti, por në vitin e ardhshëm buxhetor kur miratohet ligji për buxhetin (2019).

Ndërkaq, Adelina Berisha, koordinatore për avokim, në Rrjetin e Grave të Kosovës, ka thënë se ky rrjet i organizatave ka kërkuar edhe më herët stabilitetin financiar të strehimoreve.

“RrGK gjithmonë ka avokuar që strehimoret të mbështeten 100% nga shteti pasi që shteti e ka për përgjegjësi të mbrojë viktimat, kjo bazuar në Kushtetutën e Kosovës në kapitullin 2 mbi të drejtat dhe liritë themelore, si dhe ligjet tjera”, u shpreh ajo.

Berisha shtoi se rrjeti i ka rekomanduar linjë të veçantë të buxhetit Qeverisë për strehimin e grave e fëmijëve që janë viktima të dhunës në familje.

“Ky është një rekomandim të cilin RrGK e ka dhënë edhe në të kaluarën. Edhe në raportin ‘Nga Fjalët në Vepra?’ RrGK ka kërkuar që të sigurohet që çdo vit, në kohën e duhur strehimoreve t’u jepen financime të përshtatshme të cilat mbulojnë të gjitha shpenzimet e nevojshme për ofrimin e shërbimeve cilësore personave të strehuar”, u shpreh ajo.

Më 12 janar u nda një fond emergjent prej 7.000 eurosh, për secilën nga 9 strehimoret, për periudhën janar-shkurt.

Mirëpo drejtueset strehimoreve të Gjilanit, Pejës dhe Gjakovës, kanë thënë për Gazetën JnK se kanë qenë të detyruara t’i përdorin mjetet financiare edhe për muajin mars dhe prill kur mbyllej periudha e raportimit financiar në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Po ashtu, ato kanë thënë se presin që financimi prej 50% nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale të vijë në mesin e këtij muaji.