Ramush Haradinaj në Ferizaj - Foto: Facebook

Zariqi Premton Ndërtimin e Spitalit Rajonal në Ferizaj

Kandidati i AAK-së për kryetar të Ferizajt, Xhavit Zariqi, ka premtuar ndërtimin e Spitalit Rajonal.

Krahas zhvillimit ekonomik, ngritjes së cilësisë në arsim e shëndetësi, Zariqi në programin e tij qeverisës ka paraparë dhe përkrahje më të madhe për bizneset ferizajase.

“Programi jonë mbështetet në shumë fusha, por prioritet e kemi zhvillimin ekonomik, që sjell hapjen e vendeve të punës… Do të përkrahim bizneset dhe të krijojmë klimë të përshtatshme për biznes dhe përmes zyrës që do të krijojmë për investime të huaja”, theksoi ai.

Zariqi u zotua se do të qeverisë me transparencë dhe në mënyrë demokratike.

Në tubimin në Ferizaj, lideri i AAK-së dhe kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ka premtuar zgjidhjen e çështjes së kompensimit të punëtorëve të Fabrikës së Gypave.

Ish-punëtorët nuk i kanë marrë rreth 26 milionë euro kompensim, tash sa vjet, megjithëse në favor të tyre ka vendosur edhe Gjykata Kushtetuese.

Në vazhdim, Haradinaj ka lavdëruar ferizajasit si njerëz punëtorë e të shkathët për biznes si dhe premtoi rritje të buxhetit për bujqësi.