Albin Kurti gjatë një proteste të Vetëvendosjes. Foto: Atdhe Mulla

Vetëvendosje, Nga Prishës të Rendit në Faktor Kyç Politik

Në kohën kur e ardhmja e koalicionit qeverisës në Kosovë në mes Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) mbetet e paqartë, popullariteti i partisë më të madhe opozitare Vetëvendosje po vazhdon të rritet.

Ky popullaritet ka ardhur si pasojë e shumë kompromiseve dhe skandaleve në të cilat ka qenë e përfshirë elita politike e Kosovës në vitet e fundit, thotë gazetari i lindur në Kosovë, Enver Robelli, redaktor i të përditshmes zvicrane Tages Anzeiger.

“Shpeshherë nuk pajtohem me fjalorin e tyre, por një parti politike kokëfortë është një gjë e mirë për Kosovën në rrethanat e tanishme demokratike”, tha Robelli për BIRN.

Megjithatë, Robelli beson se Vetëvendosje do të bëhet më racionale teksa vazhdon të rritet. “Çdo parti politike bëhet racionale kur vjen në pushtet. Përballja me realitetin është e mirë për secilën parti”, tha ai.

“Ekziston një dallim i madh në mes të protestuarit përballë qeverisë dhe uljes në karrigen e Kryeministrit dhe mbajtjen e përgjegjësisë për fatin e 2 milionë njerëzve,”- shtoi ai.

Sondazhi i papritur shkakton debat publik

Vërejtjet e Robellit reflektojnë një debat në ngritje në mes të ekspertëve vendorë dhe disave ndërkombëtarë për të ardhmen e “Vetëvendosjes” dhe skenës politike Kosovare në përgjithësi.

Ky debat është nxitur shumë nga një sondazh i fundit i cili është porositur dhe publikuar nga vet lëvizja “Vetëvendosje”, por që është kryer nga një kompani me qendër në Prishtinë, UBO Consulting.

Në këtë sondazh të publikuar më 21 Mars, shihet se partia opozitare la prapa 2 partitë e koalicionit qeverisës PDK-në dhe sidomos LDK-në.

Në sondazh, duke u përgjigjur në pyetjen “Për cilën parti do të votonit nëse zgjedhjet do të mbaheshin këtë të diel?”, 26% e të anketuarve u përgjigjën për Lëvizjen Vetëvendosje kundrejt 23% që zgjodhën PDK-në e Kadri Veselit dhe 20% zgjodhën LDK-në e Isa Mustafës. Një pjesë tjetër prej 20% u shprehën të pavendosur.

Rivalët e Vetëvendosjes minimizuan rëndësinë e sondazhit.

“Ne nuk i besojmë këtij sondazhi sepse është një sondazh i porositur nga Lëvizja Vetëvendosje dhe për këtë arsye nuk do të humbim kohë duke u marrë me të. Votat në zgjedhjet e fundit kanë treguar se ku jemi”, tha për televizionin Klan Kosova nënkryetari i LDK-së Haki Rugova një ditë pas publikimit të rezultateve të sondazhit.

Foto: BIRN

Por sekretari i përgjithshëm i Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj tha se sondazhet duhet të merren seriozisht, pa marrë parasysh nëse janë të inicuar nga partia e tij.

“Shumë njerëz nuk besojnë në këtë sondazh, por ky është rast i njëjtë si në zgjedhjet për kryetar komune të Prishtinës në 2013,” – tha ai.

“Shumë njerëz nuk besuan se ne do të fitojmë”, tha Molliqaj, duke iu referuar zgjedhjeve ku kandidati i Vetëvendosjes Shpend Ahmeti mposhti kryeministrin aktual Isa Mustafa duke tejkaluar të gjitha pritshmëritë.

Ai pohon se Vetëvendosje i ofron qytetarëve diçka që partitë e tjera nuk i ofrojnë, dhe shpreson që kur të mbahen zgjedhjet e ardhshme, partia e tij të vazhdojë trendin global të shkaktimit të surprizave në qendrat e vetëkënaqura politike.

“Ne jemi duke jetuar në një periudhë të ndryshimeve radikale globale. Vetëvendosje është ndryshe nga të tjerët, kështu që nëse votuesit dëshirojnë ndryshime, do t’i gjejnë te ne”, shtoi Molliqaj.

Albert Krasniqi nga Instituti Kosovar për Demokraci (KDI) me qendër në Prishtinë i tha BIRN-it se sondazhi i fundit theksoi rritje të madhe të mbështetjes.

Por me shumë të anketuar ende të pavendosur se për kë të votojnë, Krasniqi tha se është kurioz për të parë se si do të përkthehej ky rezultat në praktikë atëherë kur të zhvillohen zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Kosovë.

Historia e krijuar në rrugë

Vetëvendosje u formua si një lëvizje e rrugës duke këmbëngulur që Kosova ta përcaktojë fatin e saj vetë dhe duke kundërshtuar çdo marrëveshje ndërkombëtare për të ardhmen e vendit.

Më 12 Qershor 2005 , kur Kosova po festonte 6 vjetorin e çlirimit nga regjimi serb, një grup i të rinjve dolën rrugëve të Prishtinës përballë misionit të OKB-së që administronte Kosovën, UNMIK.

Një ish udhëheqës i lëvizjes studentore, Albin Kurti, i cili ishte burgosur nga Serbia gjatë fushatës së sulmeve ajrore të NATO-s më 1999, udhëhoqi grupin e njerëzve të cilët kishin shkruar sloganin ” Jo Negociata, Vetëvendosje” në muret e UNMIK-ut.

Fillimi i lëvizjes e cila sfidoi një sistem politik të sponsoruar dhe mbështetur nga bashkësia ndërkombëtare, përkoi me kohën kur ish sekretari i OKB-së emëroi një diplomat norvegjez, Kai Aide, për të parë nëse ishte koha për të ecur përpara në zgjidhjen e statusit final të Kosovës.

Aktivistët e VV-së shkruajnë parulla nëpër mure. Foto: Vetëvendosje

Pas veprimeve të shumta në rrugë, duke përfshirë shkrimet e grafiteve në mure, në shkurt të vitit 2007 Vetëvendosje kishte organizuar një protestë masive në sheshin kryesor të Prishtinës, kur i  dërguari i OKB-së për statusin përfundimtar të Kosovës, diplomati finlandez Marti Ahtisaari, paraqiti planin e tij, për të cilin lëvizja këmbënguli se nuk përmbushte pritjet.

Dy protestues u qëlluan për vdekje nga policia speciale rumune që vepronte në kuadër të UNMIK-ut.

Në fillim të këtij viti, organizata mbikëqyrëse e të drejtave të njeriut Amnesty International i bëri thirrje OKB-së për t’i dhënë drejtësi familjeve të dy viktimave dhe të kërkojë falje për “dështimin për të mbrojtur jetët e Mon Balajt dhe Arben Xheladinit”.

Në vitin 2010 Vetëvendosje hyri edhe zyrtarisht në politikë duke marrë pjesë në zgjedhjet e përgjithshme dhe duke fituar 12.4% të votave dhe 14 nga 120 vende në Parlament.

Por ndërkohë që shumë analistë menduan se tani ishte koha që Vetëvendosje të lëvizë nga veprimet e rrugës në angazhim politik në parlament , Vetëvendosja ka vazhduar me të dyja.

Në qershor të vitit 2013, kur deputetët po diskutonin marrëveshjen e ndërmjetësuar nga BE në mes të Kosovës dhe Serbisë, protestuesit e Vetëvendosjes bllokuan hyrjet në parlament.

Ish ambasadorja amerikane Tracey Ann Jacobson kishte pësuar gërvishtje në dorën e saj duke u përpjekur për të hyrë në ndërtesë.

Disa javë më vonë, ish-Zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit Philipp Reeker bëri bujë të madhe kur reagoi me zemërim ndaj incidenteve të tilla.

“Palaçot që duan të jenë të dhunshëm duhet të mendojnë dy herë për veprimet e tyre për të ardhmen e vendit,” tha Reeker.

Përgjigja e Vetëvendosjes erdhi menjëherë. “Kjo është një gjuhë anti-demokratike. Autoriteti amerikan nuk mund të ndërtohet duke ofenduar një bashkësi politike”, tha Dardan Molliqaj në atë kohë.

Në ndërkohë, Vetëvendosja përdori gaz lotsjellës brenda Parlamentit dhe koktej molotovi jashtë tij në përpjekje për të ndaluar Parlamentin që të ratifikojë një marrëveshje kufiri me fqinjin e Kosovës me Malin e Zi dhe themelimin e një Asociacioni autonom të komunave me shumicë serbe.

Pas gati 4 vitesh të marrëdhënieve të akullta në mes të Vetëvendosjes dhe partnerët amerikanë të Kosovës, të dy palët duket se kanë arritur një detantë.

Javë më parë, kur Zëvendës Asistenti i Sekretarit për Çështje të Europës dhe EuroAzisë, Hoyt Brian Yee, vizitoi Kosovën, ai takoi liderin e Vetëvendosjes, Visar Ymeri.

Albert Krasniqi, nga KDI thotë se duke qëndruar në opozitë ka qenë e lehtë për Vetëvendosjen që thjesht t’i kundërshtojë propozimet ndërkombëtare.

Por kjo qasje ka krijuar një distancë në mes të partisë dhe forcave ndërkombëtare, që tani Vetëvendosje po mundohet të afrojë, “duke vënë kontakt të drejtpërdrejtë”, tha Krasniqi duke iu referuar takimit të Ymerit me Hoyt Brian Yee.

Një lëvizje e ndryshueshme

Qershorin e kaluar, Vetëvendosja përsëri befasoi publikun duke prezantuar si anëtar në radhët e saj Dukagjin Goranin, një nga ish-këshilltarët kryesorë të Hashim Thaçit.

Ish-gazetari Gorani tha se ngërçi politik që e kishte kapluar Kosovën që nga 2014, kishte ndikuar në lëvizjen e tij.

“Vetëvendosja është e vetmja organizatë në Kosovë që mund t’i rezistojë normës se… qeveria është e papërgjegjshme ndaj qytetarëve dhe se njerëzit janë të parëndësishëm”, tha Gorani për KTV-në, në ditën kur shpalli anëtarësinë e tij në Vetëvendosje.

Në këtë pikëpamje, Vetëvendosje mban një rol të dyfishtë në politikën e Kosovës.

“Njëra është të kundërshtojë një formë të qeverisjes që është provuar se është e dëmshme ndër vite. E dyta është të luftojë kulturën e konformizmit social” , tha Gorani.

Astrit Gashi, analist dhe themelues i Gazetës Blic, thotë se Vetëvendosje e sotme është ndryshe nga lëvizja e vjetër.

“Vetëvendosja vazhdimisht ndryshon. Sot është ndryshe nga viti i kaluar e lëre më para 10 viteve”, tha Gashi.

“Një arsye për këtë është ambicia e tyre për ta drejtuar qeverinë dhe dëshirën e saj për të arritur këtë qëllim. Do të shohim edhe shumë ndryshime”, tha Gashi për BIRN, duke parashikuar se edhe politikat nacionaliste to të shuhen me kohë.

Dardan Molliqaj pranon se duke u marrë me çështje të mëdha e ka detyruar Vetëvendosjen të rritet dhe thotë se zhvillimet politike në Kosovë kanë kontribuar në këtë.

“Disa gazetarë më kanë thënë se edhe Thaçi dhe Mustafa po e përdorin diskursin tonë… Ne do të vazhdojmë të rritemi përderisa edhe vetë rivalët tanë vazhdojnë të huazojnë diskursin tonë”, tha Molliqaj.

Sipas Gashit, partia tani po fokusohet në keqbërjet e qeverisë.

“Vetëvendosja ka vërejtur se… mosfunksionimi i koalicionit qeveritar po punon për ta, pra ata po mundohen të mos bëjnë më shumë gabime,” tha Gashi.

Partia është e kujdesshme tani që të mos mërzisë më shumë votues potencialë dhe njerëz që mund të kenë dëshirë t’u bashkohen atyre”, shtoi Gashi.

A do ta moderojë më shumë VV-në synimi për pushtet?

Vetëvendosje vazhdon të premtojë se do t’i kthejë marrëveshjet e arritura me Serbinë dhe shumë marrëveshje të tjera që i kanë bërë qeveritë e Kosovës deri më tani.

Albert Krasniqi thotë se Vetëvendosje ka qenë e paqartë në deklarata sa i përket qasjes, sidomos në dialogun e Kosovës me Serbinë për normalizim të marrëdhënieve.

“Në parim janë deklaruar se janë për dialog, por që ky të jetë i kushtëzuar, e një prej kushtëzimeve kryesore është njohja reciproke. Në anën tjetër, ka pasur deklarata se dialogu duhet të zhvillohet me serbët lokal e jo me Serbinë”, thotë Krasniqi.

Por Robelli mendon se përmbysja e marrëveshjeve të arritura deri më tani është pothuajse e pamundur.

“Sistemi nuk mund të ndryshojë, vetëm pse një vizionar i Vetëvendosjes mendon ashtu”, tha Robelli.

Ai lidh progresin e Vetëvendosjes me përrallën e Vëllezërve Grimm të ujkut dhe shtatë kecave.

Në përrallë, ujku largohet dhe duke u munduar ta zbusë zërin nga dhitë, blen një qyp me mjaltë.

“Për të ardhur në fuqi, Vetëvendosje duhet ta ndryshojë zërin e saj. Nëse do ta bëjnë këtë përmes mjaltit ose ndonjë mjeti tjetër, mbetet të shihet”, tha Robelli.

Brenda sistemit politik aktual në Kosovë, edhe nëse vjen e para në zgjedhje të përgjithshme, Vetëvendosje prapë do ta gjejë veten duke kërkuar nga partitë e tjera që t’i bashkohen në koalicion.

Astrit Gashi mendon se Vetëvendosje megjithatë, një gjë e ka bërë të qartë.

“Ata kanë thënë se nuk do të bëjnë koalicion me PDK-në dhe unë besoj që do të qëndrojnë në këtë”, tha ai.

“Sa për partitë e tjera , e shoh si të mundshëm çdo opsion”, tha Astrit Gashi.