Ilustrim - Foto: Atdhe Mulla

Veteranët Thonë se UÇK-ja Nuk Është në Gjyq

Krijimi i Gjykatës Speciale të Kosovës është shoqëruar me debate të nxehta në Kosovë. Qeveria këmbëngul që Kosova duhet të përmbushë detyrimet e saj ndaj partnerëve të saj ndërkombëtarë dhe ta krijojë gjykatën, ndërsa opozita shprehet se gjykata do të jetë e padrejtë ndaj shumicës shqiptare dhe do të komprometojë luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK.

Një grup fokusi veteranësh lufte nga qyteti i Skenderajt zbulon se shumë prej tyre besojnë se para dhe pas miratimit të ligjit për Dhomat e Specializuara, nuk pati një debat siç duhet mbi arsyen pse po ngrihet kjo gjykatë.

Këta veteranë vënë në dyshim besueshmërinë dhe suksesin e mundshëm të Gjykatës Speciale. Ky skepticizëm mbështetet nga mungesa e rezultateve konkrete nga puna e UNMIK-ut dhe EULEX-it. Ata dyshojnë se dëshmitarët e mundshëm nga komunat e tyre në Gjykatën Speciale gjithashtu mund të japin dëshmi të rreme dhe të bëjnë akuza të rreme, të nxitura nga përfitimet personale dhe mundësia e largimit nga Kosova.

“Ka dëshmitarë që kanë marrë dokumente shtetësie duke thënë se ata ishin kërcënuar dhe rrahur nga UÇK/TMK-ja. Ne e dimë historinë e çdo individi në Skenderaj që dëshmon,” thanë ata.

Këta veteranë shprehen se ata shkuan në luftë për të mbrojtur shqiptarët e Kosovës nga sundimi shtypës serb. Ata këmbëngulin se diskriminimi, rrahja, burgosja, keqtrajtimi i anëtarëve të familjes, vrasjet dhe shkatërrimi i jetës së tyre ishin motivet që i detyruan të merrnin armët dhe ata thonë se nuk kishin zgjedhje tjetër: «duhet të arratiseshin ose të luftonin”.

Sipas organit të sundimit të ligjit të BE-së, EULEX-it, krime të shumta u kryen në zonën e Skenderajt dhe 15 ish-anëtarë të UÇK-së janë akuzuar në lidhje me këto krime. Aktakuza e EULEX-it pohon se ata i rrahën viktimat e tyre me shkopinj dhe i detyruan ata të rrihnin njëri-tjetrin. Thuhet se një numër civilësh të tjerë janë torturuar në të njëjtën qendër paraburgimi në fshatin Likovc nga shtatori 1998 deri në fillim të vitit 1999.

Por veteranët e intervistuar këmbëngulin se ata qenë shumë të kujdesshëm me trajtimin e civilëve jo shqiptarë gjatë luftës, sidomos në Drenicë. “UÇK-ja mori peng ushtarë, por i shkëmbeu ata, askush nuk u keqtrajtua – jo vetëm civilët, por edhe ushtarët që u kapën. Ajo nuk kreu krime kundër tyre. Në Drenicë ne nuk kemi raste të tilla,” thanë ata.

“Kishte edhe njerëz të zemëruar, familjarët e të cilëve u vranë dhe përdhunuan, dhe pas luftës ata nuk ishin më në vete. Ka gjasa që ata të kenë kryer krime nga zemërimi dhe nëse janë përballur me ndonjë serb, ata mund ta kenë vrarë. Por këta duhet të shihen si individë jo si autorë që veprojnë në emër të UÇK-së.”

Motivi i vrasjeve për pronën nuk mund të anashkalohet. Megjithatë, veteranët këmbëngulin se nuk ka prova për ndonjë krim të kryer në mënyrë të organizuar apo me urdhër të UÇK-së.

“Kam pasur pengje serbe, baballarët e të cilëve mbanin poste të larta dhe nuk i ekzekutova ata. I lashë të lirë. Nuk kishte urdhra nga lart për të ekzekutuar ndonjë,” tha njëri.

Vetëm disa veteranë kishin ndonjë njohuri të normave ndërkombëtare të ligjit të luftës; dy konfirmuan se morën literaturë nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar mbi sjelljen e ushtarëve në luftë, trajtimin e civilëve, higjienën dhe kështu me radhë.

Disa thonë se pas ofensivës së parë të madhe, në shtator të vitit 1998, filloi trajnimi për ligjet e luftës, por thoshin se përpara kësaj ofensivë, “ata dinin vetëm të kapnin armën e të qëllonin”.

Të rinjtë që morën armët nuk kishin bërë asnjë shërbim ushtarak. Veteranët e Skenderajt shtojnë se asnjë komandant nuk i mbikëqyri ata nga fillimi deri në fund dhe se ata vepronin si një ushtri jo e rregullt.

Ata këmbëngulin se komandantët e tyre i dinin rregullat e luftës sepse ishin trajnuar më parë për këtë në Berishë dhe se kërkesat e tyre ishin të silleshin mirë dhe të ndihmonin civilët pa dallim etnie.

“Askush nuk më tha “vrit dikë”. Unë kapa tre serbë dhe i lashë të lirë ata. Sot ata janë gjallë. I mbajta një muaj dhe sot ata janë gjallë. Pata urdhër t’i liroja ata,” tha njëri.

“Refugjatët që gjetëm në Shtëpinë e Kulturës, u dorëzuam; askush nuk i preku ata, ushtria (UÇK-ja) nuk i lëndoi. Ndërsa ishim në luftë, ne lëviznim gjithmonë në formacione me nga katër deri në pesë persona, kështu që askush nuk vrau asnjë pa pasur dikë tjetër aty pranë.”

Të pyetur se cili do të ishte reagimi i tyre nëse Dhomat e Specializuara do të ofronin prova të padiskutueshme për krimet e UÇK-së, veteranët u përgjigjën se edhe nëse ka pasur vrasje civilësh, ato ishin krime individuale të kryera për arsye personale dhe asnjëherë nuk janë kryer nga ndonjë urdhër i lëshuar nga komandantët e UÇK-së.

“Nëse ndonjë individ shkoi dhe mori një armë në Shqipëri, veshi një uniformë dhe më pas vrau dikë, atëherë le të përgjigjet ai për atë që ka bërë vetë, jo e gjithë UÇK-ja,” tha njëri.

Veteranët nuk janë dakord edhe me zgjatjen e periudhës së kohës luftës pas hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë. Neni 7 i Ligjit nr. 05 / L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorisë së Specializuar përcakton kohën e veprave penale të kryera midis datës 1 janar 1998 dhe 31 dhjetor 2000.

Periudha për të përcaktuar se kur janë kryer krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit është një shqetësim i madh i veteranëve, pasi ata nuk marrin përsipër përgjegjësinë për shkeljet e kryera pas shpërbërjes së UÇK-së në shtator të vitit 1999 dhe ankohen se kjo gjykatë ka mandat për të identifikuar shkeljet e kryera deri në fund të vitit 2000.

UÇK-ja hyri në Skenderaj më 18 qershor dhe, sipas tyre, pas kësaj date asnjë ushtar i UÇK-së nuk kreu asnjë krim në emër të UÇK-së. Veteranët thonë se hierarkia e komandës dhe aktiviteti ushtarak i UÇK-së ndaluan në shtator të vitit 1999. “Pas kësaj date, ata që kryen krime nuk ishin më ushtarë të UÇK-së,” thonë ata.

Veteranët janë të frustruar edhe nga ajo që ata e shohin si mungesë përgjegjësie e lidershipit të Kosovës dhe sidomos me përpjekjet për të shfuqizuar ose ndryshuar ligjin për Gjykatën Speciale.

Ata thonë se po të mos ishte për forcat perëndimore të kryesuar nga Shtetet e Bashkuara, Kosova nuk do të ishte çliruar kurrë. Kjo është arsyeja pse ata kërkojnë më shumë përgjegjësi nga qeveria dhe ndihen të abuzuar nga politikanët që përpiqen të shfuqizojnë apo të ndryshojnë ligjin për Gjykatën Speciale, të ndërmarrë nga një grup deputetësh në dhjetor 2017.

“Kushdo që ka kryer krime duhet të marrë përsipër përgjegjësinë e tij. Le të dënohet për krimin e tij, Askush nuk mund të thotë se e kanë bërë këtë në emër të UÇK-së, sepse nuk pati krime dhe nuk pati urdhra të tilla,” thonë ata.

Veteranët ndiejnë se lidershipit të vendit i mungonte kuraja dhe përgjegjësia për t’u përballur me të kaluarën.

“Kjo lojë quhet: Ju më fajësoni mua, unë ju fajësoj juve. Kjo është loja jonë. Zona e Drenicës që fajëson zonën e Dukagjinit. Ajo e Dukagjinit fajëson zonën e Llapit… Dikush duhet të marrë përsipër përgjegjësinë, duam apo jo ne. Nëse dikush ka kryer një krim, le të ndëshkohet, nëse ka fakte; por dyshojmë se ka fakte.”

Veteranët shohin një mungesë serioziteti dhe qëndrimi të padenjë të zyrtarëve të qeverisë edhe për listat e veteranëve të luftës, duke konfirmuar se ato lista kanë më shumë emra në to sesa ishin anëtarët aktualë të UÇK-së.

Shumica e publikut ndërkombëtar dhe atij lokal është kureshtar për atë që do të ndodhë pas ngritjes së aktakuzave të para dhe nëse situata e sigurisë do të përkeqësohet, duke shkaktuar trazira në Kosovë.

Por veteranët ishin unanimë që nuk do të kishte përshkallëzim të një situate tashmë të brishtë, pasi njerëzit ishin të lodhur nga protestat dhe trazirat dhe ishin të bindur se edhe nëse akuzohen zyrtarë të lartë, njerëzit do të mirëpresin çdo vendim për sa kohë që këta individë kanë shkelur qartë ligjin.

Ata pretendojnë se nëse zbulohen fakte, nuk do të ketë trazira, por nëse ata mendojnë se Gjykata po vepron keq, ata do të reagojnë. Në të njëjtën kohë ata shprehin shqetësimin se trazirat mund të shkaktohen nga të dyshuarit e mundshëm.

Veteranët favorizojnë ndëshkimin e çdo zyrtari që vërtetohet se është përfshirë në korrupsion apo krim të organizuar, por jo për ndëshkimin e tyre për krime lufte dhe bëjnë thirrje që emri i UÇK-së të mos njolloset.

“Ata kanë abuzuar me pushtet për interesa personale. Këdo që të marrin, nuk do të ketë asnjë trazirë. Ata që janë në listë për t’u gjykuar janë njerëz nga të cilët populli tashmë është lodhur,” thanë ata.

 

Nora Ahmetaj është themeluese e Qendrës për Hulumtim, Dokumentim dhe Publikim (QHDP). Ajo ndihmoi grupin e parë të fokusit të veteranëve nga Skenderaj, i organizuar nën programin “Dialogu dhe angazhimi publik në Gjykatën Speciale të Kosovës,” i vënë në zbatim nga Integra, CPT dhe PAX.

Opinionet e shprehura në sektorin e Komenteve janë vetëm ato të autorit dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.