Veshmbathje Me Ndërgjegje

Kultivuesit e pambukut janë përgjegjës për më shumë se 25 për qind të të gjitha insekticideve të përdorura në botë, dhe për 12 për qind të pesticideve. Duhet të brengosemi për pesticidet – ndikimin e tyre në biodiversitet dhe, përmes zinxhirit ushqimor, për ndikimin e tyre në shëndetin e njeriut – pra duhet të kemi parasysh prej nga vjen pambuku dhe veshmbathjet që blejmë. Ka mundësi që të blihet pambuk i certifikuar si produkt bio, mirëpo deri tash nuk kam gjetur një furnizues në Kosovë. E, kështu, cila është zgjedhja etike e të veshurit këtu?

Zgjedhja juaj për të mos pasur ndikim ekologjik – qoftë nga pesticidet ose kostot e tjera të karbonit që harxhohet në përpunimin dhe bartjen e veshmbathjeve – është të blini tesha të përdorura më parë, por për një kohë kjo ka qenë e vështirë të realizohet në Kosovë. Kuptohet se ka shkëmbim jozyrtar të veshmbathjeve brenda familjeve, por kultura e “dyqaneve të bamirësisë” që unë e njoh prej Anglisë dhe vendeve të tjera, ende nuk ka arritur në Prishtinë.

Kjo ka filluar të ndryshojë, megjithatë. Dyqani “Mozaik” në rrugën “Hamëz Jashari”, përballë Parkut të Qytetit/ Parkut ‘Italian’ (duke shkuar përpjetë kah Vela, ktheheni majtas te pompa e benzinës në rrugën “Hamëz Jashari” dhe mund ta shohësh mbas 50 metra majtas) është hapur në tetor. Malli aty është i ngjashëm me të dyqaneve të Oxfam-it me të cilat jam veshur me buxhetin tim kur isha studente. Të shfaqura gjenden fustanet dhe fundet e ngjashme të viteve shtatëdhjetë, ndërsa në rafte ka këmisha cilësore me çmime të volitshme (dy ose tri euro).

Ka llojllojshmëri të mallrave dhe gjithçka është e pastër; shumica e importuar. Më ka joshur një kravatë e mëndafshtë, ca brende të njohura, dhe shumë tesha më të rëndomta por tepër të mira për të mos i blerë për kaq pak euro. Kishte edhe tesha të fëmijëve dhe këpucë, batanije dhe jorganë, të gjitha të ekspozuara mirë dhe asnjë më shumë se dhjetë euro. Shitësit më treguan se më të kërkuarat janë çarçafët, këpucët dhe fundet.

Edhe më mirë se kaq, dyqani “Mozaik” nuk është aty vetëm për t’iu ndihmuar që të dukeni mirë, por paratë e fituara prej shitjeve u shkojnë familjeve të varfra. Ishte ngritur nga kisha Bashkësia e Popullit të Zotit dhe përmbush një pjesë të misionit të saj bamirësisë me të ardhurat për ndërtimin e shtëpive dhe donacionet e ushqimit për familje (edhe për ata që i takojnë kishës edhe përtej saj) që kanë kushtet e vështira.

Etiketa të veshmbathjes kanë një logo të vogël për riciklim si rikujtim se po mbështesni një numër nismash të mira, por blerësit me të cilët kam folur ishin më të motivuar prej orarit (e hapur prej orës 9 paradite deri 8 pasdite të hënave, të martave, të mërkurave dhe të premteve ndërsa nga 9-17 të enjteve dhe të shtunave) si dhe çmimit.

Një grua po e vizitonte dyqanin gjatë kohës së saj të drekës, duke prekur materialet e pazakonshme e që ngjante, sikur nuk dinte çfarë të provonte më së pari. Një e huaj në shitore thoshte se asaj i pëlqen të blejë tesha që kategorizohen si “rrezikim”, me çmime që ajo mund t’i përballonte, sepse nxitet të provojë stile e dizajne për të cilat nuk ka nevojë të paguaj çmim origjinal.

“Disa prej teshave të mija më të preferuara janë blerë rastësisht në dyqane bamirësie”.
Një myshteri tjetër me të cilin kam folur për blerjet, i mblodhi supet sikur do të më thoshte që jam budallaqe që pyes. Duke drejtuar dorën kah rendet dhe çmimet ajo tha se “kjo është e arsyeshme”.

Në botën e modës nuk ka gjithmonë arsye të mira, por është hap i mirë. Të harxhosh buxhetin tënd për kauza të mira u bën të ndjeheni mirë në të gjitha aspektet.

Elizabeth Gowing është autorja e Travels in Blood and Honey; becoming a beekeeper in Kosovo, të botuar vjet. Gjithashtu ajo është themeluesja e OJQ’së The Ideas Partnership, të regjistruar në Kosovë me punë në projekte arsimore, mjedisore dhe kulturore. Mund të kontaktohet në [email protected]