Ramiz Kelmendi. Foto: Facebook

Versioni i ELKOS-it për dënimin 1.3 milionësh

Kompania e deputetit të LDK-së, Ramiz Kelmendi që u gjobit para disa jave nga Agjencia Kosovare e Privatizimit pretendon se është dënuar padrejtësisht.

Në një intervistë për Gazetën Jeta në Kosovë, përfaqësuesi i kompanisë ELKOS-së, Fatos Islami pretendon se kompania i ka përmbushur të gjitha kushtet e parapara në kontratë.

Agjencia Kosovare e Privatizimit në fund të muajit të kaluar njoftoi se ka shqiptuar gjobë ndaj ndërmarrjes së re FAMIPA, e cila është privatizuar nga “ELKOS Group” që është në pronësi të deputetit Ramiz Kelmendi.

AKP në përgjigjet për Gazetën Jeta në Kosovë kishte deklaruar se ETC nuk i ka përmbushur disa prej kushteve të kontratës.

Sipas Islamit, kontrata ka përfunduar në shtator të 2014 dhe pak ditë më vonë vet AKP-ja e ka falënderuar për bashkëpunimin.

“Me datën 09.09.2014 AKP ka dërguar shkresën nr. 7039 me të cilën na informon se nga data 13.09.2014 skadon kontrata dhe na falënderon për bashkëpunim dhe inkurajon që të kemi suksese me asetin e blere”, thuhet në përgjigjen e Islami për Gazetën Jeta në Kosovë.

Gazeta JnK e posedon këtë dokument, ku AKP e falënderon dhe e inkurajon që të vazhdojnë edhe më tutje aktivitetin e biznesit.

Mirëpo, në këtë dokument, AKP-ja e paralajmëron se do të ketë një inspektim për të parë nëse janë realizuar obligimet kontraktuale nga ETC-ja.

“Agjencia Kosovare e Privatizimit ka përzgjedhë kompaninë audituese e cila do të bëj auditimin e përmbushjes së kushteve të kontratës lidhur me ruajtjen dhe vazhdimin e aktivitetit të përpunimit të metaleve”, thuhet në këtë dokument të AKP-së dërguar kompanisë ELKOS.

Madje në këtë dokument , AKP-ja ia ka kujtuar se gjatë periudhës tre vjeçare, ETC nuk ka pas të drejtë t’i dislokojë pajisjet.

“Mos çmontimi dhe dislokimi i makinerisë ekzistuese së paku për periudhën e përcaktuar tri vjeçare për të cilat ju edhe keni qenë të obliguar t’i raportoni AKP-së në baza gjashtë mujore në përputhje me marrëveshjen e shitblerjes”, thuhet në letrën që AKP-ja ia ka dërguar kompanisë ELKOS në shtator të 2014.

E sipas Islami, prej këtij momenti, kur ka përfunduar kontrata, aseti është në pronësi të grupit ELKOS dhe pa asnjë obligim ndaj AKP-së dhe se është e barabartë me pronat tjerë që posedon kjo kompani.

“Pra nga data 14.09.2014 objekti është në pronësi të grupit ELKOS dhe pa mbikëqyrje dhe aktivitete e ardhshme janë në interesin e kompanisë, ELKOS nuk e ka asnjë obligim ndaj AKP-së dhe ne si çdo pronë tjetër kemi të drejtë ta shesim, ta ndërrojmë destinacionin dhe çdo gjë që i përgjigjet nevojave të grupit ELKOS”, thuhet në përgjigjen e drejtorit gjeneral të ELKOS-it për gazetën JnK.

Por, shitja e bërë nga AKP-ja në rastin në fjalë nuk ka qenë e njëjtë më shitjet tjera, pasi në këtë rast blerësi i ka ditur paraprakisht kushtet e vendosura nga AKP-ja të cilat është dashur të plotësohen, kurse për shitjet tjera nuk aplikohen kushte fare.

Në anën tjetër, AKP përmes përgjigjeve me shkrim, i kanë thënë gazetës JnK se në dokumentin ku është e përshkruar Klauzola-Shtojca 5 – Seksioni B “Detyrimet Kontraktuese, Monitorimi dhe Dënimet Kontraktuese”, theksohet se “Blerësi dhe Ndërmarrja e Re siguron dhe garanton se Ndërmarrja e Re do t’i përmbush këto obligime: Do ta ruaj aktivitetin e prodhimit dhe përpunimit të metaleve nga data e hyrjes në fuqi të kësaj Marrëveshje së paku për 3 (tri) vitet e ardhshme menjëherë pas nënshkrimit të kontratës së shitjes dhe është e obliguar që pajisjet dhe makineritë ekzistuese nuk do t’i çmontoj apo dislokoj, por do t’i lë në të njëjtin vend së paku për periudhën e përcaktuar tre (3) vjeçare për realizimin e kushteve  të parapara kontraktuale. Duke filluar nga data e hyrjes në fuqi të kësaj Marrëveshje, Blerësi dhe Ndërmarrja e Re duhet t’i dorëzojnë Agjencisë apo pasardhësit ligjor të saj raporte për periudhën gjashtë mujore, për tre vitet në vijim, të cilat duhet të përmbajnë të dhënat përkatëse, të detajuara, lidhur me përmbushjen e Detyrimeve Kontraktuese”, thuhet në përgjigjet e AKP-së.

Sipas AKP-së, gjatë periudhës së Monitorimit, për qëllime që ndërlidhen me përmbushjen e Detyrimeve Kontraktuese, AKP apo pasardhësi i saj ligjor ka të drejtë të vizitoj Ndërmarrjen e Re, me paralajmërim paraprak prej 24 orëve. Po ashtu sipas AKP-së, blerësi dhe Ndërmarrja e Re siguron dhe garanton se Ndërmarrja e Re është e obliguar ta paguaj shumën prej 30% të çmimit të shitjes së Ndërmarrjes së Re”Famipa” Sh.p.k. në rast se shkel Detyrimet Kontraktuese, me kamatë mujore në vlerë prej 2% të kësaj shume në rast se blerësi nuk paguan detyrimin në afat prej 30 ditësh nga dita e njoftimit për aplikimin e ndëshkimit.

Sipas pretendimeve të AKP-së shkeljet që janë bërë nga ana e Blerësi janë si në vijim.

“Mos-mbajtja e aktivitetit në tërësi dhe në mënyrë të vazhdueshme për së paku 3 vjet nga Blerësi dhe Ndërmarrja e Re e cila konstatohet edhe me raport të auditorit të pavarur; Zhvillimi i aktivitetit në emër të “Elkos” dhe jo siç parashihet në kontratë që këtë aktivitet ta bëj në emër të Ndërmarrjes së Re “Famipa” (shih më lartë Klauzola Shtojca 5 – Seksioni B “Detyrimet Kontraktuese, Monitorimi dhe Dënimet Kontraktuese”; Përkundër faktit që edhe përgjatë periudhës monitoruese 3-vjeçare, Ndërmarrja e Re nuk ka zhvilluar aktivitetin e saj që është paraparë sipas kushteve të kontratës, dhe rrjedhimisht njoftimeve, vërejtjeve dhe kërkesave të vazhdueshme me shkrim nga AKP për të ndryshuar gjendjen, gjegjësisht për të filluar me prodhimin e paraparë, Blerësi ka dështuar që të “sigurojë dhe garantojë se Ndërmarrja e Re do t’i përmbush këto obligime” që parashihen me kontratë”, thuhet në përgjigjet e AKP-së.

Sipas AKP-së, blerësi, duke qenë i vetëdijshëm për kërkesat e vazhdueshme të AKP-së lidhur me zhvillimin e aktivitetit, kërkesa këto që në fakt kanë qenë edhe vërejtje me shkrim për palën për shkak të mos-përmbushjes së zotimeve kontraktuale, menjëherë pas përfundimit të periudhës tre vjeçare të marrëveshjes së zotimeve  për realizimin e kushteve  të parapara kontraktuale, blerësi pa njoftuar fare AKP-në ka bërë dislokimin e pajisjeve dhe makinerisë si dhe ka rrënuar në tërësi objektet ku ka zhvilluar gjithmonë aktivitetin e vet NSH “FAMIPA” qysh nga viti 1948.

“Meqenëse blerësi dhe Ndërmarrja e Re kanë qenë të obliguar të mbajnë aktivitetin për së paku për 3 (tri) vite, AKP menjëherë pas përfundimit të periudhës monitoruese ka njoftuar me shkrim palën për përfundimin e kësaj periudhe,  pra shkresa vetëm e ka njoftuar Blerësin për përfundimin e marrëveshjes se zotimeve por jo edhe lirimin e saj nga marrëveshja e zotimeve. Në shkresë është  njoftuar lidhur me datën e fillimit të Auditimit  e parashikuar edhe në bazë të kushteve të kontratës përkatësisht Klauzola Shtojca 5 – Seksioni B”, thuhet në përgjigjet e AKP-së.

Njëra prej arsyeve pse AKP e ka gjobitur kompaninë ELKOS është se nuk e ka ruajtur në tërësi aktivitetin dhe në mënyrë të vazhdueshme për 3 vitet e kontratës.

“Mos-mbajtja e aktivitetit në tërësi dhe në mënyrë të vazhdueshme për së paku 3 vjet nga blerësi dhe Ndërmarrja e Re e cila konstatohet edhe me raport të auditorit të pavarur”, kishte thënë AKP për Gazetën Jeta në Kosovë.

https://kallxo.com/gjnk/detajet-pse-u-gjobit-ramiz-kelmendi-nga-akp/

Mirëpo Islami pretendon se ata i kanë kryer aktivitetet në bazë të kontratës.

“Aktiviteti është zhvillu në tërësi sipas kontratës dhe këtë aktivitet e kanë zhvilluar të punësuarit e Famipes që në kemi punësuar për shkak të operimit me makineri, kemi bërë eksporte, përpunime dhe çdo gjë që është arritur nga komercialja shitëse”, thuhet në përgjigjen e Islamit për KALLXO.com

Madje ai thotë se këto vërtetohen edhe nga raportet e vizitave të AKP-së.

Ndërsa sa i përket pajisjeve që kanë qenë në këtë kompani, Islami thotë se shumica prej tyre gjenden në qytetin e Pejës ku është duke u ndërtuar një objekt shtesë për vazhdimin e aktivitetit të njëjtë.

“Edhe këto pajisje kalojnë në pronësi sipas shkresës për skadimin e kontratës dhe nuk është obligative të informoj zyrtarisht AKP apo dikë tjetër, sa për informim pjesa vitale është transferuar në Pejë dhe është duke u ndërtuar objekti shtesë për të vazhduar aktivitetin”, tha tutje Islami.

Në anën tjetër, Islami thotë se në kontratë nuk është cekur sasia apo vlera për prodhim.

Për këtë dënim, kompania ELKOS thotë se do t’i drejtohen Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme, që merret me çështje të privatizimit.

Ndërsa vet Ramiz Kelmendi në një prononcim për KALLXO.com kishte thënë se AKP po tenton ta plaçkit dhe e ka cilësuar këtë dënim si politik.

https://kallxo.com/ramiz-kelmendi-akp-po-me-plackit-do-te-ankohem/