Vërshimet në Pejë Shpërfaqin Investimet Shkel-e-Shko

Në janar të këtij viti, Gazeta Jeta në Kosovë kishte raportuar për përmbytjet në këtë lagje.

Një gjë e tillë është përsëritur edhe dje, duke bërë dëme dhe përmbytje në këtë pjesë të qytetit.

Rruga për rregullimin e së cilës janë dhënë 2 milionë euro është vërshuar nga uji dhe ka probleme me gypa të kanaleve nëntokësore që nga ndërtimi i saj para rreth tre vjetësh.

Disa nga banorët e “Fidanishtes” pas rrebesheve të shiut i ishin përvjelur punës duke i pastruar bodrumet e tyre me pompa uji. Ata thanë se pësojnë dëme të konsiderueshme pas çdo përmbytjeje.

Sefedin Muhaxheri, banor i kësaj lagjeje, tha se edhe përmbytja e mëparshme i ka shkaktuar dëme të mëdha në shtëpi dhe pajisje elektrike.

Sipas tij, uji kishte mbushur përplot bodrumin e shtëpisë.

“Këtu përpara ka qenë kanali që shkojke uji. E kanë mshelë, edhe qe një shi i vogël, krejt është mbushë bodrumi me ujë. Gjithçka që ka pasë brenda është prishë”, ka thënë ai duke treguar që të kenë dalë strukturat komunale në vendin e përmbytjes, por deri më tani nuk është intervenuar asgjë.

Për Sefedin Muhaxherin hapja e një furre të bukës përgjatë rrugës ka bërë që të mbyllet kanali dhe rruga të përmbytet pas çdo shiu.

Por Milot Husaj, pronar i furrës, tha se faji nuk është te ndërtimi i furrës, por te ndërtimi i ngushtë i kanaleve të ujit.

“Kanali është këndej, shkolla është këtu afër, nxënësit hedhin mbeturina. Kemi gjetë gjithçka në kanal”, shpjegon Husaj arsyet e bllokimit të kanalit nëntokësor.

“Në komunë kemi qenë, por kurkush s’po intervenon kurgjo”, thoshte ai teksa me një mjet pune nxirrte mbeturina të ndryshme nga puseta skaj furrës së tij për ta liruar kanalin.

Sipas Husajt, edhe si pasojë e futjes së gypave të vegjël nën asfalt gjatë zgjerimit të kësaj rruge në katër korsi, ndodhin përmbytjet.

Edhe Bubrrec Kelmendi nga Peja tha se fajtorë kryesorë janë banorët e lagjes “Xhemajl Kada” të cilët, sipas tij, hedhin bërllogun në kanal dhe si pasojë e saj bëhet bllokimi i tij duke dalë uji i shiut në qytet.

“Në këtë lagje po ndodh se po e gjujnë bërllogun ata kojshitë naltë atje shumë, se mos me e gjujtë bërllogun s’ish nxonë kanali kështu”, tha Kelmendi.

Ai thotë se askujt nuk i shkon në mend ta vendosë një rrjetë në hyrje të kanalit në mënyrë që të parandalohet depërtimi i mbeturinave në brendi të tij.

Edhe shërbimet komunale, sipas tij, janë të ngadalshme, pasi që asnjëherë nuk është bërë pastrimi i kanalit nga dheu dhe mbetjet e ngurta.

Por Ali Husaj thotë se problemi qëndron se gjatë ndërtimit të kësaj rruge punëkryesi i ka futur gypat e ujësjellësit brenda gypave të ujërave tokësore nën asfalt dhe sipas tij kjo është arsyeja pse bëhet bllokimi i menjëhershëm i ujit.

“Ky është një problem edhe ma i hershëm, sepse kjo rrugë është punu tri-katër herë”, tha Husaj.

Ukë Selimaj, drejtor i Punëve Komunale dhe Shërbimeve Publike në Komunën e Pejës, tha se fajtorë kryesorë për gjendjen e krijuar pas çdo shiu janë banorët e asaj pjesë të cilët hedhin mbeturina.

Sipas tij hudhja e mbeturinave nga ana e banorëve dhe mbyllja e pjesës së fundit të kanalit më herët nga ana e disa bizneseve, paraqesin pengesa të mëdha për intervenime emergjente në situata të tilla.

Sipas tij edhe ky kanal, si dhe disa kanale në disa lagje tjera të qytetit, kryesisht në zonën prej nga është pjerrtësia më ë madhe, janë duke e bërë këtë problem të përmbytjeve.

Megjithatë ai ka premtuar se do të rregullohet ky problem me anë të kanaleve të hapura, e jo siç janë tash të mbyllura.

Mirëpo, siç ka thënë Selimaj, pritet kujdesi më i shtuar i qytetarëve ndaj hudhjes së mbeturinave në vende të caktuara, e jo edhe në kanale uji.