Vendimi që rikthen në punë kryeshefin i AZHB-së, të suspenduar nga Rikalo

Me vendim të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, kryeshefi i suspenduar i Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë (AZhB), Elhami Hajdari, do të rikthehet në pozitën e tij dhe do t’i kompensohet paga që nga momenti i suspendimit.

Vendimi i datës 12 korrik, të cilin e ka siguruar Gazeta JNK, aprovon si të bazuar ankesën e kryeshefit të suspenduar, shfuqizon vendimin e ministrit Rikalo për suspendim dhe obligon të njëjtin që brenda 15 ditësh ta kthejë në vendin e punës Hajdarin.

“Obligohet Ministri i MBPZHR-së që vrenda afatit prej 15 ditësh nga dita e pranimit të këtij vendimi, ankuesin Elhami Hajdari ta kthejë në vendin e punës ‘Kryeshef Ekzekutiv’ në AZHB-së me të gjitha të drejtat dhe obligimet e caktuara me vendimin numër 06/81 të datës 23.06.2016, duke i bërë kompensimin e shumës së ndalur -50% të pagës nga data 08.05.2018 e deri në zbatimin e këtij vendimi”, thuhet në vendimin që e ka siguruar Gazeta JNK.

Në arsyetimin e këtij vendimi thuhet se ministri Rikalo ka suspenduar nga puna Hajdarin me arsyetimin se ndaj tij është duke u zhvilluar procedura penale nën dyshimin se ka kryer veprën penale të kanosjes.

Por, Këshilli thotë se ministri nuk ka mundur ta faktojë këtë dhe rrjedhimisht nuk ka bazë për suspendim.

Pas marrjes së këtij vendimi në maj, Prokuroria e Shtetit i kishte thënë Gazetës Jeta në Kosovë se ky rast është mbyllur në shtator të vitit të kaluar, domethënë vendimi për pushim të hetimeve është marrë 8 muaj para vendimit për pezullim.

Kështu thuhet edhe në vendimin e Këshilit të Pavarur Mbikqyrës për Shërbimin Civil.

“Kolegji për shqyrtimin e ankesave ka konstatuar që në përgjigjen zyrtare të datës 31.05.2018 të dërguar nga Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë, përveç shkresave të tjera është bashkangjitur edhe Aktgjykimi dhe është theksuar që “organi i punësimit nuk posedon dëshminë e Prokurorisë Themelore të datës 23.08.2016”, thuhet në vendim.

Tutje thuhet se kolegji për shqyrtimin e ankesave ka konstatuar që me këtë aktgjykim të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ndaj të pandehurit Elhami Hajdari është refuzuar akuza për veprën penale “kanosje” nga neni 185 paragrafi 2 të KRPP-së.

Rrjedhimisht në vendim konstatohet se pasi organi i punësimit  ka dështuar të dëshmoj me shkresa zyrtare që ndaj ankuesit Elhami Hajdari është duke u zhvilluar procedure penale për rastin dhe veprën për të cilën ankuesi është pezulluar nga puna, Këshilli shfuqizon vendimin e ministrit Rikalo për pezullimin e kryeshefit të AZHB-së.

Në fund të vendimit sqarohet se kundër vendimit të Këshillit, e pala e pakënaqur e cila pretendon se vendimi nuk është i ligjshëm, mund të inicojë konflikt administrativ në Gjykatën Themelore brenda 30 ditësh nga dita e pranimit të vendimit, por inicimi i vendimit nuk e ndalon ekzekutimin e këtij vendimi.

Nëntë javë më parë, ministri i Bujqësisë, Nenad Rikalo pezulloi nga puna kryeshefin e AZHB-së, Elhami Hajdari, i cili tha se nuk do ta respektojë vendimin dhe se ministri nuk ka kompetencë ta suspendojë atë.

Para dy muajsh kur Rikalo kishte marr vendimin për suspendimin e kryeshefit, kishte përmendur dy arsye për suspendim, por, Gazeta Jeta në Kosovë ka gjetur se prapa suspendimit fshihet edhe një përplasje në mes të dy protagonistëve rreth një granti prej 165 mijë euro.

Prapaskenat e përplasjes së kryeshefit Hajdari me ministrin Rikalo