Kuvendi i Kosovës

Vendimet dhe ligjet që kaluan dhe ato që dështuan në Kuvend

Kuvendi i Kosovës sot ka vazhduar seancat plenare të papërfunduara të datave  18, 19 dhe 25 tetor 2018 si dhe e ka nisur një seancë të re në të cilën u diskutuan pikat jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare.

Pas përfundimit të këtyre dy pikave, nënkryetari i Kuvendit Xhavit Haliti kishte mbyllur punimet e Kuvendit për sot.

Vazhdimi i seancave të papërfunduara ishte planifikuar të mbahej prej orës 10:00, kjo seancë filloi me rreth 40 minuta vonesë.

Për këtë vonesë, nënkryetari Haliti u detyrua të bëjë apel tek deputetët që t`i fikin telefonat dhe të mos pijë kafe për rreth dy orë deri sa të kryhen votimet e papërfunduara.

Seanca filloi me prezencën e 64 deputetëve dhe me mungesën e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Haliti njoftoi se pika 1, 2, 3, 4, 5 dhe pika 6 nuk do të hedhen në votim pasi nuk kishte mbështetje të deputetëve të Listës Serbe.

“1. Votimi i Raportit vjetor të Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoiale të Kosovës për vitin 2017, 2. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr. 06/ L-010 për Noterinë, 3. Votimi i Propozim-rezolutës nga debati parlamentar për dialogun me Serbinë, 4. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr. 06/L-067 për plotësimin edhe ndryshimin e Ligjit nr. 04/L-063 për Hekurudhat e Kosovës, 5. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr. 06/L-038 për shërbimet postare ,6. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit për miniera dhe minerale”, janë pikat të cilat nuk u hodhën në votim.

Pika 7 e rendit të ditës me të cilën filloi seanca, për shtesat e fëmijëve nuk morri votat e mjaftueshme për të kaluar.

Në tentimin e parë nuk kaloi votimi i Propozim Rezolutës nga Debati parlamentar, sipas kërkesës së deputetes Donika Kadaj-Bujupi, mbështetur edhe nga 7 deputetët nënshkrues nga GP i AAK-së, në lidhje me shtesat e fëmijëve.

Edhe pse për këtë pikë kishte përfunduar debati, sot ngjalli debat sërish nga Grupet Parlamentare.

Shefi i GP të PDK-së, Memli Krasniqi kërkoi që të bëhet kategorizim i shtesave për fëmijët.

“E mbështesim në parim që t`u ndahen shtesa fëmijëve, por  ka mendime të ndryshme për këtë çështje dhe kërkojmë të ketë kategorizim pasi nuk mund të marrin ndihma të gjithë fëmijët njësoj edhe ata të milionerëve dhe ata që kanë nevojë”, tha Krasniqi.

“Edhe unë po habitem me deklarimet e zotëri Krasniqit, ishte si të fliste në emër të PSD-së. Ne jemi për shtesa për fëmijët, por duhet të jetë progresive. Por do ta mbështesim këtë iniciativë”, tha Pantina.

Kurse në kundër replikë Krasniqi i PDK-së shtoi se bindjet ideologjike nuk mund të jenë mbi interesa të qytetarëve.

“Konsideroj se në këtë rast po flasim për pjesën më të ndjeshme të shoqërisë, për fëmijët e Kosovës”, tha deputeti.

Daut Haradinaj nga AAK propozoi që Grupet Parlamentare të tregojnë nga një emër dhe të bisedojnë për të harmonizuar një qëndrim lidhur me shtesat e fëmijëve.

E Bilall Sherifi nga Nisma tha se deputetët po flasin për shtesa të fëmijëve sikur për skema sociale.

Kuvendi i Kosovës në rend dite kishte edhe votimin në parim për Projektligjin për transmetuesin publik të Kosovës.

Por për këtë projektligj kanë votuar vetëm 42 deputet, 40 vota ishin për, asnjë kundër dhe 2 abstenime.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti propozoi që ky projektligj mos të vij më në seancë por t’i kthehet propozuesit pasi dy herë tentoi që ta hedh në votim dhe u përsërit situata e njëjtë.

Në këtë seancë, deputetët miratuan një numër të konsiderueshëm të pikave, ndërsa disa të tjera u shtynë për seanca të radhës.

Legjislativi ka miratuar këto projektligje: Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për parandalimin dhe sanksionimin e dhunës dhe dukurive negative në ngjarjet sportive, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Kinematografinë, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta, është votuar në parim edhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për bibliotekat.

Ndërsa, pika 6 e kësaj seance për votimin në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Trashëgiminë Kulturore, nuk është përmendur nga kryesuesi i Kuvendit.

Kuvendi në vazhdim ka miratuar në parim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Sponsorizime në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit.

Kuvendi ka miratuar edhe 13 projektligje sipas rendit të ditës së kësaj seance.

Sa i përket votimit për shkarkimin e Shqiprim Pula nga pozita e anëtarit të Bordit të Autoritetit Rregullator të komunikimeve elektronike dhe postare, votimi është shtyrë për ndonjë seancë tjetër, sipas nënkryetari Xhavit Haliti.

Gjatë seancave nuk munguan as akuzat që deputetët e koalicionit qeveritar kishin në drejtim të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Fillimisht deputetja e AAK-së Teuta Haxhiu, ka akuzuar deputeten e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci se po “plaçkitë” mësimdhënësit. Haxhiu tha se mësimdhënësit në Kosovë po maltretohen për thirrje për trajnime duke paguar nga 250 euro.

“Nga të dhënat nga ministria e Arsimit që kam marr, të trajnuar në programin udhëheqja arsimore ku po bëhet gjithë plaçka nga disa trajnues në mesin e tyre është deputetja Arbërie Nagavci e cila e ka një organizatë që udhëhiqet nga Krenare Lleshi e që ajo është motra e zonjës Nagavci”, tha Haxhiu.

Edhe deputeti i NISMA Socialdemokrate, Milaim Zeka, ka “protestuar”, që nënkryetari i Kuvendit Xhavit Haliti ia ka ndal fjalën gjatë replikave që para disa ditëve i kishte me shefin e GP të LVV Glauk Konjufca.

Zeka, ka përmendur edhe aplikimet e të rinjve për punë në gjermani duke thënë se ka fakte që Lëvizja Vetëvendosje po i organizojnë qytetarët në Prizren.

Pas pikës pyetje parlamentare, janë mbyllur punimet e Kuvendit. Nënkryetari Xhavit Haliti, tha se sekretaria do ti njoftoj deputetët për vazhdimin e seancës.