Vdes Leka Zogu I

Pretendenti për fronin mbretëror të Shqipërisë, Leka Zogu i Parë, është ndarë nga jeta në moshën 72-vjeçare. Ai ishte shtruar në reanimacionin e Neurokirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare të Tiranës (QSUT), që prej datës 17 nëntor, ku mbahej nën kontrollin e mjekëve.

Zemra e pretendentit për fronin mbretëror ka ndalur së rrahuri, pas gjendjes së rëndë shëndetësore në të cilën ndodhej prej gati dy javësh, raporton Shekulli Online.

Zogu u shtrua më 17 nëntor në spitali, në gjendje kritike për jetën. Mjeku Besnik Boçi, njëkohësisht nëndrejtor i QSUT, tha se situata shëndetësore e pretendentit për fronin mbretëror ishte tejet e rëndë për shkak të çrregullimeve të ritmit të zemrës. “Zemra kishte kaluar nga 90 rrahje në minutë në rreth 200 rrahje në minutë, ishte situatë thuajse e pashpresë”, tha Boçi.
 
Mësohet se Leka Zogu kishte një rënie të menjëhershme të temperaturës në 35 gradë C, gjë që çoi në shtrimin e menjëhershëm në ambientet e urgjencës të spitalit. Mësohet se gjendja gripale ka ndikuar në shqetësimet që Leka Zogu 72 vjeç, një duhanpirës rekord, ka pasur kohët e fundit me zemrën.

Biografia e Leka Zogut I

Leka Zogu i Parë lindi më 5 prill 1939, në Pallatin Mbretëror, Tiranë. Ai është djali i vetëm i Mbretit Zogu i dhe mbretëreshës Geraldina. Pas largimit të Familjes Mbretërore në Egjipt, në vitin 1946, Princi Leka filloi studimet në kolegjin britanik “Victori Collegie” të Aleksandrisë dhe më pas në “British Boys School”, të cilat i përfundoi me rezultate të shkëlqyera në vitin 1954.

Pas transferimit të Familjes Mbretërore në Francë, në vitin 1955, Princi Leka tashmë 16-vjeçar, regjistrohet në kolegjin e Olon-it në Zvicër, ku mori edhe diplomën në vitin 1956.

Në vitet 1956-1958 Princi Leka vazhdoi studimet në Akademinë Ushtarake Mbretërore të

Sund’hurstit në Londër (Royal Military Academy), ku pas diplomimit me rezultate të shkëlqyera u titullua oficer, me gradën toger. Në vijim studioi për Shkenca Politike dhe Ekonomike në “Universite De Sorbone” të Francës, ku ndoqi gjithashtu edhe kursin intensiv të gjuhëve orientale.

Më 9 prill 1961, pas vdekjes së Ahmet Zogu, Leka Zogu bën betimin si Mbret i Shqiptarëve në moshën 22 vjeç, në ceremoninë speciale të organizuar në hotelin “Bristol” të Parisit, në prani të ish-deputetëve të Parlamentit të Mbretërisë Shqiptare, si dhe të 70 delegatëve të përzgjedhur nga e gjithë mërgata. Ne vitin 1975 Leka Zogu I u martua me Mbretëreshën Suzan.

Nga viti 1979, jetoi bashkë me Familjen Mbretërore Shqiptare në Johannesburg, në Afrikën e Jugut. Ne vitin 1993, vjen për herë të parë në Tiranë, por detyrohet të largohet të nesërmen, pas ndërhyrjes së autoriteteve të asaj kohe.

Në 11 prill 1997, vjen sërish në Shqipëri, duke organizuar vizita, takime e bashkëbisedime në të gjitha rrethet e vendit. Merr pjesë në referendumin e organizuar për formën e regjimit më 29 qershor 1997 dhe më 11 korrik 1997, largohet nga Shqipëria. Rikthehet për të jetuar përgjithmonë në Shqipëri me 28 qershor 2002. Kthimi i Familjes Mbretërore u krye me ftesën e 76 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë.

Gjatë jetës në emigracion, Leka Zogu është angazhuar në biznesin e konstruksioneve të porteve detare dhe import-eksportin e lëndëve të para, duke kryer veprimtarinë e tij njëkohësisht në Spanjë e në Britaninë e Madhe me shtrirjen e aktivitetit që nga SHBA e Kanadaja, në Lindjen e Mesme dhe deri në Japoni e Australi.

Në vitin 1972, Leka bëhet nismëtar i Kuvendit të Madridit për të bashkuar të gjitha forcat politike të emigracionit shqiptar sipas motos “Atdheu mbi të gjitha!” Gjatë këtyre viteve Leka I, zhvilloi takime me shqiptarët kudo në botë.

Gjatë viteve të fundit, Leka I ishte tërhequr nga jeta aktive politike e shoqërore. Funksionet publike kryheshin në vend të tij nga i biri, Princ Leka, dhe përfaqësues të Partisë Lëvizja e Legalitetit.