Varroset Elvis Pista

Para se funerali i tij të nisej për në varrezat e qytetit, familjarë e miq të Pistës morën pjesë në një mbledhje komenorative në shtëpinë e kulturës “Mensur Zymberaj” të qytetit ku u fol për jetën dhe veprën e Pistës.

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi, tha se vrasja e Pistës ndodhi në momentin kur rahovecasit prisnin që ai t’i përfaqësonte në Kuvendin e Kosovës.

Elvis Pista, menaxher i lartë në PTK deri në ditën e fundit të jetës së tij, ka qenë edhe kandidat për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës dhe raportet flasin se ai qenë njeriu i dytë më i votuar në këtë komunë nga lista e PDK-së, pas kryetarit të partisë, Hashim Thaçi.

Vehapi dhe folës të tjerë u zotuan se do të punohet në zbardhjen e rastit dhe nxjerren para drejtësisë të kryesve të këtij akti.

“Mu në ditën kur Rahoveci festonte çlirimin, një dorë vrastare makabre, u përkujdes që t’ia marrë jetën Elvisit, në ditët e rinisë, kur prej Elvisit priste Rahoveci dhe priste Kosova. Tani kur ne prisnim që Elvisi, të na përfaqësojë në parlamentin e Kosovës, por dora vrastare na e shkëputi Elvisin nga të gjitha rrugët’’, tha Vehapi.

Ndërsa në emër të kryetarit të PDK-së, të pranishmit i përshëndeti zyrtari i kësaj partie, Rexhep Hoti.

“Më lejoni që në emër të kryeministrit të Kosovës, edhe një herë t’u shpreh gatishmërinë dhe këmbënguljen që të gjitha institucionet e Kosovës, do të bëjnë gjithë cka është e mundur, që ajo dorë makabër që e mori jetën e Elvisit, në kohën kur më së shumti i duhej familjes, atdheut dhe komunës së Rahovecit, të dalë para gjyqit dhe të marrë dënimin e merituar’’, tha Hoti.

Të pranishmit i përshëndeti edhe drejtori i PTK-së, Rexhë Gjonbalaj, i cili kishte qenë kolegë pune me të ndjerin.

Shumë nga të pranishmit, në librin lamtumirës që ishte vendosur në hyrje të shtëpisë së kulturës, shfrytëzuan rastin që të hedhin ca fjalë në letër, në kujtim për të ndjerin Elvis Pista.

18:48

Policia Jep 10.000 Euro Shpërblim Për Informatat Rreth Vrasësve të Elvis Pistës

Në përpjekje për të ndricuar rastin e vrasjes së kandidatit të PDK-së për deputet në Kuvendin e Kosovës, Elvis Pista, Policia e Kosovës ka vendosur një linjë telefonike dhe adresë elektronike në të cilën mund të lajmërohen qytetarët që mund të kenë informata rreth rastit.

Për këdo që jep indormata të cilat do të mund ta ndihmonin hetuesinë në gjetjen e autorëve, Policia ka vendosur edhe një shpërblim prej 10 mijë euro.

“Sipas gëzhojave të cilat janë gjetur në vendin e ngjarjes besohet se arma është e kalibrit të vogël dhe mund të ketë pasur “shurdhues”  të zhurmës. Policia e Kosovës apelon tek qytetarët që mund të kenë ndonjë njohuri sado të vogël rreth rastit ta ndihmojë policinë me informacione për gjetjen e autorit të vrasjes”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.

“Policia e Kosovës ofron një shpërblim prej 10.000 euro(dhjetëmijë euro) për cilindo qytetar i cili mund të jep informacion të  cilat shpien ne zbardhjen ose zbulimin e këtij rasti”, vazhdon komunikata.

10:44

Vritet Kandidati për Deputet, Thaçi Ngushëllon Familjen 

Presidentja Jahjaga kërkon nga organet e ndjekjes kapjen e autorëve të vrasjes, ndërsa kryeministri në detyrë Thaçi në telegramin e ngushëllimit e quan Elvis Pistën mik dhe bashkëpunëtor.

“Në këto momente të rënda dëshiroj të ndaj me ju dhimbjen për humbjen e pazëvendësueshme të Elvisit, i cili do të mbetet në kujtesën tonë si një njeri i dashur, energjik dhe korrekt”, thuhet në telegramin e ngushëllimit të Thaçit.

Kryeministri në telegram gjithashtu kërkon bashkëpunim të qytetarëve me organet e rendit dhe siguron familjen se shteti do të zbardhë rastin.

“Ju siguroj që shteti është duke marrë të gjitha masat e duhura dhe do të bëjë  të gjitha përpjekjet e nevojshme që ta zbardhë sa më shpejt ngjarjen dhe të vendos autorët e këtij akti barbar sa më shpejt para përgjegjësisë ligjore që të marrin dënimin e merituar”, thuhet më tutje në telegram.

Elvis Pista sipas policisë u vra në orën 00:45 të së dielës, në oborrin e restorantit “Haja Petrol”të Rahovecit. Ai ndodhej aty me disa miq dhe bashkëshorten.

“Bëhet e ditur se E. P. nga Rahaveci posa kishte dalë nga objekti se bashku me bashkëshorten dhe të njohur te tjerë është qëlluar nga mbrapa me armë zjarri në një distancë rreth  pesë metra largësi”, thuhet në komunikatën e policisë.

Policia thotë se arma mund të kishte shurdhues të zhurmës ndërsa drejt kandidatit për deputet në bazë të gëzhojave të gjetura në vendin e ngjarjes janë shkrepur katër plumba.

“Besohet se i dyshuari kishte zënë pritë pas një murit që ishte i mbuluar me një bimë dekorative me gjethe të shpeshta dhe nga ajo pozitë e ka qëlluar viktimën me katër plumba”, vijon komunikata.

Sipas komunikatës edhe pse Pista u dërgua në Shtëpinë e Shëndetit në Rahovec, nuk mundi t’u mbijetojë plagëve dhe aty mjeku vetëm konstatoi vdekjen. 

Familjen e Pistës e ngushëlluan edhe LDK-ja, Lëvizja “Vetëvendosje” dhe Alternativa Demokratike e Edita Tahirit.