Varroset Dino Asanaj. Kishte Nëntë Plagë

Dino Asanaj u varros të premten në varrezat e qytetit, në Dragodan, Prishtinë. Autopsia ka treguar se ishte vetëvrasje, pas nëntë plagëve.

(E plotësuar)

Rreth 300 miq të Asanajt, mes tyre kryeparlamentari Jakup Krasniqi, zëvendëskryeministri Hajredin Kuqi, anëtari i bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit Haxhi Arifi, ministri i ambientit Dardan Gashi, deputeti Ukë Rugova, deputeti Fatmir Limaj etj., janë  mledhur në Dragodan për t’i dhënë atij lamtumirën e fundit.

Ndërkohë, burime të sigurta të Gazetës Jeta në Kosovë kanë treguar se rezultatet e autopsisë kanë sinjalizuar se i ndjeri mund të ketë bërë vetvrasje.

Ai fillimisht kishte marrë dy plagë në anën e djathtë.

Pastaj shtatë të tjera në të majtën.

Në fund, dy goditje në gjoks, njëra prej tyre në zemër, kishin qenë fatale.

15:30

Krijohet Ekip për Hetimin e Vdekjes së Dino Asanajt

Prokurori Blerim Isufaj thotë se është krijuar një ekip i përzier me EULEX-in i cili do të hetojë vdekjen e Dino Asanajt. Deri më tash janë kontaktuar disa persona, në mesin e të cilëve shoferi i të ndjerit Asanaj, disa punëtorë të tij si dhe biznesmenët Remzi Ejupi dhe Abdurrahman Konjufca.

Prokurori Isufaj tha se ekipi, nën drejtimin e tij, do të hetojë në të gjitha pistat e dyshimit.

Deri më tash, tha ai, mund të jenë kontaktuar pesë ose gjashtë persona në mesin e të cilëve drejtuesi i makinës sëi të ndjerit Asanaj, disa punëtorë të tij në Fshatin Ndërkombëtar, si dhe emrat e përmendur në letrën e gjetur në vendin e ngjarjes.

“Mirëpo deri më tash nuk ka asnjë të dyshuar”, tha Isufaj.

Po ashtu, prokurori ka thënë se deri më tash ai ende nuk e ka marrë as raportin e autopisisë.

Hasanaj ishte dërguar në klinikën kirurgjike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës të enjten pas plagëve të marra me thikë, e cila është gjetur në vendin e ngjarjes.

Koha Ditore ka raportuar se burimet e saj kanë treguar se raporti i autopsisë ka konfirmuar se Asanaj ka bërë vetëvrasje.

Ndërkohë, në letrën e gjetur në vendin e ngjarjes janë përmendur emrat e biznesmenëve Remzi Ejupi dhe Abdurrahman Konjufca, të cilët kishin akuzuar në muajt e fundit Asanajn se kishte kërkuar shuma të mëdha parash për të bllokuar anulimin e privatizimeve të hotelit “Grand” dhe firmës së pulave në Lipjan. Asanaj i kishte mohuar akuzat në një deklaratë publike.

Remzi Ejupi, pronar i kompanisë Eurokoha, ka konfirmuar të premten se është kontaktuar nga hetuesia.

“Unë aktualisht gjendem jashtë vendit. Natyrisht, se jam kontaktuar nga hetuesia”, tha Ejupi për Gazetën Jeta në Kosovë. “Besoj se të gjithë duhet të japim kontributin në zbardhjen e këtij rasti dhe lus të gjithë që të presin me durim punën e hetuesisë, në lidhje me këtë humbje kaq të rëndë të jetës”.

Edhe Abdurrahman Konjufca ka thënë se është intervistuar nga hetuesia për rastin e Dino Asanajt.

E enjte, 20:40

Prokuroria: Nuk e Dimë a Vrasje a Vetëvrasje 

Në vendin e ngjarjes është gjetur një letër dhe një thikë. Askush nuk është arrestuar ende. Hetuesia ka intervistuar disa dëshmitarë.

Edhe pse kanë kaluar disa orë nga vdekja e Dino Asanajt, Prokuroria e Qarkut në Prishtinë ende nuk ka arritur të përcaktojë nëse ajo ishte rezultat i vrasjes apo vetëvrasjes.

Prokurori Blerim Isufaj, i cili po e heton këtë rast, ka thënë për Gazetën Jeta në Kosovë se për të dytën herë në orët e mbrëmjes ka qëndruar në vendin e ngjarjes.

“Është faza e parë e hetimeve dhe unë si prokuror ende nuk mund ta cilësojë as si vrasje e as si vetëvrasje, sepse akoma nuk kemi asnjë provë të saktë e cila do na çonte në njërën anë apo në anën tjetër”, ka thënë Isufaj.

Prokurori Isufaj thotë se as të arrestuar deri më tani nuk ka. 

Megjithatë, për momentin organet e ndjekjes janë duke i marrë në pyetje disa dëshmitarë të cilët kanë qenë punëtorë aty. “Ata janë duke u pyetur nëse kanë parë diçka a kanë dëgjuar diçka”,thotë Isufaj.

Në vendin e ngjarjes thuhet se është gjetur një letër. 

Isufaj nuk ka pranuar të tregojë përmbajtjen e saj. “Aty nuk ka diçka të qartë e cila do ta përcaktonte shkakun e vdekjes”, thotë ai.

Në vendin e ngjarjes, ku dyshohet se është therur me thikë Dino Asanaj, prokurori konfirmon se është gjetur një thikë. 

“Është gjetur një thikë në vendin e ngjarjes dhe pasi të dalë raporti i autopsisë do vërtetohet nëse ajo është arma me të cilën është kryer vepra”, ka thënë Isufaj, i cili ka shprehur bindjen e tij se shumë shpejt organet e ndjekjes do ta zbardhin këtë rast.

Hetimet për vdekjen e të parit të bordit të AKP-së për momentin është duke i drejtuar Prokuroria e Qarkut në Prishtinë e ndihmuar nga Njësitë për Krimet e Rënda të Policisë së Kosovës. 

Policia ka konfirmuar se këto njësi që merren me hetimet e krimeve serioze janë angazhuar pak kohë pasi që me rastin kishin filluar të merreshin policët e regjionit të Prishtinës.

14:42

Vdes nga Plagët Dino Asanaj

Shefi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), Dino Asanaj, nuk ka mundur t’iu përballojë plagëve të marra, pas therjes me thikë, dhe ka vdekur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) .

(E plotësuar) Ai i ishte nënshtruar një intervenimi urgjent kirurgjikal, por pa sukses.

“Edhe përkundër përpjekjeve, mjekët nuk mundën t’ia shpëtojnë jetën”, tha për Gazetën Jeta në Kosovë, Shpend Fazliu, zëdhënës i QKUK-së.

Mehmet Maxhuni, drejtor i Klinikës së Kirurgjisë dhe shef i ekipit të mjekëve, që e kanë operuar atë, tha në një konferencë me gazetarë se Asanaj ishte sjellë në QKUK në një gjendje të rëndë shëndetësore dhe pothuajse pa shenja jete.

“Ai kishte humbur shumë gjak, për shkak të plagëve të marra në fyt dhe në anën e majtë të gjoksit”, bëri të ditur Maxhuni.

Dino Asanaj i Nënshtrohet Intervenimit Kirurgjikal

Shefi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), Dino Asanaj, i është nënshtruar një intervenimi urgjent kirurgjikal në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pasi është therur me thikë në zyrën e tij. Gjendja e tij është rëndë, thonë mjekët.

Mehmet Maxhuni, ushtrues detyre i drejtorit të Klinikës së Kirurgjisë, konfirmoi për Gazetën Jeta në Kosovë se kanë pranuar një pacient me inicialet D. A., i cili po trajtohet në sallën e kirurgjisë të sallës emergjente.

“Gjendja e tij është e rëndë”, tha Maxhuni.

Asanaj është therur nga një person, derisa ndodhej në zyrën e tij, në Fshatin Ndërkombëtar. Motivet ende janë të panjohura.

Burimet e gazetës konfirmojnë se bëhet fjalë për shefin e AKP-së, Dino Hasanaj.

Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës, tha për gJnK se rasti ka ndodhur në Fshatin Ndërkombëtar.

Ai tha se pasi kanë pranuar informatën nga QKUK-ja, policia ka angazhuar të gjitha njësitet relevante me qëllim të zbardhjes dhe hetimit të rastit. Policia nuk dha detaje nëse dihet identiteti i të sulmuesit.

ETIKETA

15 Qershor 2012 - 15:32

Bujar Aruqaj, Kreshnik Gashi, Parim Olluri 15/06/2012 - 15:32
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight

Varroset Dino Asanaj. Kishte Nëntë Plagë

by Gazeta JNK
NA NDIQNI

Send this to a friend