‘Varg’ shkeljesh në prokurimin e Komunës së Malishevës

Prokurimi publik po del të jetë një ndër fushat në të cilat Komuna e Malishevës ka më së shumti shkelje e parregullsi të cilat i ka evidentuar Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin e vitit 2018.

Gjetjet e Auditorit shpërfaqin çalimin e Komunës së Malishevës gati në të gjitha fazat e prokurimit publik.

Komuna e Malishevës ka shpërblyer me tender kompaninë e cila nuk i ka paguar tatimet, ka pranuar punët të cilat janë kryer nga kompania fituese edhe pse ajo nuk i kishte përfillur masat e përcaktuara me projekt.

Gjithashtu, Komuna e Malishevës ka favorizuar një kompani në dosjen e tenderit, duke urdhëruar operatorin ekonomik fitues të blejë mallin në një kompani të caktuar.

Vargu i shkeljeve vazhdon edhe te menaxhimi i dobët i kontratave. 12 projekte nuk ishin realizuar brenda afateve të përcaktuara me kontratë kurse te 4 projekte të tjera pranimi i mallrave nuk ishte bërë brenda afatit të caktuar me kontratë.

Mangësitë në punët e kryera

Nga inspektimi fizik i ndërtimit të shkollës fillore “Afrim Krasniqi” – në fshatin Bardh, është gjetur se disa pozicione/punë nuk ishin realizuar sipas masës së përcaktuar. Për këtë projekt ishte bërë pranimi teknik i punimeve. Me paramasë dhe parallogari, në pozicionin A10.9, ishin planifikuar dy dyer emergjente të dimensionit 325×332, ndërsa ishin vendosur dyer të formatit shumë më të vogël.

Te pozicioni A10.8, ishin planifikuar të vendosen dy dyer hyrëse të dimensionit 325×314, ndërsa ishte vendosur vetëm një. Ndërsa furnizimi i pajisjeve të internetit për pozicionet C3.3, C3.4 , C3.5, C3.7 nuk ishte bërë.

Mangësi apo cilësi jo e mirë e punës janë hasur edhe në disa pozicione tjera. Menaxheri i kontratës nuk dispononte as me librin ndërtimor. Sipas Auditorit, këto parregullsi kanë ndodhur si rezultat i menaxhimit të dobët të projekteve nga menaxherët e kontratave.

“Kryetari duhet të përforcojë mekanizmat e kontrollit në menaxhimin dhe monitorimin e kontratave. Menaxherët e kontratave nuk duhet të pranojnë punët/ furnizimet nëse nuk janë në përputhje me specifikat e përcaktuara në kontratë”, theksohet në rekomandimin e Auditorit.

Shpërblimi i kompanisë që nuk i ka paguar tatimet

Komuna e Malishevës i ka dhënë kontratën për Furnizim me material higjienik, në vlerë 15,400.00 euro, kompanisë që kishte borxhe tatimore të papaguara.

Te kontrata për Furnizim me artikuj ushqimor, Auditori ka identifikuar se me planin e prokurimit furnizimet ishin vlerësuar 14,500.00 euro, ndërsa kontrata është nënshkruar në vlerë 68,857.00 euro. Poashtu për këtë kontratë ishin zotuar vetëm 5 mijë euro, përderisa siguria e ekzekutimit nuk mbulonte periudhën 30 ditore, pas përfundimit të kontratës.

Kurse te kontrata për Ndërtimin e stallave për fermerët e komunës së Malishevës, në vlerë 74,950.00 euro, siguria e ekzekutimit nuk mbulonte periudhën e 30 ditëve pas përfundimit të kontratës.

Auditori ka vërejtur se për 10 kontrata të nënshkruara gjatë vitit, njoftimet ishin përgatitur në muajin dhjetor.

“Sipas pikës 22.3 (F) të UOPP-së, nëse AK ka nënshkruar një kontratë publike, brenda 2 ditëve pas nënshkrimit duhet të përgatisë njoftimin për nënshkrimin e kontratës”, vazhdon raporti i auditimit.

Sipas Auditorit, mangësitë e identifikuara përfshirë lidhjen e kontratave me sigurinë e ekzekutimit që nuk e mbulon periudhën e kërkuar dhe shpërblimi me kontratë i OE që nuk i ka përmbushur obligimet tatimore rrisin rrezikun që Komuna nuk do të mund të monitorojë dhe mbajë kontraktuesit e përgjegjshëm në realizimin e kontratave. Po ashtu sipas Auditorit, mos njoftimi me kohë lidhur me nënshkrimin e kontratave e rrezikon transparencën ndaj autoritetit përkatës dhe palëve të interesit.

“Kryetari duhet të sigurojë që procesi i vlerësimit të jetë në përputhje të plotë me kriteret e kërkuara në dosjen e tenderit dhe se shpërblimi me kontratë të jepet vetëm pasi të jenë plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara. Poashtu, duhet bërë si duhet planifikimin e prokurimeve, dhe njoftimin me kohë lidhur me nënshkrimin e kontratave”, thuhet në rekomandimin e raportit të auditimit.

Favorizimi i kompanisë në dosje të tenderit

Në Komunën e Malishevës është gjetur parregullsi në pranimin e punimeve dhe monitorimin e kontratave.

Në dosjen e tenderit për ‘’Ndërtimin e shkollës fillore “Afrim Krasniqi” – në fshatin Bardh, dhe në dosjen e tenderit për “Ndërtimin e shkollës fillore Afrim Buçaj” në fshatin Lladroc, në pozicionin D2 Trupat ngrohës dhe tubacioni, ishte përcaktuar emri dhe adresa e biznesit prej nga operatorët ekonomik duhet të furnizohen me radiatorët e kërkuar në dosjen e tenderit.

“Projektet duhet të realizohen sipas paramasës dhe parallogarisë së përcaktuar me dosjen e tenderit dhe kontratë. AK nuk duhet në asnjë rast të vendos kushte që kanë elemente të favorizimit apo diskriminimit”, thuhet në raport.

Auditori ka evidentuar parregullsi në disa procese të prokurimit publik duke mos përfillur kriteret e kërkuara me dosjen e tenderit.

Te kontrata për ndërtimin e shkollës fillore në fshatin Panorc, në vlerë 495,861.00 euro, kompania fituese nuk e kishte përmbushur kriterin për përvojën e stafit udhëheqës të projektit. Në një rast, për inxhinierin e elektroteknikës, ishte ofruar dëshmi diploma e një vendi tjetër, e pa nostrifikuar nga institucionet vendore.

Parregullsia tjetër ishte se Ishin zotuar vetëm 100 mijë euro, ndonëse me Ligjin e buxhetit të vitit 2018 ishin ndarë 170 mijë euro, përderisa projeksionet buxhetore ishin vlerësuar 420 mijë euro për dy vite. Ndërsa kontrata ishte nënshkruar në vlerë 495,861.00 mijë euro. Gjithashtu kontrata ishte nënshkruar menjëherë pas publikimit për dhënie të kontratës, duke mos pritur afatin 10 ditë nga data e publikimit.

“Blerjet përmes prokurimit publik duhet të zhvillohen në pajtim me kërkesat e LPP-së, dhe udhëzuesit e prokurimit duke respektuar kriteret e përcaktuara në dosjen e tenderit dhe njoftimin për kontratë”, thuhet në raport.

Te kontrata për ndërtimin e qendrës për banim social, në vlerë 647,671.00 euro, kompania fituese nuk kishte ofruar kontratat e punës të noterizuara të personelit udhëheqës të projektit, dhe nuk kishte ofruar dëshmi rreth përvojës së punës.

“Kjo ishte kërkuar me dosjen e tenderit”, theksohej në raportin e auditimit.

Po ashtu ishte ofruar kopje e pa noterizuar e certifikatës ISO 9001-2015, ndërsa në vend të certifikatës ISO 18001-2015, ishte ofruar certifikata ISO18001-2007.

Me dosje të tenderit ishte kërkuar që kompania fituese të ofrojnë së paku tre kontrata për punë të ngjashme në vlerë 900,000.00 euro, ndërsa janë ofruar dëshmi për punë të ngjashme nën vlerën e kërkuar.

Po ashtu, në dosje të tenderit ishte kërkuar që kompania fituese të ketë një makinë ngjeshëse me kapacitet 9t, ndërsa është ofruar dëshmi për një makinë me 4t.

Te kontrata për furnizim me autoambulancë dhe automjet për QKMF, në vlerë 59,900.00 euro, kompania nuk e kishte përcaktuar me çfarë lloji të automjeteve po oferton, por vetëm ka përshkruar specifikat e kërkuara me dosje të tenderit. Poashtu, nuk është caktuar menaxheri i kontratës, dhe as nuk është përgatitur plani për menaxhimin e kontratës.

Sipas Auditorit, mangësitë e përmendura kanë ndodhur si rezultat i kontrolleve dhe mbikëqyrjes së mangët në udhëheqjen e procedurave të prokurimit publik dhe kryesisht janë si rezultat i vlerësimit jo adekuat të kritereve të vendosura në dosjen e tenderit.

“Kryetari duhet të sigurojë se procedurat e prokurimit publik zhvillohen në pajtim me kornizën ligjore në fuqi. OE që nuk janë në përshtatshmëri me kërkesat e dosjes së tenderit të mos shpërblehen me kontratë”, thuhet në rekomandimin e Auditorit.

Menaxhimi i dobët i kontratave

Në raportin e auditimit për vitin 2019, Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur menaxhim të dobët të kontratave dhe vonesa në realizimin e tyre në Komunën e Malishevës. 12 projekte nuk ishin realizuar brenda afateve të përcaktuara me kontratë kurse 4 projekte të tjera pranimi i mallrave nuk ishte bërë brenda afatit të caktuar me kontratë.

Sipas Ligjit për Prokurim Publik, menaxherët e kontratës janë përgjegjës për menaxhimin e kontratës dhe duhet të sigurojnë se OE kryen kontratën në përputhje me termat dhe kushtet e specifikuara në kontratë. Secila kontratë publike ka të përcaktuar afatin kohor të implementimit.

Në 12 kontrata për projekte kapitale është identifikuar se punimet nuk ishin realizuar sipas afateve të përcaktuara me kontratë. Në asnjë rast nuk ishin aplikuar penalet për mos përfundimin e kontratave me kohë.

“Raportet e menaxherëve të kontratave në shumicën e rasteve ishin të mangëta ngase nuk përmbanin informata të mjaftueshëm rreth ecurisë së implementimit të projekteve dhe arsyeve për vonesat e ndodhura”, potencohet në raportin e auditimit.

Më tutje, në 4 raste është identifikuar se pranimi i mallrave nuk ishte realizuar brenda afateve të përcaktuara me kontrata. Kjo ka të bëjë me kontratat për: Furnizim me pelet, furnizim me kompjuter, furnizim me dru, furnizime mjekësore. Sipas Auditorit vonesat shkonin deri në 46 ditë.

“Në asnjërin rast nuk ishin aplikuar penalet. Kjo ka ndodhur për shkak të proceseve të dobëta në menaxhimin e kontratave”, thuhet në raport.

Në dy raste, pranimi i mallrave/pajisjeve ishte bërë vetëm nga menaxheri i kontratës, dhe pa ndonjë komision të pranimit. ZKA me vendim formon Komisionin për Pranimin e Pasurisë jo Financiare që ka përgjegjësitë të bëjë verifikimin e sasisë, cilësisë, llojin dhe vlerën e pasurisë jo financiare të pranuar dhe të dokumentuar me procesverbal që janë në pajtim me kontratën apo urdhër blerjen.

Sipas Auditorit, raportimi i mangët dhe vonesat ishin si rezultat i kontrolleve të dobëta në menaxhimin e kontratave.

“Kryetari duhet të sigurojë se menaxherët e kontratave në raportet e tyre ofrojnë informata të mjaftueshme rreth ecurisë së implementimit të kontratave. Të shtohen masat e kontrollit dhe në rastet kur ka vonesa të pa arsyetuara nga menaxherët e kontratave të aplikohen penalet për ditët në vonesë”, thuhet në rekomandimin e Auditorit.

08 Qershor 2019 - 12:04

Dorentina Kastrati 08/06/2019 - 12:04
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend