Valon R. Murati

Ilegali 

Garës për të parin e kryeqytetit, nga radhët e Lëvizjes për Bashkim, thotë se i hyri për shumë arsye. 

“E kam pranu këtë sfidë dhe i kam hy kësaj gare me vetëbesim edhe një optimizëm të madh, se do të arrijmë një rezultat jashtëzakonisht pozitiv në këto zgjedhje”, thotë ai.

Për një qeverisje të mirë sipas tij duhet të zbatohet ligji, të punohet me ndershmëri dhe të bëhen përpjekje serioze për rregullimin e jetës në Prishtinë. 

“Kjo mund të tingëllojë qesharake, por thelbi i krejt defekteve që ka shoqëria jonë, është mosrespektimi i ligjit”, thotë Murati.

Murati shpjegon se nuk mund ta bëjë Paris Prishtinën, por do të mundohet ta shndërrojë në vend të jetueshëm. 

Muratin me Prishtinën e lidhin njerëzit. 

Për ta zbërthyer këtë, ai tregon momentin kur gjatë luftës ishte kthyer në Prishtinë natën dhe nuk kishte takuar asnjë njeri. Ishte shtangur që nuk shihte njerëz askund.  

“Në një moment kam dëgjuar disa zëra dhe kam parë një dritë të ndezur prapa roletave. Aty e kuptova se qytetin e dua për shkak të njerëzve”, thotë Murati. 

Ai u bë anëtar i Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës që në moshën 18 vjeçare dhe e provoi shumë i ri edhe ilegalitetin. “Një vit ilegaliteti është sa dy vjet të jetës normale”, thotë një fjalë e urtë. 

“Ka qenë kohë e vështirë se ata që kanë qenë me idenë tonë ishin shumë të pakët”, shpjegon Murati.

Kandidati i Lëvizjes për Bashkim, njëjtë si kundërkandidati i tij Besnik Tahiri, rrëfen se ishte protestues që në shkollë fillore. 

Në përkrahje të minatorëve që ishin në grevë urie më 1989, ai kishte organizuar protestë dhe bojkot të mësimit. 

Dhjetë vjet më vonë, në vitin 1999, Murati u zgjodh kryetar i LKÇK-së, ndërsa deri në vitin 2001 bashkë me subjektin e tij, ishte pjesë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, duke themeluar edhe Aleancën e të Rinjve të Kosovës(ARK).

I lindur në Prishtinë, në vitin 1975, ai studimet në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës arriti t’i përfundojë vetëm në vitin 2001, për shkak të angazhimeve politike dhe ushtarake. 

Më pas vazhdoi ngritjen akademike, me studimet pasdiplomike në Sarajevë e Bolonjë për demokracinë dhe të drejtat e njeriut. 

Në vitin 2003 u martua me Nora Bakallin, një juriste me të cilën u njoh gjatë kontakteve me punonjës të OSBE-së. Nora punonte në këtë organizatë. Të dy “vitin e mjaltit” e kaluan në Sarajevë, në studime. 

Nga kjo martesë ky çift ka dy vajza të moshës 6 e 8 vjeçare. Valon Murati thotë se posedon edhe një shtëpi dhe makinë të tipit Citroen. 

Kuptimi i hyjneshës në fron Mund të lidhet me faktin se Prishtina është dashur që të shërbëjë  si një model i një hyjneshe në fron.

Libri i fundit i lexuar Verberia, José Saramago

Këngëtari i preferuar Pink Floyd, Black Sabbath & Adele

Filmi që mund ta shihni çdo ditë The Godfather, You’ve Got Mail, Dead Poets Society & Braveheart

Mediat Sociale Sa jemi në politikë do i shfrytëzojmë goxha shumë

A do të fitoni Shpresoj në fair play

Çfarë nuk mund të ndryshoni në Prishtinë Jam në fazën e përgatitjes së projektit dhe e kam shumë problematike të them se çka nuk do të mund të bëj.